Kryeministri Kurti priti në takim drejtuesit e Festivalit ReMusica

Prishtinë, 1 nëntor 2026

Në ditën përmbyllëse të edicionit jubilar të 25-të të Festivalit ReMusica, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtuesit e këtij festivali Donika Rudi dhe Viktor Berishaj.

Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Në ditën përmbyllëse të edicionit jubilar të 25-të të Festivalit ReMusica, mirëpritëm sot drejtuesit e tij, Donika Rudi dhe Viktor Berishaj, me të cilët biseduam për rrugëtimin e festivalit, kontributin e tij në jetën muzikore të vendit dhe planet për të ardhmen.

Përgjatë një çerekshekulli, ReMusica ka prezantuar rreth 500 vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, duke lidhur krijimtarinë tonë muzikore me skenën ndërkombëtare.

Biseduam edhe për programet si ReMusica Junior dhe ReNew, që mbështesin zhvillimin e brezave të rinj të muzikantëve, si dhe për punën dhe sfidat e organizimit të festivalit përgjatë gjithë vitit. Me partneritetet ndërkombëtare, ReMusica synon që veprat dhe artistët e prezantuar në Kosovë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në skena evropiane e botërore.

Urime Donikës, Viktorit dhe gjithë ekipit për 25 vjet përkushtim ndaj muzikës dhe kulturës sonë!

Sonte, nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ju ftojmë të ndiqni koncertin përmbyllës me Filharmoninë e Kosovës, kitaristin slloven Mak Grgić dhe dirigjentin Marco Crispo. Një mbrëmje e bukur për ta përmbyllur këtë jubile!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors