Zyra e Kryeministrit organizoi tryezën “Dialogu Strategjik për Shëndetin Mendor dhe Mbështetjen Psikosociale për fëmijët dhe adoleshentët”

Prishtinë, 4 nëntor 2026

Nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në partneritet me UNICEF-in, u mbajt tryeza e diskutimit “Dialogu Strategjik për Shëndetin Mendor dhe Mbështetjen Psikosociale për fëmijët dhe adoleshentët”.

Duke rikujtuar takimin e fundit për lansimin e raportit “Hartëzimi i Shërbimeve të Shëndetit Mendor dhe Mbështetjes Psikosociale për Fëmijët dhe të Rinjtë në Kosovë”, në fjalën hyrëse kryeministri Kurti tha se dokumenti dha një pasqyrë të rëndësishme të gjendjes, por edhe një sërë rekomandimesh për rrugën përpara.

“Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe, mbi të gjitha, për t’i përcaktuar hapat që duhet t’i ndërmarrim si shtet për ta avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë. Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument më se të qartë që t’i kuptojmë sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë tani është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona, dhe cilat masa kërkojnë veprim prioritar dhe si mund të punojmë për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti tha se shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni, duke theksuar se ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku mësojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore, me sigurinë, komunitetet ku jetojnë dhe me mundësitë që krijohen për ta.

“Si Qeveri, ne i kemi vendosur fëmijët dhe të rinjtë në qendër të politikave tona. Ata janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë. Gjatë mandatit tonë qeverisës, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përkrahjen e familjeve dhe fëmijëve në vendin tonë pa dallim. Kemi filluar me ofrimin e shtesave për fëmijët dhe mbështetjen për nënat lehona, duke e rritur gradualisht nivelin e kësaj mbështetjeje ndër vite. Po ashtu, kemi nisur programin për intervenimin e hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kemi krijuar më shumë mundësi për fuqizimin dhe punësimin e të rinjve. Progres i rëndësishëm është shënuar edhe në mbijetesën e fëmijëve, me vdekshmërinë neonatale me 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se dyfishuar. Por, mirëqenia dhe shëndeti mendor duhet të jenë pjesë e pandashme e këtij investimi në fëmijët dhe të rinjtë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti tha se qëllimi është që diskutimi të mos mbyllet vetëm me një listë sfidash, por që nga ai të kuptohen më qartë prioritetet e përbashkëta, hapat që duhet ndërmarrë dhe përgjegjësitë që duhet të marrë përsipër secili prej akterëve institucionalë për t’i çuar këto rekomandime përpara.

Në mbyllje të fjalës, kryeministri falënderoi partnerët, UNICEF-in dhe Universitetin e Prishtinës, për punën në hartëzim, si dhe ministritë dhe institucionet tona, profesionistët e shëndetit mendor, botën akademike, organizatat joqeveritare dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë proces.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës,
E nderuara Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz,
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti,
Zëvendësministër i Sportit dhe Rinisë, Sejnur Veshall,
E nderuara shefe e stafit të Kryeministrisë, Flora Macula,
E nderuara znj. Zeinab Hijazi, udhëheqëse në nivelin global për shëndetin mendor në UNICEF,
E nderuara znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë,
Të nderuar profesorë e studiues, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe atyre arsimore, të botës akademike dhe të shoqërisë civile,
Të nderuar ekspertë dhe partnerë,

Në gusht të këtij viti u mblodhëm po në këtë sallë për lansimin e raportit “Hartëzimi i Shërbimeve të Shëndetit Mendor dhe Mbështetjes Psikosociale për Fëmijët dhe të Rinjtë në Kosovë”, kjo u pat realizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Atëherë theksuam se nuk mund të flasim për të ardhmen e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, për zhvillimin e kapitalit tonë njerëzor, pa folur për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve.

Raporti na dha një pasqyrë të rëndësishme të gjendjes, por edhe një sërë rekomandimesh për rrugën përpara. Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe, mbi të gjitha, për t’i përcaktuar hapat që duhet t’i ndërmarrim si shtet për ta avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë.

Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument më se të qartë që t’i kuptojmë sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë tani është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona, dhe cilat masa kërkojnë veprim prioritar dhe si mund të punojmë për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor.

Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku mësojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetet ku jetojnë dhe me mundësinë që krijojmë për ta. Pikërisht për këtë arsye, sot jemi së bashku përfaqësues të sektorëve dhe institucioneve të ndryshme, dhe përgjigjja jonë po ashtu duhet të jetë sa më e integruar dhe nevojat dhe shërbimet për fëmijë dhe të rinj të avancojnë në një stad të ri në të ardhmen tonë të përbashkët.

Si Qeveri, ne i kemi vendosur fëmijët dhe të rinjtë në qendër të politikave tona. Ata janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë. Gjatë mandatit tonë qeverisës, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përkrahjen e familjeve dhe fëmijëve në vendin tonë pa dallim. Kemi filluar me ofrimin e shtesave për fëmijët dhe mbështetjen për nënat lehona, duke e rritur gradualisht nivelin e kësaj mbështetjeje ndër vite. Po ashtu, kemi nisur programin për intervenimin e hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kemi krijuar më shumë mundësi për fuqizimin dhe punësimin e të rinjve. Progres i rëndësishëm është shënuar edhe në mbijetesën e fëmijëve, me vdekshmërinë neonatale me 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se dyfishuar. Por, mirëqenia dhe shëndeti mendor duhet të jenë pjesë e pandashme e këtij investimi në fëmijët dhe të rinjtë.

Ambicia jonë është e qartë, ta ndërtojmë një sistem, i cili jo vetëm që reagon në kriza, por paraprakisht investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme. Një sistem në të cilin fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre e dinë se ku të drejtohen dhe ku mund ta marrin mbështetjen e duhur, në kohën e duhur.

Për ta arritur këtë, duhet të shohim me kujdes se si ta forcojmë bashkëpunimin ndërmjet sektorëve të shëndetësisë, të arsimit, shërbimeve sociale, drejtësisë dhe të sektorëve të tjerë; si t’i forcojmë kapacitetet profesionale dhe si të sigurojmë që mbështetja të jetë e qasshme për fëmijët dhe të rinjtë, kudo që jetojnë dhe pavarësisht rrethanave të tyre.

Qëllimi ynë sot nuk është që diskutimin ta përmbyllim vetëm me një listë sfidash, por që nga ky takim të dalim me një kuptim më të qartë të prioriteteve tona të përbashkëta, të hapave që duhet të ndërmarrim dhe të përgjegjësive që secili prej nesh duhet të marrë përsipër për t’i çuar këto rekomandime përpara.

Raporti i përgatitur nga UNICEF-i nuk ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të shëndetit mendor të të rriturve, personave të moshuar apo të popullsisë së Kosovës në përgjithësi. Megjithëkëto, ai ofron evidencë të rëndësishme dhe rekomandime konkrete për dy grupe veçanërisht të rëndësishme të shoqërisë sonë: fëmijët dhe adoleshentët.

Tani është përgjegjësia jonë që këtë evidencë ta shndërrojmë në politika, shërbime dhe rezultate konkrete për fëmijët dhe të rinjtë, dhe jo vetëm.
Pas zgjedhjes së qeverisë, përkatësisht rizgjedhjes së saj më 13 shtator, dhe pas zgjedhjes së presidentes së re të Republikës më 6 tetor, ne e kemi stabilitetin e plotë institucional që të planifikojmë të përgatitemi dhe të realizojmë.

Jemi jashtë atyre, urgjencave të cilët na pengonin në secilin aspekt tjetër, dhe besojmë që tash është koha që të mendojmë jo vetëm në aspektin afatshkurtër, por afatmesëm dhe afatgjatë, aq më tepër që kur vije puna te shëndeti mendor, te shëndeti publik, për fëmijët, adoleshentët dhe jo vetëm, nuk ka zgjidhje të njëvlershme dhe të menjëhershme. Pra, duhet të përgatitemi e të punojmë për rezultate të cilët nuk do t’i kemi në vitin 2026, nuk do t’i kemi as në vitin 2027, por në vitet në vijim përtej, e pikërisht ky është përkushtimi dhe përgjegjësia jonë institucionale. Pra, të mendojmë përtej vitit aktual, qe besa edhe përtej dekadës aktuale, ashtu që të sjellim rezultate që janë përgjegjësia jonë dhe nevoja e qytetarëve.

Për fund, falënderoj partnerët, UNICEF-in dhe Universitetin e Prishtinës, për punën në hartëzim, si dhe ministritë dhe institucionet tona, profesionistët e shëndetit mendor, botën akademike, organizatat joqeveritare dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë proces.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors