Prishtinë, 18 nëntor 2026
E nderuara Ambasadore e Zvicrës në Kosovë, znj. Anne-Lise Cattin Hennin,
I nderuar Zëvendësministër i Sportit dhe Rinisë, z. Sejnur Veshal
I nderuari Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mosdiskriminim, z. Habit Hajredini,
I nderuari Drejtor Ekzekutiv, Roma Versitas Kosova, z. Avni Mustafa,
I nderuar Shef i Zyrës Terre Des Hommes në Kosovë, z. Pajtim Zeqiri
Të nderuar përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe rajoni.
Të nderuar të pranishëm, të dashur qytetarë,
Jam i lumtur të marr pjesë sërish në hapjen e Samitit Kundër Diskriminimit Racor, një ngjarje tashmë tradicionale, që vit pas viti bashkon përfaqësuesit e institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, komuniteteve nga Kosova dhe rajoni, me qëllim të përbashkët parandalimin dhe luftimin e diskriminimit racor.
Ky Samit është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për barazi, drejtësi dhe dinjitet njerëzor, por edhe për angazhim të pandërprerë, që vetëm sa shtohet, meqenëse barazia nuk arrihet njëherë e përgjithmonë. Ajo ndërtohet, mbrohet dhe avancohet përditë.
Të dashur të pranishëm,
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe e shoqërisë sonë. Kontributi i tyre, krahas së kaluarës së Kosovës, është edhe pjesë e së tashmes dhe e të ardhmes së Republikës sonë.
Përfshirja e komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe e detyrave të shtetit, jo e privilegjit apo favorizimit që mund t’i ofrohet dikujt. Sepse të drejtat nuk dhurohen. Ato i takojnë secilit dhe ato garantohen. Mundësitë nuk duhet të rezervohen për disa. Ato duhet të krijohen dhe ruhen për të gjithë.
Gjatë qeverisjes sonë kemi punuar që barazia të mos mbetet vetëm një parim kushtetues në letër dhe në ligje, por të jetësohet përditë në shkolla, në vendet e punës, në institucione dhe në familjet e qytetarëve tanë. Diskriminimi luftohet duke i hequr pengesat që prodhojnë pabarazi dhe duke krijuar kushte që secili qytetar ta realizojë potencialin e vet.
Mbase dëshmia më e mirë që po luftojmë për barazinë e të gjithëve është zvogëlimi i pabarazisë përditë. Andaj, në kuadër të përkushtimit tonë politik dhe institucional, kemi ndërmarrë jo pak veprime konkrete.
Sipas raportit mbi zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në Republikën e Kosovës në vitet 2022 – 2026, mbi 80% e aktiviteteve janë përmbushur plotësisht, 11% pjesërisht dhe vetëm 9% mbeten ende për t’u realizuar.
Të nderuar pjesëmarrës,
Arsimi është një ndër instrumentet më të fuqishme për ta luftuar pabarazinë. Sepse aty ku mungon arsimi, kufizohen mundësitë. E aty ku kufizohen mundësitë, pabarazia rrezikon të trashëgohet nga një brez te tjetri. Ne duam ta ndërpresim këtë cikël. Dy motorët kryesorë të pabarazisë në shoqëri, janë trashëgimia e pabarabartë dhe mundësitë e pabarabarta për arsim.
Për vitin akademik 2025-2026 kemi ndarë 477 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë të përgjithshme prej 190 mijë e 800 euro. Vlera e bursës për nxënës është rritur nga 300 në 400 euro për vit mësimor. Ndërsa për vitin shkollor aktual, 2026-2027, janë ndarë 494 bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu, kemi vazhduar dhe kemi rritur mbështetjen financiare për qendrat mësimore, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në përfshirjen dhe suksesin e fëmijëve në arsim.
Për 10 organizata joqeveritare që gjithsej i menaxhojnë 54 qendra mësimore, kemi rritur buxhetin në 370 mijë euro, nga 250 mijë sa ishin ndarë më parë. Përmes këtyre qendrave, gjatë vitit shkollor të tanishëm 2026-2027, mbi 2 mijë e 600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian do të përfitojnë mbështetje për mësimnxënie, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Sepse ne besojmë se asnjë fëmijë nuk duhet ta ketë të ardhmen e kufizuar, për shkak të rrethanave në të cilat ka lindur apo edhe jeton.
Njëkohësisht, kemi hartuar draft-materialet mësimore për historinë, kulturën dhe traditat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, dhe po punojmë për finalizimin e tyre. Gjithashtu, planifikohet rishikimi i programeve mësimore të gjuhës rome, i cili do të pasohet me përgatitjen dhe botimin e teksteve të reja dhe të materialeve plotësuese. Sepse krahas mësimeve për botën, shkolla duhet të jetë edhe vendi ku nxënësit e njohin veten, historinë, gjuhën dhe kulturën e tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Është e pamundur të flasim për barazi të mundësive pa folur edhe për kushtet e jetesës. Një fëmijë ka nevojë për shkollë cilësore, por ka nevojë edhe për një shtëpi të sigurt ku mund të mësojë. Prandaj, banimin e konsiderojmë jo vetëm nevojë sociale, por edhe të drejtë themelore dhe parakusht për mirëqenie, siguri dhe integrim.
Në këtë drejtim, përmes Programit për Banimin Social Adekuat dhe Programit të Banimit të Përballueshëm, po krijojmë mundësi më të mëdha për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Kemi ndarë rreth 37 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale, si dhe për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të familjeve të cenueshme, përfshirë këtu natyrisht familjet nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Sepse shtëpia është siguri për familjen, stabilitet për prindërit dhe mundësi për fëmijët. Është vendi ku ndërtohet e përditshmja dhe ku planifikohet e ardhmja. Dhe ne duam që kjo e ardhme të jetë më e sigurt, më e dinjitetshme dhe më e barabartë për të gjithë.
Të dashur miq,
Luftimi i diskriminimit racor është përgjegjësi e përbashkët, sepse diskriminimi ka pasoja për komunitetet, por edhe për shoqërinë dhe shtetin.
E derisa arsimi krijon mundësi, punësimi krijon pavarësi, pavarësinë ekonomike, dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Prandaj, përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në tregun e punës ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet tona.
Për punësim, kemi krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Kemi bashkëpunuar me Policinë, duke organizuar ditë të hapura, për të inkurajuar komunitetet jo shumicë të bëhen pjesë e institucioneve të sigurisë, posaçërisht të rinjtë. Është rritur numri i të punësuarve në Policinë e Kosovës. Që nga viti 2022, kur është themeluar ekipi ndërinstitucional, janë shtuar 37 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke çuar, kësisoj, në 70 numrin e të punësuarve në Policinë e Kosovës.
Ata kanë edhe pozita e detyra të rëndësishme. Në Policinë e Kosovës, të zëmë, kemi një major nga komuniteti rom, një toger nga komunitetet ashkali dhe egjiptian, një kapiten nga komuniteti ashkali, kurse rreshterë janë dy nga komuniteti rom, dy nga ai egjiptian dhe tre nga ai ashkali.
Ndërkaq, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, janë të punësuar 25 pjesëtarë të komunitetit ashkali, 10 të komunitetit egjiptian dhe 2 të komunitetit rom.
Ndërkaq, në Qeverinë që e drejtoj unë, përveç Sejnurit që është zëvendësministër, kemi një ministër dhe dy zëvendësministra të tjerë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Kur një qytetari i mohohet një mundësi për shkak të përkatësisë së tij, shoqëria, të nderuar të pranishëm, humb një potencial. Kur një fëmijë përjashtohet, shoqëria humb një mundësi për të ardhmen. Kur një komunitet margjinalizohet, demokracia dobësohet. Pra, përfshirja, pjesëmarrja, pjesëmarrja në vendimmarrje, nuk janë vetëm çështje e së drejtës, por janë gjithashtu edhe çështje e dobisë shoqërore.
Për këtë qëllim, kemi krijuar Platformën Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian RaportoDiskriminim.org, përmes së cilës qytetarët mund të raportojnë raste të diskriminimit, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe refuzimin diskriminues të shërbimeve.
Deri më tani, përmes kësaj platforme janë raportuar 80 raste të diskriminimit, të cilat referohen për trajtim tek institucionet kompetente, sipas natyrës së rastit dhe bazës ligjore. Nga totali, 42 raste të trajtuara deri tani, dhe 7 janë akoma në procedura përkatëse, përfshirë gjykatat. Po ashtu, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, deri më tani janë trajnuar 856 zyrtarë publikë, përfshirë edhe gazetarë, me qëllim të rritjes së njohurive dhe ndërgjegjësimit mbi format e manifestimit të antigjipsizmit, identifikimin e tij dhe parandalimin e praktikave diskriminuese ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Duam që secili qytetar ta dijë se, kur përballet me diskriminim, nuk është vetëm. Se ka institucione ku mund të drejtohet, mekanizma përmes të cilëve mund të kërkojë mbrojtje dhe shtet, i cili e ka detyrim ta trajtojë me dinjitet dhe barazi çdonjërin, pa përjashtuar asnjërin.
Sepse në Republikën tonë nuk ka vend për diskriminim, e as hapësirë për pandëshkueshmëri.
Përveç për të treguar sfidat, zëri i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është posaçërisht i rëndësishëm kur marrim vendime dhe hartojmë politika, sepse përfshirja është mënyra se si ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.
Ne jemi bashkë, por jemi bashkë jo vetëm në zbatim dhe në respektim, por jemi bashkë edhe në planifikim e në përgatitje.
Ju falënderoj të gjithëve për angazhimin, për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm. Ju uroj një samit të suksesshëm dhe diskutime sa më të frytshme.
Faleminderit!