Prishtinë, 25 shtator 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konferencës Qendrore për Shënimin e Ditës Botërore të Turizmit, me temën: “RE: TOURISM – Inteligjenca Artificiale në promovimin e turizmit në Kosovë”, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se si shtet i ri me popullsi të re e popull të lashtë, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, si dhe me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, Kosova prezantohet para botës si një destinacion i sigurt, mikpritës dhe i vendosur për të ndërtuar një sektor modern, atraktiv dhe konkurrues.
Ndonëse të dhënat tregojnë qartë se turizmi në Kosovë është një sektor gjithsesi premtues, ai theksoi se në katër vitet e fundit, turizmi në vendin tonë ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke bërë kështu që numri i vizitorëve të shënoj një rritje mesatare prej rreth 20% nga viti në vit.
“Përmes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ne do ta promovojmë më fuqishëm Kosovën në tregjet ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja dhe duke synuar të tërheqim sa më shumë vizitorë nga mbarë bota”, tha ai, duke shtuar se si Qeveri e Kosovës, kemi vendosur që turizmit t’i japim një rëndësi të veçantë kur e kemi hartuar Strategjinë për Turizmin e Kosovës 2030 dhe tani po avancojmë tutje, hap pas hapi dhe synimi ynë strategjik është ta zhvillojmë turizmin në çdo cep të vendit tonë.
Teksa potencoi se përmes zhvillimit të turizmit synojmë të krijojmë më shumë mundësi punësimi, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë, kryeministri Kurti tha se pasuria jonë nuk qëndron vetëm te natyra, nga majat e larta të Bjeshkëve të Nemuna deri te bukuritë malore të Sharrit, ajo që na bën vërtet unikë janë njerëzit tanë, trashëgimia jonë kulturore, kalatë, monumentet, traditat dhe, mbi të gjitha, mikpritja jonë e ngrohtë, vlera që e prezantojnë Kosovën para botës.
Në shënim të Ditës Botërore të Turizmit, kryeministri falënderoi të gjithë ata që po e ndërtojnë këtë sektor çdo ditë, duke ftuar po ashtu të gjitha institucionet, komunat, bizneset, komunitetet, diasporën dhe partnerët tanë, që ta bëjmë këtë punë së bashku.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit,
E nderuara znj. Chiara Castaldo, zëvendës ambasadore e Italisë,
E nderuara znj. Sara Lindblom, sekretare e dytë në Ambasadën e Suedisë,
Të ndeuar zëvendësministra të Qeverisë, po i shoh këtu që janë Muhedin Nushi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pastaj Jeton Mehmeti nga Ministra e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Sejnur Veshall, nga Rinia dhe Sporti dhe Tijana Velkoviq, nga Kultura dhe Turizmi,
Gjithashtu të nderuar përfaqësues të ambasadave të akredituara në vendin tonë, të Hungarisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi,
Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, dhe gjithashtu të sektorit privat,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Republika e Kosovës po shënon në hartën e turizmit ndërkombëtar dhe po angazhohemi për një zhvillim të qëndrueshëm në përputhje me standardet dhe prioritetet e Organizatës Botërore të Turizmit, UN Tourism.
Si shtet i ri me popullsi të re e popull të lashtë, me një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, si dhe me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, Kosova prezantohet para botës si një destinacion i sigurt, mikpritës dhe i vendosur për të ndërtuar një sektor modern, atraktiv dhe konkurrues.
Të dhënat tregojnë qartë se turizmi në Kosovë është një sektor gjithsesi premtues. Në katër vitet e fundit, turizmi në vendin tonë ka shënuar rritje të vazhdueshme; numri i vizitorëve shënoi një rritje mesatare prej rreth 20% nga viti në vit. Ky trend pozitiv ka bërë që numri i vizitorëve të jetë dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, krahasuar me periudhën parapandemike, përkatësisht deri në vitin 2019.
Fluksi i tillë ka nxitur kërkesën për shërbime të akomodimit dhe të ushqimit, duke krijuar mundësi punësimi për shumë individë dhe familje. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 30,000 persona janë punësuar në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, e të cilët përbëjnë rreth 7% të fuqisë punëtore në vendin tonë.
Ky sukses i matshëm nuk ka ardhur vetvetiu, është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve shtetërore, angazhimit të operatorëve turistikë dhe potencialit të madh që ofron Kosova.
Përmes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ne do ta promovojmë më fuqishëm Kosovën në tregjet ndërkombëtare, duke hapur mundësi të reja dhe duke synuar të tërheqim sa më shumë vizitorë nga mbarë bota.
Si Qeveri e Kosovës, kemi vendosur që turizmit t’i japim një rëndësi të veçantë kur e kemi hartuar Strategjinë për Turizmin e Kosovës 2030. Tani po avancojmë tutje, hap pas hapi dhe synimi ynë strategjik është ta zhvillojmë turizmin në çdo cep të vendit tonë.
Përmes zhvillimit të turizmit synojmë të krijojmë më shumë mundësi punësimi, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë
Pasuria jonë nuk qëndron vetëm te natyra, nga majat e larta të Bjeshkëve të Nemuna deri te bukuritë malore të Sharrit. Ajo që na bën vërtet unikë janë njerëzit tanë, trashëgimia jonë kulturore, kalatë, monumentet, traditat dhe, mbi të gjitha, mikpritja jonë e ngrohtë, vlera që e prezantojnë Kosovën para botës.
Dhe sigurisht, kjo pamje nuk do të ishte e plotë pa mërgatën tonë të fuqishme, ambasadorët tanë në botë, të cilët jo vetëm që sjellin miq dhe vizitorë në vendlindje, por po kontribuojnë gjithnjë e më shumë edhe përmes investimeve dhe ideve të reja në turizmin e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, mënyra se si njerëzit udhëtojnë, kërkojnë informacion dhe zgjedhin destinacion po ndryshon. Edhe mënyra se si ne e zhvillojmë dhe e promovojmë turizmin tonë, padyshim se duhet të ecë me kohën.
Në kuadër të temës globale të UN Tourism “Digital Agenda and Artificial Intelligence to Redesign Tourism”, po nis edhe koncepti “Re: Tourism”, që nënkupton ta shohim, rishohim dhe ta ridizajnojmë mënyrën se si e zhvillojmë dhe promovojmë turizmin në Kosovë, duke e lidhur potencialin tonë turistik me mundësitë që ofrojnë digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale.
Në këtë Ditë Botërore të Turizmit, dua t’i falënderoj të gjithë ata që po e ndërtojnë këtë sektor çdo ditë, dhe dua që t’i ftoj të gjithë: institucionet, komunat, bizneset, komunitetet, diasporën dhe partnerët tanë, që ta bëjmë këtë punë së bashku.
Përbrenda Kosovës është e rëndësishme që turizmin ta lidhim me sportet e bjeshkatarinë, ta lidhim me arsimin dhe sistemin e edukimit në përgjithësi, në mënyrë që ta krijojmë kulturën e vizitës së natyrës dhe në këtë mënyrë të dimë për vetën tonë më mirë, ashtu që sa më shumë të tjerët të mësojnë për neve. Ndoshta vjen një ditë së shpejti në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kur nuk do të kemi më 18-vjeçarë në Republikën e Kosovës që nuk ka qenë në Gjeravicë, në Liqenat, në Luboten e në Rugovë.
Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme në këtë konferencë!
Urime Dita Botërore e Turizmit dhe ju faleminderit për pjesëmarrje!
















