Prishtinë, 6 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të, të Policisë së Kosovës, në radhët e së cilës diplomuan 118 gra dhe 279 burra.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se rëndësia e Policisë së Kosovës na dëshmon se ajo është më tepër sesa një institucion i rendit dhe ligjit, derisa theksoi se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm, duhet të mbeten përherë prioritet.
“Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet e Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal, le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj. Secilën ditë, mos harroni, por i nderoni dhe i kujtoni edhe jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymeri, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ata janë busulla e cila orienton angazhimin dhe përkushtimin tuaj.
Teksa ofroi përkrahjen e Qeverisë, kryeministri tha se mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht shumë më lartë dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparme, me buxhet të alokuar dhe jo vetëm.
Në këtë ceremoni, ai kujtoi se pesë vitet e fundit, përveçse është shtuar buxheti për Policinë e Kosovës për mbi 50 për qind, i kemi 20 stacione, objekte dhe baza policore që janë ngritur dhe forcuar në të gjithë veriun e vendit tonë. “Policia e rendit është pajisur me armë të gjata të cilat më herët mungonin, dhe automjete e autoblinda të reja me vlerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri të Ibrit dhe angazhimi i Policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut”.
Duke përgëzuar të diplomuarit të gjeneratës së 63-të, kryeministri u tha atyre se nga sot, nuk do të jenë më kadetë, por udhëheqësit e të ardhmes së Policisë sonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,
I nderuar zëvendësministër, z. Enver Dugolli,
I nderuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti,
I nderuar Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,
Të nderuar kolegë nga kabineti qeveritar dhe Kuvendi i republikës,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit, z. Zejnullah Gashi,
Të nderuar përfaqësues të tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe të organizatave partnere,
I nderuari Kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës, z. Kushtrim Hodaj,
Të nderuar komandantë, togerë e zyrtarë të Policisë së Kosovës,
Të dashur kadete e kadetë, bashkë me miq familjarë e dashamirë tuaj,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj
Motra dhe vëllezër,
Rëndësia e Policisë së Kosovës na dëshmon se ajo është më tepër sesa një institucion i rendit dhe ligjit. Të jesh police apo polic është nder dhe duhet trajtuar me dinjitet dhe seriozitet. Përfaqësimi i këtij institucioni është prej përgjegjësive më të larta e cila mund dhe duhet t’ju besohet juve. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm, duhet të mbeten përherë prioritet.
E virtytet, ideali dhe disiplina sigurisht që u janë forcuar. Gjatë kësaj periudhe, ju keni kaluar në faza të provave, sfidave e të mënyrave sesi duhet qasur secila situatë dhe menaxhuar çdo detyrë. Asnjëherë mos i harroni mësimet dhe udhëzimet të cilat do t’ju udhëheqin gjatë mandatit e shërbimit tuaj.
Në këtë gjeneratë të 63-të, po diplomoni gjithsej 397 kadetë, prej tyre 118 gra dhe 279 burra. Pothuajse pra çdo e treta prej pjesëtarëve është grua. Është lajm i mirë edhe në këtë gjeneratë aplikimi dhe diplomimi në numër të konsiderueshëm.
Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet e Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal, le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj. Secilën ditë, mos harroni, por i nderoni dhe i kujtoni edhe jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymeri, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës.
Ata janë busulla e cila orienton angazhimin dhe përkushtimin tuaj. Mes jush gjenden edhe dy djemtë e heronjve tanë, Sokol Zymeri dhe Jetlum Bunjaku. Në gjurmët e prindërve të tyre, ata do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e rendit dhe zbatimit të ligjit, sepse vetëm kësisoj e fuqizojmë Republikën e Kosovës dhe sigurinë e paqen për të gjithë.
Qeverinë tonë do ta keni përherë, përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht shumë më lartë dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparme, me buxhet të alokuar dhe jo vetëm.
Në pesë vitet e fundit, përveçse është shtuar buxheti për Policinë e Kosovës për mbi 50 për qind, i kemi 20 stacione, objekte dhe baza policore që janë ngritur dhe forcuar në të gjithë veriun e vendit tonë. Policia e rendit është pajisur me armë të gjata të cilat më herët mungonin, dhe automjete e autoblinda të reja me vlerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri të Ibrit dhe angazhimi i Policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Arritjet janë të shumta, por me ato nuk duhet, nuk bën të vetë mjaftohemi. Ka ende shumë punë, shumë objektiva të cilat duhet t’i arrijmë si institucione, si polici dhe shoqëri. Kontributi dhe disiplina juaj janë të domosdoshme, krahas angazhimit në çdo rrethanë e çast, orë, minutë dhe sekondë.
Gjatë shërbimit sigurisht se do të ngarkoheni me detyra çdo herë e më të vështira dhe sfiduese, si dhe vlera të larta të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo hap. E nga sot, ju nuk do të jeni më kadetë, por udhëheqësit e të ardhmes së Policisë sonë.
Urime dhe ju faleminderit!

























