Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi ATK-në: Mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar krahasuar me vitin e kaluar

Prishtinë, 2 shtator 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, vizituan Administratën Tatimore të Kosovës, me ç’rast u njoftuan me rezultatet e punës.

Duke falënderuar stafin dhe menaxhmentin, kryeministri tha se rezultatet e arritura nuk janë rastësi.

Krahas punës, përkushtimit dhe profesionalizimit të ATK-së, ai theksoi se rol shumë të rëndësishëm kanë pasur edhe ndryshimet dhe reformat ligjore të ndërmarra nga Ministria e Financave, të cilat kanë krijuar bazën e nevojshme për një administratë tatimore më moderne, më efikase dhe më të drejtë.

“Sot, rezultatet janë të matshme. Të hyrat tatimore janë rritur me rreth 14%, ndërsa aktivitetet operative me mbi 35%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por pas këtyre shifrave qëndron një tregues edhe më i rëndësishëm: ekonomia jonë po vazhdon të zhvillohet dhe të zgjerohet. Krahasuar me vitin e kaluar, kemi rreth 5,700 biznese më shumë dhe mbi 17,000 punëtorë më shumë të deklaruar. Kjo do të thotë më shumë aktivitet ekonomik, më shumë vende pune dhe një bazë më e gjerë për zhvillimin e vendit”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri shtoi se, në të njëjtën kohë, ATK-ja po ndryshon mënyrën se si ndërvepron me bizneset dhe qytetarët.

“Rritja e transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve të Departamentit të Ankesave, si dhe synimi që 100% e kontrolleve të bazohen në vlerësimin e riskut, janë hapa të rëndësishëm drejt një administrate më profesionale dhe më të besueshme. Rritja prej 46% e denoncimeve është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i rritjes së besimit në institucion. Ndërsa rënia e numrit të gjobave është në përputhje me një qasje që ne e kemi mbështetur: biznesi duhet së pari të këshillohet dhe të udhëzohet, ndërsa ndëshkimi duhet të jetë mjeti përfundimtar kur ligji shkelet me qëllim ose në mënyrë të përsëritur”, theksoi ai.

Duke ofruar mbështetjen e Qeverisë, kryeministri tha se pret që ATK-ja të vazhdojë me profesionalizëm, transparencë dhe trajtim të barabartë të të gjithë tatimpaguesve.

“Digjitalizimi është një tjetër drejtim ku duhet të vazhdojmë të ecim. Certifikimi i nëntë kompanive softuerike në procesin e fiskalizimit krijon më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi për shërbime më të mira dhe më të përballueshme për bizneset. Edhe investimi në njerëz është thelbësor.

Punësimi i inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve tregon se po ndërtojmë kapacitetet që i nevojiten ATK-së për të ardhmen”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Ministër i Financave, z. Hekuran Murati,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm, z. Mentor Hyseni,
Të nderuar drejtues dhe punonjës të Administratës Tatimore të Kosovës,

Është kënaqësi të jem sot këtu, së bashku me Ministrin e Financave, për t’ju takuar dhe për të vlerësuar punën tuaj.

Para së gjithash, dua të theksoj se rezultatet që ATK-ja po arrin sot nuk kanë ardhur rastësisht. Përveç punës së madhe të stafit dhe menaxhmentit të ATK-së, rol shumë të rëndësishëm kanë pasur edhe ndryshimet dhe reformat ligjore të ndërmarra nga Ministria e Financave, të cilat kanë krijuar bazën e nevojshme për një administratë tatimore më moderne, më efikase dhe më të drejtë.

Sot, rezultatet janë të matshme. Të hyrat tatimore janë rritur me rreth 14%, ndërsa aktivitetet operative me mbi 35%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por pas këtyre shifrave qëndron një tregues edhe më i rëndësishëm: ekonomia jonë po vazhdon të zhvillohet dhe të zgjerohet.

Krahasuar me vitin e kaluar, kemi rreth 5,700 biznese më shumë dhe mbi 17,000 punëtorë më shumë të deklaruar. Kjo do të thotë më shumë aktivitet ekonomik, më shumë vende pune dhe një bazë më e gjerë për zhvillimin e vendit.

Në të njëjtën kohë, ATK-ja po ndryshon mënyrën se si ndërvepron me bizneset dhe qytetarët. Rritja e transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve të Departamentit të Ankesave, si dhe synimi që 100% e kontrolleve të bazohen në vlerësimin e riskut, janë hapa të rëndësishëm drejt një administrate më profesionale dhe më të besueshme.

Rritja prej 46% e denoncimeve është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i rritjes së besimit në institucion.

Ndërsa rënia e numrit të gjobave është në përputhje me një qasje që ne e kemi mbështetur: biznesi duhet së pari të këshillohet dhe të udhëzohet, ndërsa ndëshkimi duhet të jetë mjeti përfundimtar kur ligji shkelet me qëllim ose në mënyrë të përsëritur.

Digjitalizimi është një tjetër drejtim ku duhet të vazhdojmë të ecim. Certifikimi i nëntë kompanive softuerike në procesin e fiskalizimit krijon më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi për shërbime më të mira dhe më të përballueshme për bizneset.

Edhe investimi në njerëz është thelbësor. Punësimi i inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve tregon se po ndërtojmë kapacitetet që i nevojiten ATK-së për të ardhmen.

Të nderuar,

Dua të jem shumë i qartë: këto janë rezultat i punës së ATK-së dhe stafit të saj. Roli i Qeverisë është ta mbështesë këtë punë dhe t’i krijojë institucionit kushtet për të vazhduar përpara.

Dhe kjo mbështetje do të jetë konkrete.

Ministri i Financave tashmë ka nënshkruar Rregulloren e re të Pagave, e cila nivelizon pagat për stafin e ATK-së me ato të Doganës. Kjo është edhe një mënyrë për të vlerësuar përgjegjësinë dhe rëndësinë e punës që bëni.

Pra, Qeveria do t’ju përkrahë në këtë rrugëtim: me reforma ligjore, me investime në teknologji, me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe me një organizim më të përshtatshëm për misionin tuaj.

Nga ana juaj, presim që të vazhdoni me profesionalizëm, transparencë dhe trajtim të barabartë të të gjithë tatimpaguesve.

Sepse një ekonomi e shëndoshë ka nevojë për një Administratë Tatimore të fortë. Dhe një Administratë Tatimore e fortë ndërtohet me njerëz profesionalë, teknologji moderne dhe besim të ndërsjellë me qytetarët dhe bizneset.

Ju falënderoj për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors