Vihet gurthemeli i projektit për rikonstruktimin e urës mbi Sitnicë

Mitrovicë, 23 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Faton Peci, vunë gurthemelin e projektit për rikonstruktimin e urës mbi lumin Sitnicë.

Duke e vlerësuar si investim të rëndësishëm për qytetarët, kryeministri Kurti tha se vlera e gjithmbarshme e projektit është 700 mijë euro, kontribut i përbashkët i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Mitrovicës.

“Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht, më shumë, e më shpejt, e më shpesh, aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica”, theksoi kryeministri Kurti, teksa tha se vitin e kaluar në këtë qytet u përuruan dy urat e reja mbi lumin Ibër dhe se e treta, po ashtu mbi Ibër, është në ndërtim e sipër.

Prononcimi i Kryeministrit Kurti:

Gjithmonë kënaqësi të vij në Mitrovicën tonë të dashur, ku më priti kryetari i komunës, Faton Peci, bashkë me ministrin tonë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, me rastin e vendosjes së gurthemelit këtu, për një renovim të thellë saqë mund ta quaj rindërtim të urës mbi Sitnicë.

Nuk po ndërtojmë ura vetëm mbi Ibër, por edhe mbi Sitnicë. Në vitin e kaluar dy ura të reja mbi Ibër, njëra ka qenë edhe për këmbësorë edhe për vetura, tjetra vetëm për këmbësorë. Ura e tretë është në ndërtim e sipër, që do të thotë që së shpejti do të vijmë edhe për atë urën e tretë në përurim. Por, sot vendosëm gurthemelin e këtij projekti të rëndësishëm, me vlerë të gjithmbarshme prej 700 mijë euro, e ku kanë kontribuuar së bashku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Mitrovicës.

Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht, më shumë, e më shpejt, e më shpesh, aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica.

Falënderoj edhe operatorin ekonomik, falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen.

Këtu jemi bashkë edhe me kolegë nga institucionet, me deputetët Arjetën e Valonin, me Aidën dhe me shumë aktivistë e dashamirë të Mitrovicës, të cilët natyrisht që i gëzohen kësaj të arriture të re.

Punëtorët tashmë janë duke zhvilluar projektin me intensitet dhe besoj që së shpejti do të vijmë edhe për përurimin e kësaj ure mbi Sitnicë.

Faleminderit të gjithëve e gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors