Prishtinë, 15 shtator 2026
I nderuari Drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati,
I nderuari Koordinator i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley
I nderuar Shef i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Mattia Poretti,
I nderuari Përfaqësues i Përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara, Nuno Queirós
E nderuar Shefe e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko,
I nderuari Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
I nderuari zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, partnerë të shoqërisë civile,
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit për ftesën dhe, mbi të gjitha, ju jam mirënjohës për punën që është bërë për realizimin e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë – MICS 2025.
Sot, po marrim një pamje shumë më të qartë të Kosovës mbi atë se si po rriten fëmijët, çfarë mundësish kanë, ku kemi bërë përparim dhe ku vazhdojnë të ekzistojnë dallime, të cilat nuk duhet t’i pranojmë si të pashmangshme.
Politikat e mira fillojnë me njohjen e saktë të realitetit. Sepse, mund të kemi qëllime të mira, mund të kemi programe dhe investime, por pa të dhëna të besueshme nuk mund ta dimë me siguri nëse ato po arrijnë te njerëzit që kanë më së shumti nevojë. E, pikërisht këtu qëndron rëndësia dhe vlera e kësaj ankete.
Kosova tashmë ka tri pika krahasimi: Viti 2014, viti 2020 dhe viti 2025. Për herë të parë mund ta shohim jo vetëm fotografinë e një çasti, por edhe drejtimin në të cilin po lëvizë shoqëria jonë.
Dhe të dhënat që prezantohen sot na bëjnë të jemi optimistë, të arsyeshëm.
Në shumë prej treguesve që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm.
Kujdesi shëndetësor për nënat gjatë shtatzënisë është pothuajse universal. Përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se i dyfishuar, ndërsa gatishmëria e fëmijëve për fillimin e shkollës, ka arritur në nivelin prej 91 për qind.
Këto janë rezultate domethënëse.
Ky progres tregon se investimet, politikat publike dhe puna e institucioneve po japin rezultate.
Por, të dhënat na tregojnë njëkohësisht se puna jonë assesi nuk përfundon këtu.
Ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë dhe fusha, në të cilat mundemi dhe duhet të ecim më shpejt. Synimi ynë duhet të jetë që përparimi që po shohim sot, të shtrihet te secili fëmijë, te secila familje dhe në çdo pjesë të vendit tonë. Detyrën që kemi përpara, është që progresi të jetë gjithnjë e më i madh dhe të arrijë te të gjithë.
Prandaj, si Qeveri, mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve e kemi vendosur në qendër të politikave tona publike.
Kemi vendosur shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona. Kemi rritur dhe zgjeruar këtë mbështetje ndër vite. Kemi investuar në edukimin në fëmijërinë e hershme, kemi mbështetur programe për zhvillimin dhe intervenimin e hershëm dhe kemi krijuar më shumë mundësi për të rinjtë përmes politikave të punësimit dhe të aftësimit.
Të dhënat e MICS na japin mundësinë t’i vlerësojmë këto politika më mirë: Me të dhëna që na tregojnë se çka ka funksionuar.
Ato na tregojnë edhe diçka tjetër me rëndësi: Investimi social është investim në kapitalin njerëzor të Kosovës. Kur investojmë në fëmijë, në familje, në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, ne adresojmë nevojat e sotme dhe njëkohësisht krijojmë mundësi për një shoqëri më të shëndetshme, më të arsimuar dhe më aktive ekonomikisht.
Kjo është edhe më e vlefshme kur flasim për komunitetet joshumicë, si Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e të dhënat e veçanta për këto komunitete na mundësojnë të shohim më qartë dallimet dhe nevojat konkrete e të ndërtojmë politika që i përgjigjen realisht e praktikisht atyre. Këtu qëndron edhe një nga mësimet kryesore të MICS-it: Mbrojtja sociale dhe punësimi nuk duhet të shihen si politika të ndara. Mbështetja sociale duhet të shkojë krah për krah me arsimin, aftësimin, shërbimet e punësimit dhe përfshirjen ekonomike, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë mundësi, të ulim varfërinë dhe të parandalojmë që ajo të kalojë, përkatësisht të bartet nga një gjeneratë te tjetrën.
Rezultatet e anketës do të shërbejnë në hartimin e politikave sociale, në arsim, në shëndetësi, në politikat e punësimit, por dhe në planifikimin e investimeve tona të ardhshme për familjet, në veçanti për fëmijët.
Kjo është politikbërja e bazuar në evidencë. Dhe kjo është mënyra se si duam të qeverisim. Ta ruajmë atë që jep rezultat. Ta përmirësojmë atë që nuk mjafton. Dhe të ndërhyjmë aty ku ka nevojë.
Dua të falënderoj Agjencinë e Statistikave të Kosovës, UNICEF-in, Kombet e Bashkuara, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim dhe të gjithë ekspertët e profesionistët që kanë punuar në këtë proces.
Një falënderim i veçantë u takon mijëra familjeve anembanë Kosovës që kanë punuar në këtë proces dhe gjithashtu ua kanë hapur dyert e shtëpive të tyre, duke ndarë kohën, informacionin dhe përvojat e veçanta me anketuesit tanë.
Në këtë proces janë realizuar mijëra intervista me familje, gra, burra dhe fëmijë në mbarë vendin. Zaten, sikurse te çdo sukses, ka panumër ka aktivitete dhe aq shumë njerëz që kanë kontribuuar deri te kurorëzimi, të cilit i gëzohemi në fund që të gjithë. Pa pjesëmarrjen dhe besimin e këtyre, nuk do ta kishim sot këtë pasqyrë kaq të vlefshme të shoqërisë tonë.
E tani pas pasqyrës, përgjegjësia kalon te ne. Të dhënat i kemi. Ato na tregojnë ku kemi përparuar. Gjithashtu, na tregojnë se ku duhet të bëjmë më shumë.
Detyra jonë është që këto të dhëna t’i kthejmë në vendime, vendimet në projekte, por njëkohësisht në mundësi edhe më të mira për çdo fëmijë dhe çdo familje në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit për kontributin, vëmendjen dhe ju dëshiroj sukses gjithnjë e më të mëdha në të ardhmen.