Prishtinë, 20 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi takimin e rregullt me zyrtarë publikë të Zyrës së Kryeministrit, në Ballkonin e Hapur të Qeverisë.
Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për ta, duke thënë se të arriturat e Qeverisë janë të përbashkëta dhe që kabineti politik nuk ia del dot pa administratën e shtetit. “Administrata e shtetit është motori, i cili e mirëmban mirëfunksionimin demokratik të institucioneve në përgjithësi, e posaçërisht të kryeministrisë këtu”, tha kryeministri Kurti.
Ai e vlerësoi simbolike këtë ditë, që korrespondoi edhe me gjashtëvjetorin e qeverisjes (prej të cilave pothuajse një e katërta e periudhës në detyrë), për faktin se janë bërë 2192 nga dita kur Kryeministri Kurti ka marrë detyrën.
Kryeministri foli edhe për sfidat e dy viteve të fundit për bllokadat në Kuvend, ndërsa theksoi se pas zgjedhjes së presidentes së re të Republikës ka stabilitet të plotë institucional për të funksionuar mirë, mbarë e shpejt si asnjëherë më parë.
Teksa foli për të arriturat kryesore të Qeverisë, të përmbledhura në një dokument me gjithsej 57 faqe, e që paraqesin në numra suksesin e përbashkët, kryeministri Kurti tha se “Qeveria jonë është në shtet e për shtetin, nuk është jashtë shtetit”.
“Tash kërkohet punë e përkushtuar, e bazuar në profesionalizëm dhe në besnikëri. Sfidat nuk do të jenë të vogla, por ne kemi dëshmuar që sado të mëdha ato i tejkalojmë me sukses”, tha ai, duke shtuar se përkundër sfidave dhe sulmeve të shumta me të cilat është përballur Qeveria, sot sundimi i ligjit që ka sjellë sovranitet shtetëror e integritet territorial është më i madh e më i lartë se asnjëherë më parë dhe këtë e kanë bërë mekanizmat shtetëror që kanë ekzistuar edhe më herët, por se tash e kanë edhe vullnetin politikë të udhëheqjes për ta bërë ashtu siç shkruhet në Kushtetutën dhe ligjet tona.












