Prishtinë, 5 nëntor 2026
Mirëdita të gjithëve. Ishte mahnitëse t’i shikojmë të gjitha ato aplikacione dhe robotë derisa hymë këtu, por ndoshta është dashur që njëherë t’i kryejmë takimet e pastaj ato, sepse është shumë vështirë me qenë interesant pas asaj çfarë pamë, prej gjithë atyre të rejave e të rinjve të talentuar, për çfarë ju përgëzoj nga zemra.
Të nderuar organizatorë të DOKU.TECH,
E nderuara znj. Teresa Crawford, drejtuese e Bordit të Organizatës The Foundation House,
E nderuara znj. Abetare Gojani, drejtoreshë ekzekutive The Foundation House,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Mbi të gjitha, të nderuar ndërmarrës, profesionistë, studiues e studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi të jem sot këtu me juve, me rastin e hapjes së DOKU.TECH 2026, një ngjarje, e cila ndër vite ka sjellë në vendin tonë, në Kosovën e dashur, ide, përvoja dhe perspektiva të reja për teknologjinë dhe inovacionin.
Tema e sivjetme, “E ardhmja thërret”, është pikërisht ftesa për të vepruar sot. Fakti që themi se e ardhmja thërret, do të thotë që në njëfarë mënyrë ajo tashmë ka ardhur, se kur dikush të thërret, mund të mos e shohësh, por teksa ia dëgjon zërin, është shumë afër dhe do ta shohësh së shpejti. Pra, e ardhmja po nis sot, me vendimet që marrim, me dijen që zhvillojmë dhe me mundësitë e reja, të cilat i krijojmë.
Teknologjia po ndryshon me shpejtësi dhe së bashku me të po krijohen mundësi, që deri para pak vitesh dukeshin të paarritshme për të mos thënë edhe të paimagjinueshme. Për Kosovën, me popullsinë e saj të re dhe talentin tashmë të dëshmuar në teknologji, këto zhvillime padyshim që përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme.
Sektori ynë i Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit, është ndër sektorët më dinamik të ekonomisë. Kemi mbi 2,500 kompani, shumica dërrmuese e të cilëve ofrojnë shërbime për tregjet ndërkombëtare. Që të gjitha ato tashmë me reputacion të dëshmuar dhe me qëndrueshmëri të sigurt. Eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit për katër vjet janë rritur më shumë se pesë fish dhe në kuadër të bruto produktit vendor të shtetit tonë, TIK-u, te sektori, bën pjesë plot 6 për qind. Për dallim e për krahasim, bujqësia është 7 për qind, ndërkaq TIK-u është 6 për qind të bruto produktit vendor.
Pas këtyre shifrave, natyrisht që qëndrojnë mijëra profesionistë dhe ndërmarrës që me dijen, kreativitetin dhe punën e tyre po e zhvillojnë sektorin teknologjik të Kosovës.
Ambicia jonë duhet të jetë që, krahas eksportimit të shërbimeve teknologjike, Kosova të zhvillojë gjithnjë e më shumë produkte, platforma dhe zgjidhje inovative me vlerë të lartë dhe në këtë kuptim të kemi edhe një ekosistem vendor. Pra, jo vetëm të punojmë për të tjerët, ku ne marrim të ardhura, por profiti më i lartë është diku larg e jashtë, por sa më shumë prej qarkullimit të kapitalit, të shënojë edhe akumulim të tij brenda vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Edhe në sektorin publik, teknologjia po ndryshon marrëdhënien e qytetit me shtetin, marrëdhënien e qytetarit me Republikën, andaj këtu në qendër e kemi edhe platformën eKosova, e cila ofron mbi 330 shërbime digjitale, duke iu mundësuar qytetarëve të kryejnë procedura nga telefoni apo kompjuteri, pa udhëtime dhe dokumente të panevojshme.
Dikur ne shkonim te komuna a zyra administrative, e cila më tej priste se çfarë do të bëjnë shteti a qeveria, sot përveçse i gjithë ai shërbim vjen te ne e kemi atë edhe në xhep e në duar në çdo moment, të gjitha por si telefonin tonë mobil.
Vetëm këtë javë ne kemi lansuar Platformën Nacionale të Identifikimit Elektronik, të nënshkrimit elektronik dhe të Kuletës Digjitale. Kjo u mundëson qytetarëve të identifikohen në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dokumente elektronikisht dhe të kryejnë transaksione nga distanca.
Por, digjitalizimi kërkon edhe thjeshtimin e procedurave dhe përmirësimin e mënyrës se si funksionojnë institucionet, edhe ato qendrore po ashtu edhe ato lokale. Transformimi i mirëfilltë digjital nuk duhet që vetëm ta bartë burokracinë nga letra në ekran, por duhet të jetë më i shpejtë në kursim energjie dhe kohe.
Të dashur pjesëmarrës,
Inteligjenca artificiale sidomos në këto vitet e fundit po ndryshon kërkimin shkencor, arsimin, industrinë dhe gjithë ekonominë. Për vende si Kosova, kjo krijon mundësi për inovacion, rritje të produktivitetit dhe zhvillim të sektorëve të rinj ekonomikë.
Këto mundësi kërkojnë edhe përgjegjësi. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve, privatësinë dhe sigurinë e të dhënave.
Dhe, një gjë që nuk ka ndryshuar asnjëherë është që investimi më i rëndësishëm sikurse tani, sikurse në të ardhmen që po na thërret është ai në njerëz. Duam që fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë aftësi digjitale në shkollë, në universitetet që të bashkëpunojnë më ngushtë me industrinë dhe të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë idetë e tyre në Kosovë, e nga ato të përfitojnë ata dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Për këtë na duhet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, bizneseve, universiteteve dhe diasporës sonë. DOKU.TECH është një hapësirë e rëndësishme për krijimin e këtyre lidhjeve.
Unë ju inkurajoj që diskutimet e këtyre ditëve të DOKU.TECH t’i ktheni në partneritete, projekte dhe mundësi konkrete.
Të nderuar të pranishëm,
“E ardhmja thërret.”
Kosova ka dëshmuar që ka talent, kreativitet dhe potencial të madh në teknologji. Duam që të rinjtë ta shohin Kosovën si vendin ku mund të realizojnë idetë e tyre, të kenë përvoja të reja, të krijojnë kompani, të zhvillojnë teknologji dhe ta ndërtojnë karrierën e tyre.
E ardhmja e Kosovës do të ndërtohet edhe nga idetë, por edhe nga guximi e nga puna e njerëzve që janë sot në këtë sallë.
Unë ju uroj diskutime frymëzuese, ide të reja dhe bashkëpunime të suksesshme gjatë DOKU.TECH 2026.
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen!