Kryeministri Kurti takohet me personalitete të Francës që kanë kontribuuar për Kosovën

Paris, 9 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, ka takuar personalitete të Francës, që në forma të ndryshme janë të lidhur ose kanë kontribuuar për vendin tonë.

Pjesë e takimit ishin Alain Richard, ish-ministër i Mbrojtjes dhe mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur krimet e luftës dhe spastrimin eknik ndaj shqiptarëve të Kosovës nga aparati shtetëror i Serbisë më 1999; Gilles Pernet, oficer i ushtrisë dhe ish-administrator i lartë në Departamentin e Çështjeve Strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes, bashkautor i librit “Kosovo: récits sur la construction d’un État”, me Sébastien Gricourt, mikun e çmuar dhe përkrahësin e madh të Republikës sonë; Véronique Nahoum-Grappe, antropologe dhe studiuese, kërkimet e së cilës janë të përqëndruara te dhuna seksuale në luftra e konflikte, e cila ka qenë e angazhuar për Kosovën që nga vitet e ’90-ta dhe është autore e librit, “Kosovo: un drame annoncé”. Ajo është e bija e filozofit dhe sociologut të famshëm Edgar Morin; Frédérique Duversin, drejtore e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, përkrahëse e popullit dhe shtetit tonë që nga dekada e fundit të shekullit të kaluar, sikurse promovuese e kulturës e mbështetëse e  studentëve e artistëve tanë dhe artit e kulturës sonë; Florence Hartmann, gazetare dhe ish-korrespondente e Le Monde, njohëse e drejtësisë ndërkombëtare dhe e Ballkanit Perndimor, këshilltare dhe zëdhënëse e ish-kryepokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë. Autore e disa librave, përfshirë atë “Milosevic, la diagonale du fou”.

“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, kryeministri Kurti foli edhe për planet në mandatin e ri qeverisës dhe për rolin e rëndësishëm të Francës në rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors