Prishtinë, 1 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në vend që nga viti 2021.
Duke i uruar mirëseardhje në kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten Von der Leyen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ai foli për përparimin e rëndësishëm demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik që ka shënuar vendi ynë, sikurse për përkushtimin ndaj reformave.
Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i plotëson të gjitha kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ndërsa, në prag të katërvjetorit të aplikimit, theksoi se kërkojmë, por edhe llogarisim në mbështetjen e Presidentes për hapjen e procesit të anëtarësimit të bazuar në merita, duke shtuar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat.
Ai tha se pesë ditë më parë, Qeveria e Republikës i miratoi 10 nga 12 ligjet, me afat qershorin, dhe i ridërgoi në Kuvend, ndërsa theksoi se është i bindur se deputetët do të veprojnë shpejt, që qytetarët e Kosovës të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes. Ai shtoi se bllokada në parlament mund të lërë prapa fondet evropiane për këto reforma.
Kryeministri Kurti theksoi se Aktgjykimi i Dhomave të Specializuar në Hagë ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel. Ai shtoi se derisa e ashtuquajtura Shtëpi e Verdhë as nuk u bë pjesë e aktakuzës, ranë pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile. Por, kryeministri thekoi se shqetësuese mbetet mungesa e thellë e transparencës dhe qasja tërësisht monoetnike e kësaj gjykate.














