Podujevë, 1 shtator 2026
I nderuar ministër i Arsimit dhe Shkencës, z. Hajrulla Çeku,
I nderuar kryetar i Komunës së Podujevës, Prof. Shpejtim Bulliqi,
I nderuar drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës, z. Avni Fetahu,
I nderuar drejtor i Shkollës “Ilir Konushevci”, z. Blerim Zhitia,
I nderuar zëvendësministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, vëllau i dëshmorit Ilir Konushevci, z. Arton Konushevci, dhe z. Naim Zhitia, vëllau i dëshmorit Afrim Zhitia,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar mësimdhënës e prindër,
Shumë të dashur nxënës,
Të nderuar të pranishë,
Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin, këtu në fshatin Llugë, në fshatin e heroit tonë Ilir Konushevci, emrin e të cilit e mban edhe shkolla juaj. Jemi të lumtur që këtë investim po e përurojmë së bashku me njëri-tjetrin në këtë atmosferë festive. Gurthemelin e parë të këtij objekti të ri e patëm nisur në shtator të vitit 2022, me ish-ministren Arbërie Nagavci. Ndërsa sot, me fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator, shkolla e re me kushte moderne, hapësira sportive e kabinete, po hap dyert për ata që më së shumti e meritojnë: nxënësit.
Në ditën e parë të shkollës ka shumë emocione, ëndje për t’i parë shoqet e shokët e klasës përsëri, për ta parë mësuesen tuaj, për t’u ulur në këndin e preferuar të klasës. Për më të vegjlit që fillojnë për herë të parë, godina e shkollës mund të duket shumë e madhe, me hapa që nxitojnë, me prindër që u japin porositë fëmijëve, me buzëqeshje e gëzim, teksa mësuesi apo mësuesja mirëpresin nxënësit e saj apo të tij duarhapur.
Të gjithë që jemi këtu, mësues, prindër, zyrtarë shteti, udhëheqës e kemi një nisje të përbashkët. Secilin nga ne e kemi nisur me klasën e parë, me një çantë pakëz më gjerë se shpatullat e me bankat në klasë.
Nga ato banka kanë dalë mjekët që shërojnë, inxhinierët që ndërtojnë, artistë që frymëzojnë, ushtarë që mbrojnë, policë që sigurojnë, mësues që edukojnë, udhëheqës që drejtojnë, e shumë profesionistë të tjerë që çdo ditë me përkushtim i shërbejnë vendit e shoqërisë tonë. Nga 287 nxënësit e shkollës “Ilir Konushevci”, urojmë të shohim edhe më shumë mjekë, më shumë shkencëtarë, inxhinierë, sportistë, artistë e patriotë të së ardhmes. Çdo fillim, e ka një hap të parë. Shtëpia juaj e dytë bëhet vendi i dijes, pra shkolla. Pra kjo shkollë.
Të dashur mësues, u jemi mirënjohës përherë për punën tuaj. Ju mbani përgjegjësinë e lartë dhe barrën e madhe mbi supe, se si do t’i jepni formë shoqërisë e shtetit në të ardhmen. Andaj, mbështetjen dhe zhvillimin tuaj profesional e kemi detyrë edhe ne si udhëheqës. Partneriteti juaj edhe me prindërit, komunikimi mes shkollës dhe shtëpisë është çelësi. Prindërit ua besojnë pjesën më të çmuar të jetës së tyre dhe së bashku do t’ju jepni krahë të fortë fëmijëve.
Investimi në arsim gjithsesi hap mundësi të reja. Ndërtesa në dukje të parë është vetëm infrastrukturë. Megjithatë, vlera e vërtetë e këtij investimi do të matet në të ardhmen, me shumëfishimin e profesionistëve të rinj që do të dalin nga dyert e kësaj shkolle.
Mbështetja në arsim, është kthimi më afatgjatë për shoqërinë, ekonominë dhe shtetin tonë. Shkolla më cilësore do të thotë shoqëri më të zhvilluar, më prosperuese dhe inovative për brezin e ri.
Nuk ka investim më me mend, më të sigurt dhe më me ndikim se sa arsimimi i një brezi. Qeveria jonë ka realizuar investime strategjike në fushën e arsimit dhe të infrastrukturës përcjellëse në komunën e Podujevës, në vlerë të gjithmbarshme me afër 8.7 milionë euro.
Investimi në ndërtimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ilir Konushevci” në Llugë kap vlerën afër 1.8 milion euro dhe shtrihet në një sipërfaqe totale prej 2,600 m². Ky objekt modern arsimor është i kompletuar me të gjitha hapësirat e nevojshme administrative dhe mësimore, përfshirë klasat për mësimin parashkollor e fillor, klasat përcjellëse, kabinetet, bibliotekën, sallën e arsimtarëve, hapësira administrative e sistem adekuat të ngrohjes sportive, ku përveç infrastrukturës mësimore, investimi përfshin sallën e edukatës fizike, terrenin e jashtëm sportiv, si dhe hapësirat e gjelbra.
Projektet tjera të investimeve që po vijojnë në Podujevë janë: Qendra e Kompetencës me vlerë 2.4 milionë euro, tri çerdhe me vlerë të përbashkët mbi 1.8 milionë (njëra në qytet, një në Gllamnik dhe tjetra në Batllavë), si dhe salla e sportit e Shkollës Fillore “Shaban Shala” në Podujevë, me vlerë 380 mijë euro, duke garantuar kushte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe të rinjtë e Llapit.
Ne do të jemi përherë partnerë të qëndrueshëm për investim edhe më të madh në sistemin tonë arsimor, nga edukimi i hershëm e deri të arsimi i lartë, nga fëmijët në kopshte e deri te studentët në Universitete.
Shpirtin dhe jetën kësaj shkolle të re do t’ia jepni ju, mësues dhe nxënës të dashur.
Ju urojmë suksese të pandalshme në këtë kapitull të ri. Le të jetë kjo shkollë një vatër dijesh dhe një pikënisje për ëndrra të mëdha.
Ju priftë e mbara të gjithëve! Urime fillimi i vitit të ri shkollor, e ta gëzoni shkollën e re!