Prishtinë, 17 nëntor 2026
E nderuar Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila,
I nderuar Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu,
I nderuar Ambasador i Kosovës në Poloni, z. Drilon Gashi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve polake,
Të nderuar drejtorë ekzekutivë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Polonia dhe Kosova,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se vini në Kosovë. Serdecznie zapraszamy. Ju uroj mirëseardhje përzemërsisht.
Muajin e ardhshëm, Polonia do të marrë pjesë në Samitin e G20-s në Majami, si njëra nga njëzet ekonomitë më të mëdha të botës. Jemi shumë të kënaqur që ju së pari erdhët në Kosovë. Konsiderojeni këtë si një përgatitje paraprake, me kafe më të mirë, sidomos me makiaton tonë.
Ky është forumi ynë i tretë ekonomik brenda katër vjetësh: Prishtinë në vitin 2022, Varshavë në vitin 2024 dhe sërish Prishtinë sonte. Forumi ynë i parë u mbajt njëkohësisht me fluturimin e parë të drejtpërdrejtë të LOT-it ndërmjet Varshavës dhe Prishtinës. Forumi mbeti me ne. Fluturimi, për fat të keq, jo. Do të ishim shumë të kënaqur ta shihnim të rikthehej dhe po punojmë për këtë.
Zonja dhe zotërinj,
Ekonomistët kanë qejf të flasin për mrekullinë ekonomike polake. Dyshoj se polakët në këtë sallë do të parapëlqenin një fjalë tjetër: punë. Në fund të fundit, mrekullitë nuk kërkojnë orë shtesë pune.
Shifrat e tregojnë këtë histori më mirë se çdo mbiemër. Kur Polonia iu bashkua Bashkimit Evropian në vitin 2004, BPV-ja e saj për kokë banori, e përshtatur sipas fuqisë blerëse, ishte rreth gjysma e mesatares së BE-së. Vitin e kaluar, ajo arriti në 81 %. Papunësia ra nga 19 për qind në 3 %. Që nga viti 2003, ekonomia polake është rritur për gati 130 për qind, më shumë se ajo e çdo shteti tjetër anëtar. Ndërsa vitin e kaluar, me rritje prej 3.6 %, Polonia printe ndër ekonomitë e mëdha të Bashkimit Evropian.
Për Kosovën, kjo është më shumë se një histori mbresëlënëse. Është një histori që na jep kurajë. Ajo tregon se gjeografia nuk e përcakton fatin dhe se një brez i vetëm mund ta ndryshojë drejtimin ekonomik të një vendi.
Kosova ndodhet në një fazë më të hershme të këtij rrugëtimi, por jemi në rrugën e duhur. Ekonomia jonë ka vlerë prej 12 miliardë eurosh. Këtë vit, rritja ekonomike ishte 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë. Borxhi ynë publik është vetëm 16 për qind e BPV-së, ndër më të ulëtit në Evropë. Po ashtu, kemi popullsinë më të re në Evropë. Me fjalë të tjera: shumë energji dhe shumë pak borxh.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj ceremonie,
Qëllimi ynë është i qartë. Ne duam të prodhojmë më shumë në Kosovë dhe të eksportojmë më shumë nga Kosova. Nuk duam të mbetemi vetëm treg për produktet e të tjerëve. Duam të bëhemi partnerë në prodhimin e tyre.
Kjo më sjell te shifrat e marrëdhënieve tona dypalëshe. Çdo vit, Kosova importon nga Polonia mallra në vlerë prej rreth 275 milionë eurosh. Kjo e bën Poloninë një nga dhjetë furnizuesit tanë më të mëdhenj. Në drejtimin e kundërt, ne eksportojmë mallra në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. Për një kryeministër që i pëlqejnë shifrat, ky nuk është bilanc tregtar. Është një listë detyrash për t’u kryer.
Dua të jem shumë i qartë: synimi ynë nuk është të blejmë më pak nga Polonia. Synimi ynë është t’i shesim më shumë Polonisë.
Në fushën e shërbimeve, pamja është tashmë më e mirë. Eksporti i shërbimeve tona drejt Polonisë arriti në 23.5 milionë euro në vitin 2024, katër herë më shumë se në vitin 2020. Ndërsa në të gjitha tregjet, Kosova eksportoi vitin e kaluar shërbime kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit në vlerë prej gati 400 milionë eurosh. Kompanive tona të teknologjisë nuk u nevojiten kamionë, kontejnerë apo terminale doganore. Ato kanë nevojë për partnerë të mirë. Shpresoj që disa prej tyre të jenë të gatshëm në këtë sallë.
Ky forum përqendrohet në tri fusha: ekonominë digjitale dhe qeverisjen digjitale; mbrojtjen, sigurinë dhe teknologjitë e sigurisë kibernetike; si dhe prodhimin e avancuar, infrastrukturën dhe energjinë. Në secilën prej këtyre fushave, Polonia ka ndërtuar kapacitete të konsiderueshme. Dhe në secilën prej tyre, Kosova ka nevoja konkrete, projekte konkrete dhe një Qeveri që është e gatshme dhe e përgatitur të veprojë.
Kompanive polake u them: faleminderit që keni ardhur. Kosova mund të jetë partneri juaj në prodhim, teknologji dhe investime në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. Jemi afër tregut të BE-së, përdorim euron dhe kemi fuqi punëtore të re, të kualifikuar dhe shumëgjuhëshe.
Kompanive kosovare u them: ju keni dëshmuar shumë herë se mund të përmbushni kërkesat e tregjeve më kërkuese. Shfrytëzojini mirë këto dy ditë. Dhe mos u largoni nga ky forum pa zhvilluar të paktën një ose dy takime që nuk i kishit planifikuar paraprakisht.
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni të them disa fjalë për mbrojtjen, meqë ky forum bashkorganizohet me Dhomën Polake të Industrisë së Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë. Dhoma u themelua në mars të këtij viti. Më pak se tetë muaj më vonë, ajo po udhëheq një mision biznesor drejt Kosovës. Zyrat e prokurimit kudo në botë vetëm mund të ëndërrojnë për një shpejtësi të tillë.
Polonia e kupton më mirë se shumica se siguria nuk është kosto. Ajo është kusht për gjithçka tjetër. Vitin e kaluar, Polonia shpenzoi 4.3 % të BPV-së së saj për mbrojtjen, pjesën më të lartë në NATO. Buxheti i këtij viti parasheh 4.8 %.
Kosova është në të njëjtën rrugë, natyrisht në përmasat tona. Gjatë katër vjetëve të ardhshme, do të investojmë më shumë se një miliard euro në mbrojtje. Në Gjakovë kemi ndarë 140 hektarë për një zonë industriale të mbrojtjes. Aty po ndërtohet fabrika jonë e parë e municioneve. Ambiciet tona shkojnë edhe më tej: dronë, robotikë, sisteme autonome dhe teknologji të tjera të avancuara, të prodhuara në Kosovë.
Edhe këtu, nuk duam të fillojmë nga zeroja. Duam të mësojmë nga më të mirët dhe të punojmë me ta: përmes investimeve të përbashkëta, transferimit të teknologjisë dhe njohurive teknike, si dhe krijimit të kapaciteteve të reja prodhuese në Kosovë.
Në vitin 1999, Polonia iu bashkua NATO-s, po atë vit kur NATO-ja erdhi në Kosovë. Që atëherë, ushtarët polakë kanë shërbyer në KFOR. Për më shumë se një çerek shekulli, polakët kanë ardhur në Kosovë me uniformë, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë. Sot, shumë prej jush kanë ardhur me kostume, për të ndihmuar në ndërtimin e një mirëqenieje gjithnjë e më të madhe. Të dyja janë shumë të mirëpritura. Por e dyta është dëshmia më e mirë se e para ka pasur sukses.
E ardhmja e Kosovës, sikurse ajo e Polonisë, është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe Polonia është dëshmia më e mirë që njohim se ky rrugëtim ia vlen çdo përpjekje.
Të dashur miq,
Qeveritë mund t’i hapin dyert. Vetëm kompanitë mund të kalojnë nëpër to. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë t’i hapë dyert dhe të krijojë kushtet që marrëdhëniet tona ekonomike të zhvillohen.
Prandaj, dëshira ime për këtë forum është e thjeshtë: që deri në takimin tonë të katërt, shifrat e tregtisë që i përmenda sot të jenë tashmë të vjetruara. Në drejtimin e duhur.
Ju faleminderit, dziękuję bardzo, ju faleminderit shumë dhe ju uroj një forum të suksesshëm dhe frytdhënës!