Prishtinë, 2 nëntor 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Sot si pikë të parë të rendit të ditës kemi miratimin e ligjit të buxhetit, i cili do të jetë buxheti i parë i këtij mandati të ri.
Gjatë mandatit të kaluar, kishim një rritje rekord të buxhetit, vit pas viti, si rezultat i performancës së jashtëzakonshme të të hyrave. Kjo na mundësoi që krahas rritjes së politikave mbështetëse për qytetarët, të ruanim edhe qëndrueshmërinë fiskale afatgjatë, duke e mbajtur deficitin dhe borxhin publik në nivelet më të ulëta historikisht.
Përgjatë kësaj kohe, kishim edhe transformimin e strukturës së të hyrave. Përderisa në qeverisjet paraprake, përqendrimi i barrës së mbledhjes së të hyrave i vihej kryesisht Doganës, me qeverisjen tonë të hyrat e brendshme rriten me ritëm më të shpejtë, sepse po rritet ekonomia e po shtohet punësimi. Sa për ilustrim, në vitin 2019, të hyrat e mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës ishin vetëm sa 40% e atyre që kishte mbledhur Dogana. Kurse në buxhetin që po prezantojmë sot, për vitin 2027, ATK-ja parashihet të mbledhë sa 60% e të hyrave që do të mbledhë Dogana.
Sivjet, përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohemi edhe ne krahas gjithë botës, rritja ekonomike ka shënuar nivelet prej 5.4% dhe 4.1%, për tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë, përkatësisht. Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton edhe vazhdimësi të rritjes së buxhetit dhe qëndrueshmëri të financave publike.
Për vitin 2027, buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4.27 miliardë euro, që është për 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i viti 2026, dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026.
E nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat. Ky është buxhet rekord edhe për komunat e Kosovës, dhe kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.
Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur përpjesëtohet me rreth 85 mijë punonjësit publikë, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1,000 euro bruto në muaj – gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës, qysh në vitin e ardhshëm. E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes ekonomike.
Me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse. Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes e presim edhe strategjinë nga Grupi Punues, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në 4 faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe në janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25%, dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit. Me fjalë tjera, një familje që ka dy fëmijë dhe tash i merr 60 euro, nga janari do t’i marrë 75 euro, kurse një familje që ka 4 fëmijë dhe tash merr 180 euro, nga janari do t’i marrë 225 euro. Dhe kjo rritje do të vazhdojë secilin vit, deri në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda këtij mandati, ashtu sikurse që jemi zotuar para jush.
Te kategoria Mallra dhe Shërbime, kemi përgjysmuar buxhetin për shpenzime të udhëtimeve jashtë vendit, dhe paratë e kursyera i kemi ndarë si buxhet për barna esenciale në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Përveç buxhetit të shtuar për barna, kemi rritur edhe personelin mjekësor për 120 sosh në ShSKUK, kurse në nivelin lokal janë paraparë investime si kurrë më parë në ndërtimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare moderne. E për t’i funksionalizuar sa më mirë institucionet shëndetësore, kemi ndarë buxhet edhe për blerjen e pajisjeve dhe aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, projekt ky i cili mbështetet financiarisht nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Ky buxhet do të jetë buxhet i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliard euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autoudha e Dukagjinit, dhe shumë rrugë tjera rajonale e nacionale që parashihet të zgjerohen e të rehabilitohen.
Kemi buxhetuar edhe ndërtimin e digave aq të nevojshme për ruajtjen e ujit, por edhe ndërhyrjen me masa mbrojtëse për ambientin, përfshirë sistemin e ri të grumbullimit dhe sortimit të mbeturinave.
E sigurisht që me këtë buxhet kemi paraparë edhe linjën e veçantë për kompletimin e infrastrukturës sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Për herë të parë, me këtë buxhet është paraparë edhe themelimi i aviokompanisë kombëtare, e cila do të shërbejë për më shumë linja për bashkatdhetarët tanë, por edhe si mjet i promovimit të vendit për mërgatën tonë, anekënd aeroporteve ku aeroplanët me logon e shtetit tonë do të aterojnë.
Janë paraparë edhe linja të veçanta për investime në infrastrukturën e turizmit, si parakusht për realizimin e suksesshëm të investimeve me Partneritet Publiko Privat në resortet në Brezovicë dhe Dukagjin.
Të dashur qytetarë,
Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të ri, dhe siç po e shihni, është buxhet i investimeve kapitale dhe i transformimit ekonomik të vendit tonë. Është buxhet i premtimeve të mbajtura, dhe i nismave të reja. Si çdoherë, në shërbim të qytetarëve, për më shumë zhvillim ekonomik, e për më shumë vende pune cilësore.
Të nderuar ministra të kabinetit, tani e tutje është në dorën e secilit prej jush që të siguroheni që ta zbatoni programin dhe buxhetin pikë për pikë. Ju siguroj se do ta monitoroj progresin e secilit prej jush.
Ju faleminderit e punë të mbarë të gjithëve. E tani ia kaloj fjalën ministrit të Financave, për shqyrtimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Fjalën e ka ministri Hekuran Murati.