Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës në prezantimin e Projektbuxhetit për vitin 2027

Prishtinë, 19 nëntor 2026

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, për shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

E nderuar kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Gjatë mandatit të kaluar, buxheti i Republikës së Kosovës shënoi rritje të vazhdueshme, por edhe rekorde nga viti në vit. Kjo rritje ishte rezultat i drejtpërdrejtë i performancës së të hyrave publike, por edhe i një ekonomie e cila u zgjerua, krijoi vende të reja pune dhe gjeneroi më shumë aktivitet ekonomik.

Kjo performance e mirë na mundësoi të bëjmë dy gjëra njëkohësisht: të zgjerojmë politikat mbështetëse për qytetarët dhe njëkohësisht pra ta ruajmë qëndrueshmërinë afatgjate të financave publike. Këtë e arritëm duke mbajtur deficitin buxhetor dhe borxhin publik në nivele historikisht të ulëta, duke dëshmuar kësisoj se rritja e mbështetjes për qytetarët dhe disiplina fiskale mund të ecin krah për krah.

Një nga ndryshimet e rëndësishme të kësaj periudhe ishte edhe transformimi i strukturës së të hyrave buxhetore. Në të kaluarën, mbledhja e të hyrave mbështetej në masë më të madhe të Dogana. Ndërsa sot, të hyrat e brendshme po rriten me ritëm më të shpejtë, si rezultat i zgjerimit të aktivitetit ekonomik, rritjes së punësimit dhe forcimit të administrimit tatimor.

Mjafton të krahasojmë dy shifra për ta parë këtë ndryshim: në vitin 2019, viti i parë parapandemik, të hyrat e mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës ishin sa vetëm 40% të të hyrave të mbledhura nga Dogana. Në buxhetin që po prezantojmë sot, për vitin 2027, kjo përqindje parashihet të arrijë në 60%. Ky është një tregues i zgjerimit të bazës tatimore dhe i një ekonomie gjithnjë e më të formalizuar. Pra nga 40 për qind Administrata Tatimore në raport me Doganat, në 60 për qind, apo rritje 50 për qind për 8 vjet.

Edhe këtë vit, në një periudhë sfidash ekonomike që prekin vendet anembanë botës, ekonomia e Kosovës po dëshmon qëndrueshmëri. Rritja ekonomike prej 5.3% të Bruto Produktit vendor për tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë, apo 4.7% për gjysmën e parë të vitit 2026, na rendit ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo performancë krijon bazën për vazhdimin e rritjes së buxhetit dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.

Mbi këtë bazë ekonomike dhe fiskale, buxheti i projektuar për vitin 2027 arrin në 4.27 miliardë euro. Kjo është rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.

Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kjo përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve.

Në këtë buxhet kemi paraparë gjithashtu edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse. Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme në këtë proces, presim edhe strategjinë e Grupit Punues, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Le të fillojmë me radhë me kapitujt e këtij propozim buxheti.

Pagat dhe mirëqenia e punonjësve publikë.

Buxheti i vitit 2027 vazhdon politikën e rritjes së të ardhurave për punonjësit e sektorit publik. Sikurse edhe këtë vit, është paraparë pagesa e pagës së 13-të. Krahas saj, nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro.

Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do të përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit, që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit.

Si rezultat, buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, e që i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publikë, ky nivel i financimit reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo më shumë se 1,000 euro bruto në muaj mesatarisht për punonjës.

Kjo është në përputhje me zotimin tonë për rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit të jetesës së punonjësve publikë. Dhe kjo nuk është një rritje e njëhershme, por një proces që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, në përputhje me rritjen ekonomike, mundësitë buxhetore të vendit dhe pa harruar rritjen e produktivitetit përbrenda rritjes ekonomike.

Së dyti kemi kapitullin e mbështetjes më të madhe për familjet dhe fëmijët.

Një tjetër zotim që po e përkthejmë në masa konkrete buxhetore është dyfishimi i shtesave për fëmijët gjatë këtij mandati.

Për këtë qëllim, kemi paraparë një rritje graduale në katër faza, me nga 25% për çdo vit, krahasuar me shumën aktuale. Faza e parë fillon më 1 janar 2027, kur shtesat për fëmijë do të rriten për 25%. E njëjta rritje do të vazhdojë në janar të vitit 2028, janar 2029 dhe janar 2030, kur do të përmbyllet procesi i dyfishimit të tyre.

Për ta konkretizuar: një familje me dy fëmijë, që aktualisht i merr 60 euro në muaj, nga 1 janari 2027 do të përfitojë 75 euro. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, do të përfitojë 225 euro në muaj.

Kjo është vetëm faza e parë. Rritja do të vazhdojë çdo vit, me qëllim që deri në përfundim të mandatit, mbështetja për fëmijët të jetë e dyfishuar. Përmes kësaj politike, synojmë të rrisim sigurinë ekonomike të familjeve dhe të investojmë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe zhvillimin e gjeneratave të reja.

Së treti kemi shërbimet publike dhe shëndetësinë.

Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve kemi bërë një riorganizim të qartë të prioriteteve. Kemi përgjysmuar buxhetin për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit dhe mjetet e kursyera i kemi orientuar drejt financimit të barnave esenciale për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Por investimi në shëndetësi nuk kufizohet vetëm te barnat. Kemi paraparë edhe shtimin e 120 profesionistëve shëndetësorë në SHSKUK, ndërsa në nivelin lokal janë planifikuar investime të konsiderueshme në ndërtimin e Qendrave të reja dhe moderne të Mjekësisë Familjare.

Njëkohësisht, për të rritur kapacitetet diagnostikuese dhe trajtuese të institucioneve tona shëndetësore, kemi ndarë mjete për blerjen e pajisjeve dhe aparaturave moderne mjekësore, të teknologjisë më të avancuar. Ky projekt mbështetet financiarisht nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.

Qëllimi është i qartë. Më shumë barna, më shumë personel, infrastrukturë më moderne dhe pajisje më të avancuara, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në shërbime shëndetësore më cilësore brenda vendit.

Te kapitulli i katërt i kemi investimet kapitale dhe transformimin e infrastrukturës.

Buxheti i vitit 2027 do të shënojë një nivel të ri të investimeve kapitale. Për herë të parë, mbi 1 miliard euro do të ndahen vetëm për këtë kategori. Kjo është një rritje e rëndësishme e investimeve publike dhe një orientim i qartë drejt projekteve që krijojnë infrastrukturë, rrisin kapacitetet ekonomike dhe përmirësojnë lidhjen ndërmjet qyteteve dhe rajoneve të vendit tonë.

Në këtë kuadër, kemi paraparë fillimin e punëve përgatitore për projekte të rëndësishme rrugore, përfshirë Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë, që do të lidhë dy autostradat, Autoudhën e Dukagjinit, si dhe një numër të madh rrugësh të tjera nacionale dhe rajonale, të cilat do të ndërtohen, zgjerohen apo rehabilitohen.

Përtej infrastrukturës rrugore, investimet do të përqendrohen edhe në sigurinë ujore dhe mbrojtjen e mjedisit. Kemi paraparë nisjen e punëve për ndërtimin e digave të reja, pasi të jenë kryer dizajnet dhe projektet, diga të cilat mundësojnë ruajtjen e rezervave ujore dhe menaxhimin më të mirë të ujit. Gjithashtu, kemi paraparë ndërhyrje konkrete për mbrojtjen e ambientit, përfshirë krijimin e një sistemi të ri për grumbullimin dhe sortimin e mbeturinave.

Një linjë e veçantë buxhetore është dedikuar edhe për kompletimin e infrastrukturës sportive, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Ky është një investim që shkon përtej organizimit të një ngjarjeje sportive: është investim në infrastrukturë, në promovimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në mundësi të reja për zhvillimin e sportit e të turizmit.

Së pesti e kemi aviacionin, turizmin dhe zhvillimin ekonomik

Një ndër nismat e reja të këtij buxheti është edhe nisma për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore.

Kjo nismë synon të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ajrore të Kosovës, në krijimin e më shumë mundësive për udhëtim për bashkatdhetarët tanë dhe në promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare. Përmes një pranie më të madhe në aeroportet evropiane dhe më gjerë, synojmë që Kosova të ketë një instrument shtesë të lidhjes me diasporën dhe të promovimit të potencialit të saj ekonomik investiv e turistik gjatë tërë vitit.

Po ashtu, kemi paraparë linja të veçanta buxhetore për investime në infrastrukturën turistike. Këto investime do të krijojnë parakushtet e nevojshme për realizimin e projekteve të turizmit përmes Partneritetit Publiko-Privat, përfshirë zhvillimin e resorteve turistike në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht te Bjeshkët e Nemuna.

Synimi është që potencialet natyrore të Kosovës të shndërrohen në mundësi konkrete investimi, në vende të reja pune dhe në një sektor turistik që kontribuon gjithnjë e më shumë për ekonominë e vendit.

Të dashur qytetarë,

Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të ri. Ai ndërtohet mbi rezultatet ekonomike dhe fiskale të viteve të kaluara, por njëkohësisht përcakton drejtimin e zhvillimit për vitet që vijnë.

Është një buxhet që kombinon vazhdimin e mbështetjes për qytetarët me investimet afatgjata në infrastrukturë, e njëkohësisht përcakton gjithashtu edhe shëndetësinë, arsimin, kapacitetet njerëzore, sigurinë ujore, mjedisin, sportin dhe turizmin, si prioritete për të cilat ne dëshmohemi me alokimet buxhetore.

Është buxhet që synon t’i shndërrojë rezultatet ekonomike në përfitime konkrete për familjet, në shërbime më të mira publike dhe në mundësi të reja për bizneset dhe investitorët.

Mbi të gjitha, është buxhet i cili synon ta çojë Kosovën përpara nga një fazë e rritjes ekonomike në një fazë të re të transformimit ekonomik, ku investimet publike krijojnë kushte për më shumë investime private, ku zhvillimi ekonomik përkthehet në vende pune cilësore dhe ku përfitimet e rritjes ndahen gjerësisht me qytetarët.

Ky është pra drejtimi ynë: financa publike të qëndrueshme, ekonomi në rritje dhe investime që ndërtojnë të ardhmen e vendit, gjithnjë në shërbim të qytetarëve, për një Kosovë më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për të gjithë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors