Prishtinë, 6 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Grupit të Bankës Botërore për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se shtylla e parë e programit qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese. Prandaj, theksoi ai, nisja e projektit për zhvillimin e parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin strategjik të Qeverisë dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të zhvillohet industria dhe ekonomia e Republikës së Kosovës në vitet në vijim.
Më tej, kryeministri Kurti tha se gjatë viteve të fundit, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme.
“Bruto Produkti Vendor është rritur përafërsisht e mesatarisht me nga 1 miliard euro në vit, ndërkohë që më herët nevojiteshin 3 vjet për një rritje të tillë. E në të njëjtën periudhë pra, gjatë këtyre 5 viteve të fundit, mbi 85 mijë vende të reja të punës janë krijuar, eksportet e shërbimeve gati janë trefishuar, ndërkaq investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti, po ashtu, tha se përkundër rritjes ekonomike dhe rritjes së eksportit që kemi shënuar, deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë, e për këtë theksoi planet dhe angazhimin për zëvendësimin e importit me prodhime vendore dhe ndikimin e parqeve në arritjen e këtij qëllimi.
“Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të qytetarëve, të cilët jetojnë atje”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Mimoza Kusari Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Fitore Pacolli Dalipi, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,
I nderuari kryetar i Komunës Jugore të Mitrovicës, z. Faton Peci,
E nderuar znj. Carole Megevand, Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovë,
I nderuari z. Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë,
Të nderuar zëvendësministra, kolegë nga Qeveria, z. Bunjaku, z. Mehmeti dhe z. Maksuti,
Të nderuar deputetë, kryetarë të asociacioneve, shoqatave të biznesit, përfaqësues të ndërmarrësve tanë, drejtues e përfaqësues të institucioneve tona,
Zonja dhe zotërinj,
Shtylla e parë e programit tonë qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese. Prandaj, nisja e projektit për zhvillimin e parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin tonë strategjik dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të zhvillohet industria dhe ekonomia e Republikës sonë në vitet në vijim.
Gjatë viteve të fundit, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të ndjeshme. Bruto Produkti Vendor është rritur përafërsisht e mesatarisht me nga 1 miliard euro në vit, ndërkohë që më herët nevojiteshin 3 vjet për një rritje të tillë. E në të njëjtën periudhë pra, gjatë këtyre 5 viteve të fundit, mbi 85 mijë vende të reja të punës janë krijuar, eksportet e shërbimeve gati janë trefishuar, ndërkaq investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë vlerën prej 1 miliard eurosh.
Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej 7 miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth 1 miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh.
E ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Ato u ofrojnë bizneseve vendore hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për t’i zgjeruar kapacitetet prodhuese, ndërsa krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë. Për ne është me rëndësi që investimet e tilla të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi për bashkëpunim me furnizuesit vendorë.
Në tërheqjen e këtyre investimeve, mërgata jonë ka një rol të posaçëm. Në Gjermani, Zvicër, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera, kemi shumë ndërmarrës me origjinë nga Kosova që kanë ndërtuar biznese të suksesshme dhe që mund të bëhen urë lidhëse mes ekonomisë sonë dhe tregjeve ndërkombëtare. Ata mund të sjellin në Kosovë jo vetëm kapitalin dhe përvojën e tyre, por edhe partnerët e tyre të biznesit dhe rrjetet e bashkëpunimit.
Kosova ka disa përparësi për investime të tilla. Është pozita e saj gjeografike, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, fuqia punëtore e kualifikuar, rinia shumëgjuhëshe dhe e talentuar, si dhe politika fiskale konkurruese të cilat padyshim që krijojnë kushte të mira për zhvillimin e veprimtarisë prodhuese. E me rritjen e prodhimit vendor, mund të zëvendësojmë një pjesë të mallrave që i importojmë dhe të rrisim eksportin e produkteve tona “Made in Kosova”.
Në këtë frymë, në dialog të vazhdueshëm me sektorin privat dhe prodhuesit vendorë, kemi hartuar edhe Planin Një Miliard Euro për prodhim dhe industri. Ky plan, i hartuar në dialog me bizneset dhe bazuar në nevojat e tyre, synon të lehtësojë financimin e investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike. Së bashku me zhvillimin e parqeve eko-industriale, plani pritet të krijojë kushte më të mira për investime, rritje të prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja gjithnjë e më të mira të punës.
Përveç krijimit të kushteve për investime dhe zgjerim të prodhimit, rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si zhvillohet ky prodhim. Në këtë drejtim, parqet eko-industriale krijojnë mundësi për një industri më moderne, më efikase, me shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe me ndikim më të vogël negativ në mjedis. Ato plotësojnë përpjekjet tona për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për t’i përgatitur bizneset për kërkesat gjithnjë e më të larta në tregun evropian.
Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës, pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të qytetarëve të cilët jetojnë atje.
Në fund, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit me Grupin e Bankës Botërore dhe Bashkimin Evropian për realizimin e projektit të parqeve eko-industriale, si dhe shpreh mirënjohjen tonë për përkrahjen e tyre në këtë proces. Po aq i nevojshëm është edhe koordinimi me komunat, asociacionet e bizneseve dhe të gjithë aktorët e tjerë relevantë. Angazhimi i përbashkët do të sigurojë që këto parqe t’iu përgjigjen nevojave të bizneseve dhe të krijojnë kushte sa më të mira për investime dhe zhvillim ekonomik.
Pres që në katër vitet në vijim të bëjmë së bashku shumë vizita nëpër qytetet e Kosovës dhe t’i shohim këto parqe plotësisht funksionale. Të shohim biznese vendore dhe të huaja që prodhojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre, duke kombinuar konkurrencën me bashkëpunimin, procese prodhimi dhe teknologji moderne që mundësohen nga energjia e prodhuar nga era, uji dhe dielli, në të mirën e gjithmbarshme, si të sektorit privat ashtu edhe të mirëqenies së qytetarëve. Të shohim pra punëtorë me paga gjithnjë më të larta, me kushte përherë e më të mira pune, si dhe fshatra e qytete përreth që i përjetojnë në jetën e tyre këto parqe si burim të prosperitetit që e gëzojnë. Kjo do të jetë dëshmia më e mirë se ky projekt i përbashkët ka dhënë rezultatet për të cilat po punojmë.
Faleminderit, e urime të gjithëve.









