Prishtinë, 12 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Heleni Vakali.
Në takim u diskutua për vazhdimin e punës për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, pas konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentes.
Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen që Greqia i ka dhënë liberalizimit të vizave në zonën Schengen për qytetarët tanë dhe avancimin e statusit të Zyrës së Kosovës në Athinë, ndërsa përmendi shtimin e komunikimeve dhe shkëmbimeve.
Ai tha se mbështetja nga Greqia për Kosovën shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është e nevojshme, ndërsa theksoi se rreshtimi i saj me 22 shtetet anëtare njohëse do të ishte i natyrshëm.
Teksa u shpreh i vullnetshëm dhe i interesuar për të shtuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, arsimor e kulturor, sikurse ndërveprimin politik, kryeministri Kurti falënderoi ambasadoren për angazhimin konstruktiv dhe kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.




