Mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime

Prishtinë, 20 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryesoi takimin e rregullt të radhës të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se, që nga themelimi, synimi i Këshillit është fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, duke ndërtuar një platformë ku sfidat dhe mundësitë për zhvillim ekonomik nuk trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, por diskutohen në mënyrë të strukturuar dhe adresohen përmes veprimit të përbashkët e të drejtpërdrejtë.

Teksa theksoi se zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm, kryeministri shtoi se institucionet e Republikës e kanë për detyrë të krijojnë mjedisin e sigurt, sundimin e ligjit dhe kushtet e barabarta për zhvillim, ndërkaq bizneset janë ato që investojnë, që marrin përsipër rrezikun sipërmarrës, që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende të reja pune.

“Ekonomia e Republikës së Kosovës ka vazhduar të tregojë qëndrueshmëri të lartë dhe potencial të qartë për rritje, edhe përballë sfidave të brendshme me konsolidimin e institucioneve në njërën anë, por edhe të pasigurive e tronditjeve globale në anën tjetër”, tha kryeministri Kurti, i cili shtoi se në gjysmën e parë të këtij viti është shënuar rritje ekonomike prej 4.7%.

Kryeministri Kurti theksoi se këto shifra janë dëshmi e vitalitetit të sektorit privat, e besimit në investime dhe e lidhjes së ngushtë që ekonomia e Kosovës ka me mërgatën, por edhe me tregjet ndërkombëtare. Ai përmendi gjithashtu disa prej përparësive kryesore, nga popullsia e re e kreative, afërsia gjeografike e kulturore me tregjet evropiane, te politikat tatimore konkurruese.

“Investitorët seriozë kërkojnë siguri juridike, parashikueshmëri, procedura të qarta dhe shërbime efikase. Pikërisht për këtë arsye, si Qeveri, gjatë këtij viti kemi miratuar Ligjin për Bankat dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave, që forcojnë ndjeshëm kornizën rregullatore dhe e hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke ulur kësisoj kostot e transaksioneve për qytetarët dhe bizneset tona”, theksoi ai, mes tjerash.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit i nderuar z. Artan Mehmeti, sekretar i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Faleminderit për udhëheqjen e juaj të këtyre takimeve tejet të rëndësishme që po i zhvillojmë midis institucioneve vendore e ndërkombëtare dhe sidomos sektorit privat të përfaqësuar me shoqatat përkatëse,
Të nderuar anëtarë të Këshillit në përgjithësi,
Në veçanti të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministra Konjufca dhe Gërvalla, ministra, pastaj zëvendësministra e udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës, të ZRRE-së, të Doganës së Kosovës, të Administratës Tatimore,
Të nderuar ambasador, Huchet nga Franca, pastaj drejtues i EBRD-së Maslichenko, dhe ju të tjerë përfaqësues e udhëheqës të institucioneve vendore e ndërkombëtare,

Përmes këtij dialogu të hapur me sektorin privat ne duam të identifikojmë nevojat për ndërhyrje të reja ligjore si dhe vështirësitë praktike që hasim në zbatim, e në këtë bashkëpunim Këshilli luan një rol kyç në strukturimin e dialogut dhe në formulimin e rekomandimeve, si dhe në ndjekjen e zbatimeve konkrete nga terreni të vendimeve tona të përbashkëta institucionale. Konsultimet tematike, grumbullim i dëshmive, takime teknike, këtë pra e bën sekretariati, i cili udhëhiqet nga Artani dhe i cili siguron që zëri i sipërmarrësve kthehet në politika efikase.

Që nga themelimi i këtij Këshilli, synimi ynë qendror ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm, ta fuqizojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, duke ndërtuar një platformë ku sfidat dhe mundësitë për zhvillim ekonomik nuk trajtohen në mënyrë të ndarë apo sipërfaqësore, por diskutohen në mënyrë të strukturuar dhe adresohen përmes veprimit të përbashkët e të drejtpërdrejtë.

Ndërmjet mbledhjeve tona plenare, puna nuk është ndalur për shkak se ato janë vetëm stacione të asaj çfarë ndodh midis tyre, konkretisht ndërmjet takimeve tona ka vazhduar puna përmes forumeve sektoriale, konsultimeve të rregullta dhe takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet sipërmarrësve të ndryshëm dhe institucioneve përgjegjëse. Kjo dinamikë është vendimtare, sepse dialogu publiko-privat nuk mund dhe nuk duhet të jetë një ngjarje protokollare e cila zhvillohet disa herë në vit në mënyrë periodike, në mënyrë ciklike, përkundrazi duhet të jetë vetë metoda jonë e punës, mënyra se si i identifikojmë shanset dhe pengesat, si i hartojmë politikat publike dhe si i matim e i vlerësojmë rezultatet e tyre në terren.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm ndërmjet nesh. Forumi i këtillë padyshim që është dëshmi se ne nisemi nga bindja që konkurrencën përherë e shoqërojmë me bashkëpunim. Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për detyrë të krijojnë mjedisin e sigurt, sundimin e ligjit dhe kushtet e barabarta për zhvillim; ndërkaq bizneset janë ato të cilat investojnë, që marrin përsipër rrezikun sipërmarrës, që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende të reja të punës. Rrjedhimisht, bashkëpunimi ynë nuk është thjesht një dëshirë, por është një domosdoshmëri ekonomike e shtetërore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ekonomia e Republikës së Kosovës ka vazhduar të tregojë qëndrueshmëri të lartë dhe potencial të qartë për rritje, edhe përballë sfidave të brendshme me konsolidimin e institucioneve në njërën anë, por edhe të pasigurive e tronditjeve globale në anën tjetër.

Eksportet tona të mallrave dhe shërbimeve kanë tejkaluar shifrën prej pesë miliardë eurosh, ndërkaq remitencat nga mërgata jonë kanë arritur nivelin rekord prej rreth 1.4 miliard euro, e rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2026, pra sivjet, ishte 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor. Këta tregues nuk janë vetëm shifra statistikore, janë dëshmi e gjallë e vitalitetit të sektorit privat, e besimit në investime dhe e lidhjes së ngushtë që ekonomia jonë ka me mërgatën, por edhe me tregjet ndërkombëtare.

Kosova i ka të gjitha parakushtet për ta bërë këtë kapërcim. Kemi një popullsi të re e kreative, afërsi gjeografike e kulturore me tregjet evropiane, politika tatimore konkurruese dhe sektorë që po dëshmojnë hov zhvillimi, qoftë në teknologjinë e informacionit, në industrinë përpunuese, në sektorin e shërbimeve apo në bujqësi.

Investitorët seriozë kërkojnë siguri juridike, parashikueshmëri, procedura të qarta dhe shërbime efikase. Pikërisht për këtë arsye, si Qeveri, gjatë këtij viti kemi miratuar Ligjin për Bankat dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave, që forcojnë ndjeshëm kornizën rregullatore dhe e hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke ulur kësisoj kostot e transaksioneve për qytetarët dhe bizneset tona.

E me funksionalizimin e Gjykatës Administrative kemi krijuar një mekanizëm të specializuar dhe efikas për shqyrtimin e kontesteve administrative, duke garantuar siguri juridike dhe trajtim të drejtë për çdo investitor. Gjithashtu, kemi miratuar projektligjet për Energjinë, për Energjinë Elektrike dhe për Efiçiencën e Energjisë, si dhe projektligjet për Inovacionin dhe Ndërmarrësinë dhe atë për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare. Derisa lansimi i Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik (eID), i Kuletës Digjitale dhe i aplikacionit për nënshkrim elektronik po e çon administratën tonë në një epokë të re, ku shërbimet janë të shpejta, me transparencë dhe pa burokraci.

Të gjitha këto reforma ndërlidhen drejtpërdrejt me Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, e cila na shërben si katalizator për reformat strukturore, për të avancuar tranzicionin e gjelbër energjetik dhe për ta integruar më tej ekonominë tonë në tregun e përbashkët evropian.

Qëllimi ynë është që këto reforma të sjellin përmirësime të prekshme në bilancet e kompanive tona dhe në mirëqenien e qytetarëve tanë. Prandaj, partneriteti me bizneset dhe shfrytëzimi i përvojës suaj praktike do të mbeten shtyllë kryesore e qeverisjes sonë.

Ju faleminderit për pjesëmarrjen, kontributin dhe vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors