Prishtinë, 1 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, me rastin e fillimit të muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit.
Kryeministri Kurti falënderoi të gjitha organizatat që, përmes punës së tyre të përditshme, u qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre, teksa theksoi se gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, prej tyre 592 te gratë dhe nëntë te burrat.
“Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë. I njëjti trend është evidentuar edhe në vitin e kaluar 2025, kur mbi 53.4 për qind e rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë jetik, ai tha se shqetësimet nuk duhet injoruar dhe kontrollet nuk duhet të shtyhen e të vonohen.
“Gjatë tre viteve të fundit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë kryer 136 ndërhyrje për rikonstruktimin e gjirit. Të gjitha falas, pra pa asnjë kosto shtesë për qytetarët dhe për këtë procedurë nuk ka më listë pritjeje. Çmimi në spitalet private sa për krahasim sillet prej 3000 deri në 5000 euro”, tha Kryeministri Kurti.
Në hapje të fushatës “Tetori Rozë”, kryeministri Kurti duke iu drejtuar grave që kanë zgjedhur ta ndajnë përvojën e tyre me të tjerët, tha se zëri juaj është kurajo për ato e ata që janë diagnostikuar rishtazi dhe i nxit të tjerat dhe të tjerët të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre.
“Unë ju falënderoj shumë për këtë forcë dhe bujari që tregoni”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj.Albulena Haxhiu,
I nderuari z. Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë,
E nderuara znj. Nafije Latifi, drejtore e “Jeta Vita”,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës,
Të nderuar deputete e deputet të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuara gra të cilat po përballeni me kancerin e gjirit, si dhe ju të cilat e keni kaluar këtë sëmundje,
Të nderuar përfaqësues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të institucioneve të tjera shëndetësore në vendin tonë, përfaqësues të shoqërisë civile, arkivistë të organizatave joqeveritare dhe të mediave,
Të nderuar ambasadorë që jeni të pranishëm sot këtu të akredituar në Republikën e Kosovës,
Të nderuar profesionistë shëndetësorë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Askush nuk duhet të përballet e vetme apo i vetëm me kancerin e gjirit, dhe ky është mesazhi i përbashkët i yni që përcjellim nga ky takim.
Jemi këtu për gratë që janë në trajtim dhe për ato të cilat e kanë përfunduar atë, që të rrisim vetëdijen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, pra, të zbulimit të hershëm dhe të trajtimit me kohë.
Falënderoj të gjitha organizatat që, përmes punës së tyre të përditshme, u qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre. Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit. 592 te gratë dhe nëntë te burrat.
Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin ose në fazën e tretë ose të katërt. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë.
I njëjti trend është evidentuar edhe në vitin e kaluar 2025, kur mbi 53.4 për qind të rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme.
Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira. Zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë jetik. Shqetësimet nuk duhet injoruar dhe kontrollet nuk duhet shtyrë e vonuar. Në shëndetësinë publike, që nga viti 2023, mamografia ofrohet falas. Së fundmi, një mamograf është blerë dhe tashmë është funksional në Fushë Kosovë.
Në shëndetësinë tek ne, konkretisht në Klinikën e Onkologjisë janë vendosur edhe dy akseleratorë të rinj. Njëri prej tyre është i pajisur me sistemin C-RAD, që ndihmon në realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë, i vetmi në rajon.
Por, përveç Fushë Kosovës janë edhe tetë mamografë të tjerë, e që të gjithë digjitalë, të cilët do të vijnë këtë vit dhe do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës, aty ku nuk ka.
Por, kujdesi ndaj pacientëve vazhdon edhe pas përfundimit të trajtimit. Pra nuk mjafton vetëm detektimi, por duhet trajtim i suksesshëm, pra shërim i plotë.
Gjatë tre viteve të fundit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë kryer 136 ndërhyrje për rikonstruktimin e gjirit. Të gjitha falas, pra pa asnjë kosto shtesë për qytetarët dhe për këtë procedurë nuk ka më listë pritjeje. Çmimi në spitalet private sa për krahasim sillet prej 3000 deri në 5000 euro.
Sot, dua t’u drejtohem veçanërisht grave që kanë zgjedhur ta ndajnë përvojën e tyre me të tjerët. Zëri juaj është kurajo për ato e ata që janë diagnostikuar rishtazi dhe i nxit të tjerat dhe të tjerët të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre. Unë ju falënderoj shumë për këtë forcë dhe bujari që tregoni.
Të nderuar pjesëmarrës, kujdesi për shëndetin nuk kufizohet në një muaj apo në një aktivitet. Le ta marrim mesazhin e kësaj dite, të flasim, ta mbështesim njëri – tjetrin dhe të kryejmë kontrollet e rekomanduara. Kontrollohu, për veten, për jetën!
Ju faleminderit për kontributin, pjesëmarrjen dhe vëmendjen!















