Kryeministri Kurti u takua me Lord Wood of Anfield

Shën Stefan, Mal i Zi, 23 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje pasdite në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, u takua me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Kurti tha se dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm. Ndërsa shtoi se takimi me Lord Wood of Anfield vjen pas bisedave që ka pasur përgjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, njëra në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York e tjetra përmes telefonit nga Prishtina.

Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Kryeministri tha se tani, me institucione plotësisht funksionale, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përqendruar te reformat dhe zhvillimi, me hapësirë më të madhe për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, nga mbrojtja deri te Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors