Paris, 11 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua në Paris me ekonomistin e njohur, profesorin Philippe Aghion.
Profesori Aghion, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Ekonomi në vitin 2025, njihet për qasjen e tij që ndërthurë mbështetjen e inovacionit si nxitës të zhvillimit ekonomik me promovimin e politikave që ofrojnë mbrojtje sociale, duke u mbështetur në parimin e mbrojtjes së njerëzve, në vend të ruajtjes së vendeve të caktuara të punës nga ndryshimet ekonomike.
I njohur si një ndër ekonomistët më të shquar bashkëkohorë, profesori Aghion aktualisht ligjëron në Collège de France, INSEAD dhe London School of Economics and Political Science (LSE), ndërsa një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij akademike e ka kaluar në Universitetin e Harvardit dhe në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT).
Ndër tema të tjera, gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe profesori Aghion diskutuan për rritjen ekonomike në Kosovë dhe sektorët me potencialin më të madh për zhvillim, veçanërisht sektorin e teknologjisë, i cili përbën 6% të Bruto Produktit Vendor dhe vazhdon të shënojë rritje. Po ashtu, diskutuan për inovacionin në Evropë, mundësitë dhe sfidat që sjellë zhvillimi i inteligjencës artificiale, rolin e qeverive në mbrojtjen e punëtorëve dhe zhvillimin e aftësive profesionale, si dhe për tranzicionin energjetik.
Një temë e veçantë e diskutimit ishte edhe sistemi i arsimit dual në Kosovë, i frymëzuar nga modelet e Gjermanisë dhe Zvicrës. Profesori Aghion vlerësoi pozitivisht politikën e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin dhe zbatimin e këtij sistemi, i cili ndërlidh arsimin profesional me përvojën praktike në vendin e punës.






