Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”

Prishtinë, 2 tetor 2026

E nderuara znj. Atifete Jahjaga, presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër për Politikë Ekomomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi,
E nderuar znj. Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
E nderuara znj. Irene Fellin, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike të akredituara në vendin tonë,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Kosovës, nga Kuvendi i Republikës dhe ju përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës gratë e Kosovës kanë qenë gjithmonë shtyllë e historisë, zhvillimit dhe qëndresës së vendit tonë. Sot, përgjegjësia jonë është që kontributi i tyre të shndërrohet gjithnjë e më shumë në mundësi, pjesëmarrje dhe vendimmarrje.

Barazia në të drejta dhe mundësi do të thotë që të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligji të zbatohen në çdo gjykatë, në çdo komunë, në çdo vend pune, çdo stacion policie dhe në çdo institucion.

Do të thotë që dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk tolerohet dhe nuk durohet, nuk justifikohet dhe nuk fshihet, por parandalohet dhe ndëshkohet. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua të ketë qasje të barabartë në arsim, punësim dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e saj.

Barazia në të drejta dhe mundësi do të thotë gjithashtu që gratë të mos jenë vetëm votuese që përfshihen, por qytetare që marrin pjesë, që bëhen vendimmarrëse dhe udhëheqëse. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e plotë kur gjysma e shoqërisë ngelet e nënpërfaqësuar.

Fuqizimi i grave për ne nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore. Është edhe investim në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit.

Dhe këtë e kemi shoqëruar si ekzekutiv me politika publike, buxhet adekuat dhe rezultate konkrete.

Kemi mbështetur drejtpërdrejt punësimin e mbi 12 mijë grave. Përmes Superpunës, nga afro 23 mijë të rinj të punësuar, 51 për qind janë gra e vajza. Përmes programit “Qeveria për Familjet”, nga mbi 4 mijë persona të punësuar nga familje ku më parë nuk punonte askush, 55 për qind janë gra.

Përmes Kosovo Generation Unlimited, nga mbi 3 mijë të rinj që kanë përfituar punë praktike, rreth 60 për qind janë gra dhe vajza.

Kemi investuar edhe në arsim dhe në profesionet e së ardhmes. Janë ndarë 7,277 bursa, apo përafërsisht i bije 40 për qind të bursave në tërësi, për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë apo STEM, prej të cilave 97 për qind janë për vajza.

Pra Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që nuk ka asgjë mashkullore në Matematikë, Inxhinieri, Shkenca Natyrore. Vajzat ja dalin shpesh edhe më mirë sesa djemtë dhe këtë e pamë edhe dje kur ishim tek fakulteti, i cili u përurua edhe me investimet e Bashkimit Evropian, bashkë me Presidenten von der Leyen.

Gjithashtu kemi mbështetur financiarisht edhe nënat dhe fëmijët, meqenëse ne e dimë që barrën më të madhe në familje e mbajnë pikërisht gratë. Rreth 80 mijë nëna të reja kanë marrë shtesa dhe mbi 400 mijë fëmijë përfitojnë nga shtesat për ta. Përmes këtyre masave, rreth 100 mijë gra kanë hapur për herë të parë në Kosovë xhirollogari bankare.

Kemi rritur qasjen e grave në pronë. Nga vetëm 105 prona të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve në vitin 2016, numri arriti në 17,592 në vitin 2024, ndërkaq në vitin e kaluar, në fund të 2025-s, 31,124. Pra regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve është rritur për 300 herë në më pak se një dekadë.

Kemi investuar në sipërmarrjen e grave dhe në bujqësi. Meqenëse konsiderohet që fermerët, bujqit, janë burra, në fakt një pjesë shumë e madhe janë gra, nëpër zonat rurale. Po, e shihni në gjuhën shqipe, gjuha shqipe është shumë e përshtatshme për barazi gjinore, po jo edhe të fjala bujk. 5,655 gra fermere janë mbështetur me rreth 11 milionë euro përmes subvencioneve dhe granteve. Po ashtu, 711 biznese me potencial eksporti janë mbështetur me grante në vlerë prej 20.5 milionë eurosh, prej të cilave 30 për qind janë në pronësi të grave.

Kemi ndërmarrë masa të veçanta për gratë, të cilat e kanë mbijetuar dhunën: ndihmë juridike falas dhe subvencionim page për gratë të mbijetuara të dhunës dhe 7.3 milionë euro mbështetje për strehimoret.

Në shëndetësi, kemi rritur buxhetin për 57 për qind, kemi zgjeruar qasjen në mamografi falas. Muaji Tetor është edhe muaji rozë, i luftës Kundër Kancerit të Gjirit, pastaj vaksinimin kundër HPV-së, pajisje të reja diagnostikuese dhe mbi 70 barna të reja në listën esenciale.

Po investojmë edhe në kujdesin për fëmijët. Numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe është rritur nga 5,555 që kanë qenë në vitin 2021, në vitin shkollor 2024/2025 janë 7,429, ndërsa 75 çerdhe janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër në Kosovë, sepse ne e dimë që si shtet e si shoqëri duhet t’i ndihmojmë sa më shumë gratë, sepse ato e kanë barrën kryesore të rritjes së fëmijëve, dhe në këtë mënyrë ato të fitojnë më shumë kohë për veten e tyre, qoftë të vazhdojnë fakultetin, ta regjistrojnë një fakultet të ri, ose ta gjejnë një punë më adekuate, ose të hyjnë për herë të parë në punë qysh ndodh në shumë raste.

Rezultatet po shihen edhe në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës apo raporti MICS 2025, që është publikuar në bashkëpunim me UNICEF. Pjesëmarrja e fëmijëve 3–4 vjeç në edukimin në fëmijërinë e hershme është rritur nga 15 për qind në vitin 2020 në 36 për qind në vitin 2025, pra më shumë sesa e dyfishuar.

Dhe unë po i përmendi këto, sepse e dimë nga përvoja secili prej nesh, që nëna është mësuesja e parë e mësuesja është nëna e dytë, por për të gjitha këto, natyrisht që me këto mbështetje financiare kemi punuar shumë në emancipimin e burrave, në emancipimin e djemve, për rolin dhe meritën që duhet ta kenë gratë në shoqëri.

Kjo është e rëndësishme, sepse investimi në kujdesin e hershëm po krijon mundësi më shumë për prindërit dhe gjithashtu për karrierën e tyre profesionale në vijim.

Edhe në institucionet publike kemi parë ndryshime të rëndësishme. 63 për qind e të punësuarve të rinj në administratë në vitin 2024 ishin gra, ndërsa përfaqësimi i grave në borde dhe institucione të pavarura është rritur. Në ndërmarrjet publike, 50 për qind e anëtarëve të emëruar nëpër borde janë gra.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, gjatë periudhës mars 2021–dhjetor 2025 janë punësuar 83 gra, krahasuar me vetëm 16, në periudhën e njëjtë më përpara.

Por, këto të nderuara e të nderuar të pranishëm nuk janë vetëm statistika. Janë edhe mundësi të reja. Janë gra që punojnë, ndërtojnë biznese, udhëheqin institucione dhe kontribuojnë në të ardhmen e vendit.

Por, natyrisht që puna jonë e as përgjegjësia jonë nuk përfundon këtu.

Barazia nuk është vetëm sa gra janë në një institucion. Është edhe sa mundësi kanë ato për të udhëhequr, për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në vendimet që merren.

Dhe grave që tashmë janë në pozita udhëheqëse u themi: Suksesi juaj nuk duhet të jetë fundi i rrugës. Duhet të jetë fillimi i rrugës për dikë tjetër. Hapni dyert. Mentoroni. Mbështetni gratë dhe vajzat të cilat vijnë pas jush. Sepse lidershipi nuk matet vetëm me pozitën që mbajmë. Matet edhe me mundësitë që krijojmë për të tjerët.

Na duhet infrastrukturë gjithnjë e më e mirë dhe buxhetim për barazi gjinore, por në të njëjtën kohë na duhet edhe sa më shumë solidaritet gjinor, sa më shumë organizata të grave, sa më shumë feminizëm, sepse e dimë që pavarësisht sa përpiqemi ne, megjithatë do të ketë një grua diku të shfrytëzuar a të shtypur, e cila nuk është e barabartë me burrat edhe pse ndoshta formalisht ashtu tingëllon e duket.

Kontributi i grave natyrisht që nuk është vetëm ekonomik dhe institucional. Është edhe kontribut për paqen dhe sigurinë. Kosova e di nga përvoja e saj se paqja nuk ndërtohet vetëm në tryezën e negociatave. Ajo ndërtohet në familje, në komunitete dhe në institucione. Gratë e Kosovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndërtuese të paqes, mbrojtëse të familjeve dhe të komuniteteve, profesioniste në institucionet e sigurisë dhe zëra për drejtësi. Prandaj, edhe pjesëmarrja e grave në paqe dhe siguri nuk është thjeshtë vetëm çështje përfaqësimi. Është çështje e stabilitetit afatgjatë të vetë vendit.

Kosova ka avancuar në këtë drejtim përmes angazhimit institucional për zbatimin e Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” dhe Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dhe kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj grave të cilat e kanë mbijetuar dhunën seksuale, e e dimë që janë rreth 20 mijë sosh.

Këto gra nuk janë vetëm pjesë e historisë sonë. Ato janë pjesë e ndërgjegjes sonë si shoqëri dhe e përgjegjësisë sonë për drejtësi.

Andaj, gratë duhet të jenë jo vetëm përfituese të paqes dhe sigurisë, por bashkë-ndërtuese dhe udhëheqëse të tyre.

Të dashura gra dhe vajza,

Nuk mund të ndërtojmë një Kosovë më të fortë duke lënë jashtë potencialin e gjysmës së shoqërisë tonë. Prandaj duhet të vazhdojmë të investojmë në arsim, në punësim, në sipërmarrje, shëndetësi dhe institucione që krijojnë mundësi të barabarta.

Barazia nuk është vetëm premtim. Është punë, vendimmarrje dhe buxhet. E di që nuk bëhemi dot identik në asnjë situatë. Madje mund të diskutohet edhe njeriu a është identik me vetveten, por pikërisht për shkak se kemi dallime duhet të jemi të barabartë. Pra barazia është pikënisje. Nuk duhet të jemi të barabartë në fund. Duhet të jemi të barabartë në fillim. E pikërisht të drejtat e njeriut që e bëjnë bashkë universalitetin edhe barazinë që janë shpikja më e madhe e shekullit XX-të janë shumë të rëndësishme në shekullin XXI, dhe pikërisht për barazinë gjinore si thelb të barazisë shoqërore.

E kur gratë në përgjithësi, e posaçërisht në Kosovë ecin përpara, ecën përpara Kosova, po edhe mbarë bota.

E falënderoj presidenten Jahjaga për këtë organizim dhe për kontributin që po jep për gratë në paqe e në siguri.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors