Fjala e Kryeministrit Kurti mori pjesë në hapjen e Forumit të Biznesit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë 2026

Prishtinë, 8 tetor 2026

I nderuar z. Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë,
E nderuar znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
I nderuar z. Emrush Ujkani, Drejtor i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë,
I nderuar z. Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës,
I nderuar z. Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve britanike dhe kosovare,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në Kosovë, me rastin e Forumit të parë të Biznesit Kosovë–Mbretëri e Bashkuar, një ngjarje që synon ta zgjerojë partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar përtej marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe diplomatike që kemi. Ndërsa miqësia jonë e kahershme dhe marrëdhëniet diplomatike i kanë afruar dy vendet tona, janë pikërisht lidhjet ekonomike ato që krijojnë lidhje të qëndrueshme ndërmjet popujve tanë. Bizneset bëjnë diçka që qeveritë, të vetme, nuk mund ta bëjnë: u krijojnë mundësi konkrete njerëzve, duke hapur vende pune e tregje dhe duke mundësuar që idetë të kapërcejnë kufijtë.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar një aleancë të fortë dhe të qëndrueshme që nga viti 1999. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte ndër vendet e para që na njohu si shtet sovran dhe të pavarur dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me ne. Përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dëshmohet edhe nga kontributi i saj në KFOR dhe mbështetja për sigurinë dhe paqen tonë. Prandaj, është e natyrshme që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona të ketë qenë veçanërisht i fuqishëm në fushën e mbrojtjes. Dhe nuk mund ta harrojmë qershorin e vitit 1999, kur trupat e para të NATO-s që hynë në vendin tonë ishin trupat britanike, të udhëhequra nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, gjenerali Michael Johnson. Për një periudhë, pra, në Kosovë Michael Jackson ishte më i njohur si gjeneral i ushtrisë britanike sesa si mbreti i muzikës pop. E ndoshta, ne iu përgjigjëm me mbretëreshën tonë të përbashkët të muzikës pop, Dua Lipën.

Sot jemi krenarë që Kosova nuk ka qenë vetëm përfituese e kësaj mbështetjeje, por ka luajtur edhe rol aktiv në kontributin për sigurinë ndërkombëtare. Në kuadër të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, kemi kontribuar në trajnimin e ushtarakëve ukrainas në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kemi marrë pjesë në dislokime të përbashkëta me forcat e armatosura britanike në vende të ndryshme të botës.
Teksa shikojmë drejt së ardhmes, dëshirojmë të ndërtojmë mbi këtë themel të fortë, duke thelluar marrëdhëniet tona ekonomike dhe të biznesit, duke zgjeruar tregtinë dhe investimet dhe duke krijuar mundësi të reja që bizneset dhe ndërmarrësit tanë të bashkëpunojnë. Kosova ka shumë për të mësuar nga tradita e gjatë e Mbretërisë së Bashkuar në transformimin ekonomik, ndërsa kësaj partneriteti i sjell edhe talentin dhe ambicien e vet. Revolucioni Industrial ishte një shembull përcaktues se si investimet, teknologjia, ndërmarrësia dhe inovacioni mund t’i transformojnë ekonomitë botërore dhe të krijojnë mundësi për brezat e ardhshëm.

Edhe Kosova ka historinë e saj të transformimit ekonomik. Brenda vetëm një gjenerate, kemi kaluar nga shkatërrimi i luftës dhe sfidat e rindërtimit të vendit tonë drejt një ekonomie gjithnjë e më të hapur, dinamike dhe të udhëhequr nga sektori privat. Rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti ishte 5.4%, ndërsa në tremujorin e dytë 4.1%, niveli më i lartë i rritjes në rajonin tonë.

Gjatë pesë viteve të fundit, fitimet e korporatave në Kosovë janë rritur për 150%. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i bizneseve të reja të themeluara është rritur për 26%, ndërsa numri i bizneseve të reja me pronësi të huaj është rritur për 55%, duke reflektuar besimin në rritje ndaj Kosovës si vend për të investuar dhe për të zhvilluar veprimtari biznesore.

Bizneset tona po zgjerohen dhe po i rrisin eksportet, kryesisht falë bashkëpunimit më të fuqishëm ndërkombëtar, qasjes më të madhe në tregjet ndërkombëtare dhe kapaciteteve gjithnjë në rritje të bizneseve kosovare për të konkurruar me sukses në nivel global. Shifrat e dëshmojnë qartë këtë përparim: i kemi dyfishuar eksportet, duke përmirësuar raportin eksport–import nga 1:9 në 1:6. Investimet e huaja direkte kanë vazhduar gjithashtu të rriten. Në periudhën 2021–2023, mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte ishte 664 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 arriti në 847 milionë euro dhe vitin e kaluar, për herë të parë, e tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurosh. Sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), infrastrukturës dhe energjisë po vazhdojnë të zgjerohen, duke ofruar potencial të madh për tërheqjen e mëtejshme të investimeve të huaja direkte. Sepse, siç e dimë, kur rritesh, shtohen edhe mundësitë për t’u rritur më tej.

Kemi forcuar gjithashtu kornizën ligjore, veçanërisht atë që lidhet me investimet e huaja, me synimin për të krijuar një mjedis më të parashikueshëm dhe më mbështetës për investitorët. Ligjet e Kosovës u garantojnë investitorëve të huaj dhe vendorë trajtim të barabartë, ndërsa institucionet tona vazhdojnë të përmirësojnë kushtet për investime të qëndrueshme dhe afatgjata. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për thjeshtimin e procesit të regjistrimit të bizneseve dhe, natyrisht, për zvogëlimin e barrës administrative. Si rezultat, regjistrimi i një biznesi në Kosovë tashmë është një proces i thjeshtë, i cili zakonisht zgjat nga një deri në tri ditë.

Kosova ju ofron një mundësi shumë tërheqëse si investitorë.

Me një normë të tatimit në të ardhurat e korporatave prej vetëm 10% dhe një normë progresive të tatimit në të ardhurat personale deri në 10%, ne u ofrojmë një përparësi të rëndësishme investitorëve që kërkojnë një vend konkurrues dhe me kosto të favorshme për të themeluar dhe zhvilluar bizneset e tyre. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me tatimet. Është pjesë e politikës më të gjerë ekonomike të Kosovës: një ekonomi që shpërblen ndërmarrësinë, nxit investimet dhe krijon kushtet që bizneset të rriten dhe të kenë sukses në afat të gjatë.

Dëshirojmë që ta shihni Kosovën jo vetëm si treg, por edhe si një platformë konkurruese prej së cilës mund të investoni, të ushtroni veprimtarinë tuaj, të inovoni dhe të zgjeroheni në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne kemi një nga popullsitë më të reja në Evropë, me një moshë mesatare rreth 35 vjeç, gjë që na siguron një fuqi punëtore të madhe dhe dinamike, me energjinë dhe aftësinë përshtatëse për të mbështetur një ekonomi në rritje. Qytetarët tanë zotërojnë disa gjuhë, kanë njohuri të mira të gjuhës angleze dhe njohin gjerësisht edhe gjuhë të tjera evropiane, duke ua lehtësuar bizneseve vendore dhe ndërkombëtare shërbimin ndaj tregjeve globale. Përtej këtij avantazhi demografik, numri në rritje i të rinjve të aftësuar në teknologjinë e informacionit, inxhinieri dhe shërbime digjitale krijon mundësi të konsiderueshme për suksesin e bizneseve. Sektori i teknologjisë përbën 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë, krahasuar, për shembull, me bujqësinë, e cila përbën 7%.

Ne u ofrojmë investitorëve gjithashtu qasje të mirë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Kosova është pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, e cila hyri në fuqi një dekadë më parë, krijon një kornizë për bashkëpunimin politik dhe ekonomik, si dhe për zhvillimin gradual të një zone të tregtisë së lirë me BE-në. Kemi nënshkruar gjithashtu Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s: Zvicrën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Islandën. Vlen të theksohet se Kosova është i vetmi vend në rajon që, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, ka negociuar jo vetëm tregtinë e mallrave, por edhe tregtinë e shërbimeve. Në vitin 2021 hyri në fuqi Marrëveshja e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e bërë tregtinë ndërmjet dy vendeve tona më të përballueshme dhe më konkurruese.

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve tona po rriten. Por ka hapësirë të konsiderueshme për t’i zgjeruar edhe më tej këto marrëdhënie dhe mundësitë janë të qarta, nga shërbimet profesionale dhe digjitalizimi te infrastruktura, energjia dhe minierat.

Zonja dhe zotërinj,

Ju uroj të gjithëve një forum të mbarë dhe produktiv. Jam i sigurt se do të ketë çaj për miqtë tanë britanikë, kafe për miqtë tanë kosovarë dhe, shpresojmë, partneritete të reja për të gjithë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors