Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Dancing with clouds”, të Profesor Afrim Spahiut

Pejë, 10 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Dancing with clouds”, të Profesor Afrim Spahiut, kuruar nga Sislej Xhafa, e cila u hap sot në Pejë.

Në prani të përfaqësuesve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, artistëve dhe përfaqësuesve të shumtë nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës, kryeministri tha se “Duke vallëzuar me re”, është ekspozitë e cila krahas fotografive të Profesor Spahiut sjell edhe filmin dokumentar të jashtëzakonshëm të Besim Sahatçiut “117”.

Kryeministri Kurti tha se Profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë, por edhe për fotografitë në film, përkatësisht për filmografi. Ndërsa shtoi se është kënaqur e gëzuar duke parë punimet e profesorit dhe se është edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij.

“Profesor Afrim Spahiu, karakterizohet nga një lloj dokumentimi që, transformimi që bën koha, nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Pra, teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin e në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet dot. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut, i cili ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli, pra nuk është bash i ri siç duket dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar”, tha kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Fillimisht dua të përshëndes kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxherin, pastaj Drejtoren e Kulturës, znj. Sykën, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Taulant Kelmendin dhe Armend Balokun. Por, natyrisht dy njerëzit që na kanë sjellur këtu sot më së shumti, i pari Afrim Spahiu, profesori i nderuar me të cilin njihem prej rreth dy dekadash, dhe ndoshta edhe pak më shumë se dy dekada, Sislej Xhafa, kuratori i ekspozitës së sotme, të cilën natyrisht mezi presim që ta shohim të gjithë.

“Duke vallëzuar me re”, ky është titulli i kësaj ekspozite në të cilën do të kemi fotografi, por njëkohësisht edhe filmin dokumentar të jashtëzakonshëm të Besim Sahatçiut “117”.

Duhet theksuar që profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë por edhe për fotografitë në film. Pra është i njohur për filmografi. Është i njohur për punën e tij me fotografi me kinematografi. Dhe kemi diskutime bashkë të panumërta, e unë njëkohësisht, jo vetëm që jam kënaqur e gëzuar duke i pa punimet e tij, por gjithashtu edhe jam edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij.

Kësisoj, ta zëmë në zyrën time në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, e kam një fotografi të profesor Afrim Spahiut. Natyrisht është një arkitekturë e thepisur brutaliste dhe rrotull ca re të purpurta me të cilat vallëzon shikimi jonë.

Profesor Afrim Spahiu, karakterizohet nga një lloj dokumentimi që, transformimi që bën koha, nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Pra, teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin e në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet dot. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut, i cili ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli, pra nuk është bash i ri siç duket dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar, e tash aktualisht është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Arteve ku përfaqëson filmin dhe fushën audio-vizive.

Gjithashtu mua më ka bërë përshtypje që është me prejardhje nga Dibra e unë nuk e njohë asnjë dibran që është njeri i zakonshëm. Njoh jo pak dibranë, po asnjëri nuk është i zakonshëm. E natyrisht edhe profesor Afrim Spahiu është i jashtëzakonshëm e ju e dini se çka thuhet për dibranët. Ata i kanë bërë veç dy gjëra: Skënderbeun edhe e kanë themeluar Tiranën.

Atëherë, nuk kam dyshim që të gjithë do të kënaqeni duke shikuar ekspozitën e profesor Afrim Spahiut dhe me këtë rast dua ta falënderoj edhe mikun tonë, edhe artistin e madh po edhe artdashësin e paepur, i cili ndihmon artistët e tjerë, Sislej Xhafën.

Faleminderit edhe njëherë që keni ardhur këtu dhe sa më shumë bukuri, Peja e di mirë se si ta bëjë këtë, natyrisht që jeta është më e këndshme.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors