Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën me temën “The Future of Business: From Opportunity to Investment”

Prishtinë, 19 nëntor 2026

Faleminderit, Flandra. Mirëmbrëma.

Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës,
Zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve tona,
Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismajli, drejtor i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu,
I nderuar z. Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike në Republikën e Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht dua të falënderoj Data4X, Flandrën dhe Shpendin, për angazhimin e jashtëzakonshëm në Agjendën Një Miliard Euro dhe tash u bënë një vit të agjendës Një Miliard Euro, e cila përputhet edhe me zotimin tonë për mandatin e ardhshëm Një miliard euro për prodhimtari, përkatësisht garanci shtetërore për kreditë investive për të gjithë ata që duan të prodhojnë, punësojnë dhe zhvillojnë.

Nga mëngjeset e punës Data 4 Breakfast, te Kosova Capital Forum në Nju Jork, deri te mbrëmja e sotme dhe sesionet që do të vijojnë, jemi dëshmitarë të një hovi të ri në Republikën e Kosovës për rritje edhe më të madhe edhe më të shpejtë. Po ashtu e falënderoj edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, që e ka ndërtuar këtë rrugë bashkë me ta.

Më 3 shtator, më 8 tetor dhe më 26 tetor u ulëm me bizneset në tri mëngjese pune. Ishin takime me dyer të mbyllura, rreth një tavoline. Bizneset folën hapur për atë që i motivon të punojnë çdo ditë me zell dhe me përkushtim dhe atë që i pengon për t’u rritur ndoshta edhe më shumë. Ne dëgjuam, mbajtëm shënime dhe morëm përsipër detyra.

Sonte jemi në një sallë shumë më të madhe, por kjo nuk është përmbyllja e procesit. Është një bilanc i ndërmjetëm. Ajo që u tha në takimet e mëngjesit, sonte thuhet para të gjithëve: Para bankave dhe institucioneve financiare, para partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe para kolegëve të mi në Qeveri. Një zotim që jepet publikisht, mund të kërkohet publikisht. Le të kuptohet, që bizneset janë partnerë në qeverisjen tonë dhe së bashku me to do të trasojmë shumë rrugë të reja të bashkëpunimit, ndërveprimit dhe përfaqësimit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kosova është ekonomi që rritet. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, qarkullimi i bizneseve arriti shifrën prej 18.6 miliardë euro, 10% më shumë se një vit më parë. Në shtator kishim 426 mijë vende pune të regjistruara, e 12 mijë e 200 më shumë se një vit më parë. Eksporti i mallrave në dhjetë muajt e parë sivjet, arriti 960 milionë euro, 24% më shumë se një vit më parë. Investimet private në vitin 2025 ishin 1.84 miliardë euro, apo 77% më shumë sesa në vitin 2021.

Shpendi do t’ju paraqesë shumë numra të tjerë në hollësi të ndryshme pas pak. Unë dua të them diçka tjetër: Rritja e sotme nuk na e garanton rritjen e nesërme. Rritja aktuale është mundësi për rritjen e ardhshme. Se kur rritesh, rriten edhe mundësitë për t’u rritur më tej, por nuk ka garanci për një gjë të tillë. Ka veçse mundësi përpara. Ka dyer të hapura në të cilat duhet të ecim vetë. E tash bashkërisht duhet t’i përdorim të gjitha avantazhet dhe fuqitë tona për të qenë konkurrues si biznese, por edhe si shtet. Sfidat që sot i ka bota në prodhim, në furnizim, në ofrim të shërbimeve dhe në afate të stërzgjatura të dorëzimit të mallrave ne duhet t’i kthejmë në avantazhe të tregut tonë. Kjo për ta avancuar vendin tonë që është obligim i yni i përbashkët, por edhe për t’u ndihmuar partnerëve tanë për t’ua kthyer investimin dhe besimin të cilin ata ia kanë dhënë Kosovës.

Ne ende blejmë jashtë shumë nga ato që mund t’i prodhojmë vetë. Agjenda Një Miliard Euro ka logjikë të thjeshtë. E identifikojmë atë që e importojmë e që mund ta prodhojmë këtu, dhe pastaj e prodhojmë. Nuk është proteksionizëm një gjë e tillë. Tregjet tona vazhdojnë të mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të konkurrojnë me kompanitë që vijnë tek ne. Është agjendë zhvillimore, e zgjedhur me kujdes dhe e ndërtuar mbi të dhëna. Në një botë ku logjistika dhe mbrojtja e zinxhirit furnizues po bëhen gjithnjë e më komplekse për shkak të ndryshimeve gjeostrategjike e turbulencave gjeopolitike, jemi të mendimit që kjo është një mënyrë e krijimit të vetëqëndrueshmërisë, pavarësisë, e madje edhe të sigurisë.

Pas emrit të agjendës qëndron një llogari. Në vitin 2025 importuam mallra mbi shtatë miliardë euro dhe eksportuam afër një miliard euro. Gati katër miliardë prej tyre janë mallra që në Kosovë tashmë dimë t’i bëjmë, veçse duhet t’i bëjmë. Synojmë një të katërtën e tyre: nga katër miliardë, synojmë një miliard. Një miliard euro prodhim vendor në vend të importit, që do të thotë fabrika të reja, vende pune dhe produkt të Kosovës në raftet tona e në eksport të vendit tonë, jashtë shtetit. Pijet joalkoolike tregojnë se kjo mund të bëhet. Para katër vjetësh eksporti i tyre mbulonte vetëm çerekun e importit, vetëm një të katërtën e importit, ndërsa sot e mbulon më shumë se gjysmën.

Bizneset na e kanë thënë qartë se çfarë u duhet atyre për të vazhduar rrugën. U duhen dy gjëra kryesore: Rregulla dhe kapital. Rregullat më të mira dhe kapital më shumë. Rregullat janë detyrë e jona, e Qeverisë. Kapitali është detyrë e përbashkët: E shtetit, e bankave dhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ndërsa, bizneseve u mbetet ta bëjnë atë që dinë ta bëjnë më së miri, ta sjellin botën më afër Kosovës, dhe ta sjellin Kosovën më afër botës.

Prandaj, sonte në këtë sallë jemi të gjithë bashkë. Nga mëngjeset e punës doli një plan veprimi me 10 kërkesa konkrete. Secila e ka bartësin dhe afatin e vet. Disa veprime tashmë janë në lëvizje. Ligji për vonesat në pagesa sipas të cilit pas 30 ditësh vonesë paguhet kamatë pritet të hyjë në fuqi deri në fund të vitit.

Skemën e granteve po e ridizajnojmë, që grantet të kombinohen me kredi dhe garanci. Edhe lejet ujore, certifikatat e eksportit dhe trajtimi i njëjtë i humbjeve nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë në plan secila me institucionin e vet përkatës e përgjegjës.

Parimi është i thjeshtë, ju një zotim me afat, ne një zotim me afat.

Qeveria nuk synon të zgjedhë fitues, as ta zëvendësojë tregun. Detyra jonë është që shteti të mos jetë pengesë por faktor përshpejtues, harmonizues e lehtësues.

Kosova që e kemi para sysh e prodhon vetë një pjesë gjithnjë e më të madhe të asaj që e konsumon dhe e shet produktin e saj tashmë në Bashkimin Evropian. Është Kosovë ku i riu e gjen punën me pagë të denjë këtu, ku gratë janë pjesë e plotë e ekonomisë vendore dhe ku leja e tenderi fitohen me produkt, e jo me lidhje. Disa hapa i kemi bërë. Paga minimale ishte 130 përkatësisht 170 euro, ndërsa sot është 500 euro, pra trefishim. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës u rrit nga një në katër në vitin 2024 në gati një në tre sot. Kjo është drejtësia sociale që ne e ndjekim. Ajo i jep biznesit punëtorë, blerës dhe një shtet të cilit mund t’i besojë.

Mëngjeset ishin për të dëgjuar. Mbrëmja e sontme është për t’u zotuar. E pranvera do të jetë për t’u matur.

Ajo që matet, bëhet. Në pranverë të vitit 2027 do të kthehemi prapë në takime, do t’i lexojmë bashkë të dhënat doganore e tatimore. Ato nuk kanë opinion. Do të na tregojnë se kemi lëvizur dhe çka duhet të bëjmë që të lëvizim edhe më tutje, edhe më shpejt bashkë.

Ju uroj një mbrëmje të frytshme. E ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen tuaj!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors