Prishtinë, 16 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen zyrtare të edicionit të 14-të të Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW2026), organizuar nga Qendra e Kosovës për Inovacion (ICK) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se ndërmarrësia nuk është vetëm ekonomi, por edhe mundësia që njeriu të jetojë nga dija dhe puna e vet.
“Jemi duke ecur e përparuar mirë si shtet. Në dhjetë vitet e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese. Vitin e kaluar, eksporti ynë i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë apo me një rritje, që është sa trefishi i rritjes së Bruto Produktit Vendor”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se qëllimi për vitet e ardhshme është një ekonomi që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon vlerë më të lartë, teksa shtoi se një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë.
“Inovacioni dhe teknologjia, padyshim se do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, pra sa më efikase, sa më pak kohë, sa më shumë produktivitet dhe zhvillimin e prodhimeve e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar e me potencial eksportues”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se për këtë qëllim, do të funksionalizohet Agjencia për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe do të themelohet Fondi për Inovacion, për të mbështetur idetë inovative, startup-et, investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D), digjitalizimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Kryeministri Kurti theksoi se do të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve hulumtuese dhe sektorit privat për shndërrimin e njohurive shkencore në produkte dhe shërbime konkrete, ndërkaq ndërmarrësit inovativë do të mbështeten përmes programeve të inkubimit dhe përshpejtimit, mentorimit, qasjes në financim dhe lidhjes me investitorë e tregje ndërkombëtare.
Ai tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe integrimit më të avancuar të Kosovës në programet dhe rrjetet evropiane të kërkimit dhe të inovacionit. Përkitazi me këtë, kryeministri, theksoi faktin se nga rreth 18 mijë bursa të cilat kanë pasur shumën e gjithmbarshme rreth 20 milionë euro në mandatin e kaluar, mbi 40 për qind kanë qenë për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), dhe atë mbi 90 për qind për vajzat studente.
“Pra, investimi në dije, arsimim, sidomos në shkenca, e posaçërisht për vajzat dhe për gratë, është investimi që e ka kthimin më të madh në vendin tonë”, u shpreh ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar përfaqësues të Qendrës së Kosovës për Inovacion, znj. Dorina Grezda, z. Uranik Begu, znj. Qavolli,
Të nderuar ndërmarrës, investitorë dhe përfaqësues të sektorit privat, znj. Ujkani, z. Cahani, z. Maloku,
I nderuar Dekan i FIEK-ut dhe drejtor i ATK-së, të nderuar përfaqësues të tjerë të institucioneve të shtetit,
I nderuar z. Lila, nikoqir i këtij eventi,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Në botën e startup-eve thuhet se një ide e mirë duhet të shpjegohet për aq kohë apo aq gjatë sa zgjat një udhëtim me ashensor. Shpejt, thjeshtë dhe qartë.
Unë dua t’ju flas për fjalën më të shkurtër dhe më ndërmarrëse, të cilën e njoh. Nuk është fjala “startup”, as “inovacion”, por është fjala “pse?”. Pra, “pse?”, një fjalë, e cila e nënkupton pyetjen, që është thelbi i secilës pyetje, fjalë gjenerike, por jetike. Kushdo, i cili ka fëmijë e dinë që sa herë shtrohet pyetja “pse?”, atëherë e gjithë familja organizohet rreth fëmijës që posa e bëri këtë pyetje. Por, besoj që përveç që e dini, se çfarë ndodhë kur fëmija pyet “pse?”, njëkohësisht jemi të gjithë të vetëdijshëm që ata e bëjnë këtë pyetje edhe më shpesh se gazetarët.
Natyrisht, kjo lind nga kureshtja për me njohtë botën, e kjo kureshtje është e ndërlidhur me pasionin që kërkon objekt dhe në mungesë të përgjigjes për shumë “pse?”, shumë gjëra pastaj janë marrë si të mirëqena apo, siç thuhet, “kështu ka qenë gjithmonë”.
Edhe zhvillohemi më pak kur pyesim më pak “pse?”, por njëkohësisht edhe nuk jemi mjaftueshëm mirënjohës për atë që tashmë ka ndodhur atëherë kur pyesim më rrallë “pse?”.
Para më shumë se dhjetë vitesh, një i ri në Kosovë ka pyetur: Pse Kosova nuk e ka një motor kërkimi (e keni parasysh që po përkthejnë live), që e kupton mirë gjuhën shqipe? Do me thënë edhe neve na duhet në gjuhën shqipe një motor kërkimi. Pse nuk e kemi një të tillë? Përgjigjja e zakonshme do të ishte: po ekziston Google. Çka na duhet një motor kërkimi në gjuhën shqipe? Po, kështu nuk ishte për Mërgim Cahanin dhe ai nuk u ndal te ky shfajësim, por pyetjes “pse?” u mundua t’i jap përgjigje. Dhe, kur pa se shumë nga ato që njerëzit kërkonin, bile edhe deri tek orari i autobusëve, që nuk gjendeshin fare në internet, ai nuk ka pritur që ato t’i vendosë dikush tjetër. Por, i ka vendosë vet dhe kështu nisi “Gjirafa”, të cilën duhet ta shpjegojmë që është një kafshë në Afrikë, sepse njerëzit mund të mendojnë që është veçse një kompani.
Kjo pra është ndërmarrësia. Një pyetje e guximshme që merr përgjigjen e saktë, të paraprirë nga vendimi për të mos pritur. Pra, një vendosmëri për t’u përgjigjur, një mungesë frike ndaj pyetjes dhe, natyrisht vendim për të mos pritur, për të mos e lënë një gjë më vonë. Nëse mund ta bëjmë sot, duhet ta kishim bërë qysh dje, e jo të themi, e bëjmë nesër.
Pse ka rëndësi kjo për një qeveri? Ndërmarrësia nuk është veç ekonomi, por është edhe mundësia që njeriu të jetojë nga dija dhe puna e vet. Sigurisht, ndërmarrësia ndonëse është krijim individual ose grupor, e ka të domosdoshme një enë adekuate për t’u zhvilluar. Kjo enë është shoqëria e hapur dhe shteti i fortë. Jo rastësisht inovacioni dhe shkenca ecin krahas zhvillimit si shtet e si shoqëri.
Ne e dimë që prindërit dhe gjyshërit tanë e kanë bërë këtë pa inkubatorë, pa kredi, pa një shtet që i mbështeste, e shumë shpesh edhe përkundër shtetit që i luftonte. Ne nuk duam që brezi i ri të ketë nevojë për të njëjtin heroizëm. Duam që ata t’i kenë kushtet.
Dhe, jemi duke ecur e përparuar mirë si shtet. Në dhjetë vitet e fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 118 mijë biznese. Vitin e kaluar, eksporti ynë i shërbimeve kompjuterike, informative dhe telekomunikuese arriti rreth 400 milionë euro, 14 për qind më shumë se një vit më parë apo me një rritje që është sa trefishi i rritjes së Bruto Produktit Vendor.
Kjo është më shumë se dy të pestat e vlerës së përgjithshme të të gjitha mallrave që eksportuam. 40 për qind janë shërbime të tilla pra. Pa asnjë kamion, pa asnjë kontejner dhe pa asnjë pikë doganore. E kjo do të mundet vetëm të rritet për shkak të ndërmarrësisë, që jemi dëshmitarë, sepse jetojmë e përjetojmë, por edhe për shkak të marrëveshjes EFTA që ka hyrë në fuqi së fundmi, më 1 tetor, e është nënshkruar në janar të vitit 2025, që jo vetëm mallrat, por edhe shërbimet të mund të eksportohen në shtetet e EFTA-s, pra Zvicër, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Islandë.
Një ekipi në Prizren apo një grupi ‘’zhvilluesish’’ në Pejë nuk ju duhet një fabrikë për të punuar për klientë në Gjermani apo në Zvicër. Krejt çfarë u duhet është dija, idetë konkrete dhe ekipi i mirë.
Kemi edhe popullsinë më të re në Evropë me moshë mesatare 35 vjeç. Kjo do të thotë që më shumë ide dhe, natyrisht, edhe më shumë mendime se si duhet të punojnë e ndihmojnë edhe shteti edhe qeveria. Rinia jonë është e talentuar, energjike dhe di shumë gjuhë, që do të thotë se është tejet e avancuar pikërisht për kohën ku jetojmë.
Andaj, është e drejtë edhe e nevojshme që qytetarët të pyesin: pse e bën Qeveria atë që bën? Së pari, Qeveria, le ta sqarojmë, nuk e krijon pasurinë. Pasurinë e krijoni ju. Detyra jonë është të krijojmë kushtet për rritje të saj dhe t’i heqim pengesat nga rruga juaj.
Pse po i digjitalizojmë shërbimet? Sepse koha është kapitali i parë i çdo ndërmarrësi. Askush nuk ka ndërtuar ndonjëherë një kompani të suksesshme duke pritur në radhë te sporteli. Pra, koha është resursi i parë dhe më i vlefshëm.
Pse insistojmë në sundimin e ligjit, në konkurrencë të drejtë dhe në zero tolerancë ndaj korrupsionit? Sepse për bindjen tonë të fuqishme, të dëshmuar edhe nga praktika, ndërmarrësia lulëzon vetëm aty ku suksesi varet nga cilësia e idesë, e jo nga njohjet e duhura të individëve për të depërtuar dikush ndokund. Për ne, kjo nuk është veç politikë ekonomike. Pa drejtësi e shtet të barabartë nuk zhvillohet inovacioni, por vetëm, le ta quajmë, zhdërvjelltësia. Jo aftësia për të qenë zbulues, por për të qenë thjeshtë depërtues.
Pse punojmë për financim më të qasshëm? Sepse talenti është i shpërndarë kudo, e kapitali megjithatë jo. Një ide e mirë nuk duhet të mbetet në sirtar vetëm sepse themeluesi i saj nuk e ka një shtëpi apo tokë për ta lënë hipotekë në bankë.
Kjo nuk është kritikë z. Maloku, është ftesë. Dhe më gëzon që e pash që të premten në program, NLB-ja dhe ICK-ja ulen bashkë për financimin e startup-eve.
Pse flasim kaq shpesh ne për gratë në ekonomi? Sepse mbi 300 mijë gra mbeten ende jashtë tregut të punës në Republikën e Kosovës. Kemi bërë shumë politika që janë treguar efikase për të zbutur këtë hendek e pabarazi, por natyrisht kemi edhe më shumë për të bërë. Vetëm bashkë e duke synuar barazinë do të mund të ecim përpara edhe si individë. Sepse, e keni parasysh, një numër tejet i madh i grave në Kosovë nuk e raportojnë vetën si të papuna, edhe rrjedhimisht përveçse mbeten të papuna bëhen të papunësuseshme, sepse je i papunë vetëm atëherë kur je aktivisht i papunë, pra kur lajmërohesh. Dhe, nuk figurojnë gratë që janë shumë të papuna për shkak se ato figurojnë si ekonomikisht joaktive. E ne e kemi të domosdoshme që të punësojmë sa më shumë gra në vitet në vijim, prandaj edhe atë programin SuperPuna për të Rinjtë tash do ta bëjmë SuperPuna për Gratë.
Pse e shohim diasporën si partnere? Sepse ajo sjell më shumë remitenca. Sjell përvojën e vendeve më të zhvilluara, standardet më të larta, por dhe tregjet evropiane e ndërkombëtare, po ashtu.
Dhe pse e nisim nga shkolla? Sepse shumë nga profesionet e fëmijëve tanë ende nuk ekzistojnë. Pra kur të rriten ata do të kenë profesione që sot ne nuk i kemi as në imagjinatën tonë, se lerë më në realitetin tonë.
Nuk mund t’i përgatisim për to me përgjigje të gatshme. Mund t’i përgatisim vetëm duke ruajtur te ta kureshtjen e secilit fëmijë, guximin për të provuar dhe qetësinë përpara gabimit.
Qëllimi ynë për vitet e ardhshme është një ekonomi që prodhon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon vlerë më të lartë. Një ide e lindur në Kosovë duhet të ketë mundësi të rritet këtu dhe të dalë prej këtu në botë.
Inovacioni dhe teknologjia, padyshim që do të jenë në qendër të zhvillimit ekonomik të Kosovës, me synim krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, pra sa më efikase, sa më pak kohë, sa më shumë produktivitet dhe zhvillimin e prodhimeve e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar e me potencial eksportues. Për këtë qëllim, do të funksionalizohet Agjencia për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe do të themelohet Fondi për Inovacion, për të mbështetur idetë inovative, startup-et, investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D), digjitalizim dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.
Do të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve hulumtuese dhe sektorit privat për shndërrimin e njohurive shkencore në produkte dhe shërbime konkrete, ndërkaq ndërmarrësit inovativë do të mbështeten përmes programeve të inkubimit dhe përshpejtimit, mentorimit, qasjes në financim dhe lidhjes me investitorë e tregje ndërkombëtare. Vëmendje e posaçme do t’i kushtohet përfshirjes së grave dhe vajzave në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe integrimit më të avancuar të Kosovës në programet dhe rrjetet evropiane të kërkimit dhe të inovacionit.
Nga rreth 18 mijë bursa të cilat kanë pasur shumën e gjithmbarshme rreth 20 milionë euro në mandatin e kaluar, diku mbi 40 për qind kanë qenë për STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë. Dhe aty mbi 90 për qind për vajzat studente. Nëse do ta kisha veçuar ku ka qenë le të themi kthimi më i lartë në kapital karshi investimit në qeverisjen tonë, kanë qenë bursat STEM. Sot 50 për qind të studentëve në fakultetet, universitetet e kolegjet e Kosovës, që studiojnë në STEM janë vajza e gra, për dallim, 17 për qind është mesatarja në Bashkimin Evropian. Është kthim i jashtëzakonshëm. Pra, investimi në dije, arsimim, sidomos në shkenca, e posaçërisht për vajzat edhe për gratë, është investimi që e ka kthimin më të madh në vendin tonë.
Të dashur pjesëmarrës,
Kjo javë ka shumë rëndësi. Java Botërore e Ndërmarrësisë ka nisur në vitin 2008 në 77 vende, dhe vitin e kaluar i ka numëruar mbi 50 mijë aktivitete në 200 vende. Kosova iu bashkua në vitin 2013, falë Qendrës së Kosovës për Inovacion, e cila që nga viti 2012 ka qenë shtëpia e parë e qindra startup-eve kosovare. U jemi përjetë mirënjohës për këtë punë me sukses të pamatshëm, pavarësisht shifrave që përmenden.
Këtë vit, programi shkon nga Prishtina në Mitrovicë e në Brezovicë, deri te një hackathon tre-ditor për teknologjinë e mbrojtjes. Dhe ky është i vetmi rast kur jemi të lumtur, le ta themi qartë, kur dikush hakon brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndoshta dikush prej juve është edhe sot këtu, tash më duhet të shikoj se si po më shikoni, dhe ndoshta edhe keni ide të cilat nuk ia keni treguar ende askujt. Dikush që ka provuar e ka dështuar e pyet veten nëse ia vlen të provojë sërish. Por, mos prisni asnjëherë momentin e përsosur, sepse ai nuk vjen, tek ai shkohet përkundër pa përsosmërisë së tij arrihen sukseset e përbashkëta. Sepse asnjë sukses nuk është veç i yti, pavarësisht se ka autorë e protagonist e nënshkrim, është sukses që ndahet me të tjerët, sepse jemi njerëz të shoqërisë e në shoqëri.
Andaj, të nderuar të pranishëm,
Uroj që këtë javë të keni sa më shumë njerëz të rinj, ide të reja dhe partnerë për të ndërtuar diçka gjithsesi së bashku. Pra, konkurrencës t’ia bashkëngjitni bashkëpunimin, dhe mos e humbni kurrë atë kureshtjen për të pyetur pse. Pyeteni veten. Pyeteni tregun. Na pyesni edhe ne. Ne do të përpiqemi t’ju përgjigjemi me punë. E nëse përgjigjja nuk ju pëlqen, atëherë bëni atë që ndërmarrësit e bëjnë më së miri: niseni dhe ndërtojeni një edhe më të mirë.
Të ardhmen padyshim që nuk e importojmë dot. E krijojmë këtu, së bashku.
Ju përgëzoj për organizimin, punën e kontributin, dhe ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen.




















