Prishtinë, 30 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, paraditen e sotme mori pjesë në mbledhjen e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) ‘’Prishtina 2030’’, ku u shqyrtua ecuria e përgatitjeve dhe hapat përpara.
Në këtë mbledhje, u trajtuan edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në funksion të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se synimi i përbashkët është organizimi i suksesshëm i ‘’Prishtina 2030’’, ndërsa theksoi se për këtë duhet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim i përbashkët gjatë gjithë përgatitjeve.
“Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mbetet e angazhuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës dhe se i njëjti përkushtim ndaj zotimeve të përbashkëta duhet ta udhëheqë punën e të gjithëve.
Fjala hyrëse e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar anëtarë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare,
Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen.
Sot do të shqyrtojmë ecurinë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe hapat që kemi përpara. Do t’i trajtojmë edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në funksion të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.
Synimi ynë i përbashkët është organizimi i suksesshëm i Prishtina 2030. Për këtë, na duhet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim i përbashkët gjatë gjithë përgatitjeve.
Libri i Kandidaturës është baza mbi të cilën e kemi fituar të drejtën e organizimit të Lojërave. Në të kemi paraqitur vizionin e përbashkët për shtrirjen e tyre nëpër Republikën e Kosovës, me përfshirjen edhe të Shqipërisë, përkatësisht Durrësit, për zhvillimin e infrastrukturës dhe për trashëgiminë që do t’i mbetet vendit. Ky vizion duhet të na udhëheqë edhe në përgatitjet e mëtejme.
Ashtu siç është konceptuar që në fillim, objektet që ndërtojmë dhe renovojmë duhet t’u shërbejnë sportistëve dhe qytetarëve për shumë vite pas vitit 2030. Shfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese dhe përfshirja e investimeve në realizim e sipër janë pikënisje e domosdoshme për organizimin e Lojërave, ndërsa ndërtimet e reja duhet t’u përgjigjen nevojave të garave dhe zhvillimit afatgjatë të sportit, me planifikim të qartë të kostos, përdorimit dhe mirëmbajtjes së tyre.
Me këtë qasje do ta shqyrtojmë draftin e Masterplanit, organizimin dhe koordinimin e punës, si dhe infrastrukturën prioritare e planin e prokurimit. Vendimet tona duhet t’i lidhin kërkesat e Lojërave me qëllimet strategjike të vendit: zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës publike dhe shpërndarjen e përfitimeve nëpër komuna. Kjo kërkon plane të realizueshme, financim të qëndrueshëm dhe përdorim me përgjegjësi e transparencë të parasë publike.
Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër.
Qeveria mbetet e angazhuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës. I njëjti përkushtim ndaj zotimeve të përbashkëta duhet ta udhëheqë punën e të gjithëve ne.
Me këtë qëllim, le të vazhdojmë me çështjet e rendit të ditës.
…
Njoftimi i Kryeministrit Kurti pas mbledhjes:
Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (KOLM) mbajti sot takimin e radhës, ku u diskutuan drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe vazhdimi i përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në takim u riafirmua se Lojërat do ta ruajnë shtrirjen e paraparë në Librin e Kandidaturës. Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj bashkë me komunat e tjera, kanë qenë pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi. Pikërisht me këtë koncept Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Shtrirja e Lojërave në këto komuna dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili është ende në shqyrtim. Në këtë planifikim do të përfshihen investimet që tashmë janë në proces e sipër në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Këto investime mbështesin zhvillimin e sportit nëpër komuna dhe mbeten në shërbim të sportistëve edhe pas përfundimit të Lojërave.
Në takim u theksua vijimi i punës me ritëm të shtuar në projektet prioritare: Qendrën e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendrën Akuatike dhe Qendrën Nacionale të Tenisit. Po ashtu, u ritheksua rëndësia e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Në kuadër të përgatitjeve për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes, u shqyrtua edhe mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar, duke vlerësuar kërkesat organizative dhe afatet e nevojshme për përgatitjen e tij.
Në takim u dakordua që KOLM të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, për të prezantuar hapat e mëtejmë në përgatitjet për Prishtina 2030.
Anëtarët shprehën njëzëri përkushtimin për organizimin e suksesshëm të Lojërave, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.









