Prishtinë, 30 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e pllakës përkujtimore për zyrtarin policor, Triumf Riza, në lagjen Dardania në kryeqytet, në përvjetorin e 19-të të vrasjes në një sulm të planifikuar nga grupe kriminale.
Kryeministri Kurti tha se që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri, më 29 nëntor 1999, e deri në ditën kur ra në krye të detyrës, Triumf Riza u dallua për aftësitë profesionale, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij.
“Mbi të gjitha, ai u shqua për një parim të palëkundur: askush nuk mund të ishte i paprekshëm dhe askush nuk mund të qëndronte mbi ligjin. Triumfi nuk e shihte uniformën vetëm si profesion. Për të, ajo përfaqësonte përgjegjësinë për t’u shërbyer qytetarëve, për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur rendin e ligjshmërinë. Ai ishte shembull i zyrtarit policor të pa kompromis në përballje me grupet kriminale, duke e ditur faktin se përmbushja e detyrës mund ta vinte në rrezik edhe jetën e tij. Megjithëkëto, nuk u zmbraps. Ai qëndroi në anën e shtetit të së drejtës, rendit dhe ligjit, përballë atyre që synonin t’i zëvendësonin këto vlera me frikë, kërcënim, shantazh dhe dhunë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se misioni që Triumf Riza la në gjysmë nuk u ndërpre, por vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës, të cilët vazhdojnë ta jetësojnë betimin që kanë dhënë, duke shërbyer në çdo pjesë të vendit, duke u përballur çdo ditë me rrezikun dhe duke qëndruar në shërbim të qytetarëve.
Duke theksuar nevojën për drejtësi të plotë lidhur me vrasjen e zyrtarit policor Riza, kryeministri tha se kujtimi i Triumfit duhet të shërbejë si thirrje për institucione të forta, për drejtësi të paanshme dhe për përgjegjësi të plotë.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,
I nderuar zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha,
E nderuar familje Riza, z. Shefqet, znj. Mihrije,
Të nderuar eprorë të Policisë së Kosovës, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë të Triumfit,
19 vite më parë, pikërisht në këtë lagje, në lagjen Dardania të kryeqytetit, një sulm i planifikuar nga grupe kriminale i mori jetën zyrtarit policor Triumf Riza. Ajo ishte një ngjarje që tronditi thellë familjen e tij, Policinë e Kosovës, të gjithë neve që e kemi njohur dhe mbarë shoqërinë tonë.
Që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri, më 29 nëntor 1999, e deri në ditën kur ra në krye të detyrës, Triumfi u dallua për aftësitë profesionale, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij. Por, mbi të gjitha, ai u shqua për një parim të palëkundur: askush nuk mund të ishte i paprekshëm dhe askush nuk mund të qëndronte mbi ligjin.
Triumfi nuk e shihte uniformën vetëm si profesion. Për të, ajo përfaqësonte përgjegjësinë për t’u shërbyer qytetarëve, për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur rendin e ligjshmërinë. Ai ishte shembull i zyrtarit policor të pa kompromis në përballje me grupet kriminale, duke e ditur faktin se përmbushja e detyrës mund ta vinte në rrezik edhe jetën e tij. Megjithëkëto, nuk u zmbraps. Ai qëndroi në anën e shtetit të së drejtës, rendit dhe ligjit, përballë atyre që synonin t’i zëvendësonin këto vlera me frikë, kërcënim, shantazh dhe dhunë.
Që nga 30 gushti i vitit 2007, emri i Triumfit u bë pjesë e kujtesës së Policisë së Kosovës si simbol i guximit, përkushtimit dhe sakrificës në përballje me kriminalitetin. Pikërisht për këtë, vrasja e Triumfit nuk ishte vetëm humbja e një jete të re dhe e një polici të përkushtuar. Ajo ishte edhe një përpjekje për të goditur autoritetin e një institucioni, që kishte për detyrë të luftonte krimin dhe të mbronte qytetarët.
Por ajo përpjekje nuk e ndali Policinë e Kosovës. Misioni që Triumfi la në gjysmë nuk u ndërpre. Ai vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës. Vazhdoi përmes kolegëve të tij, shumë prej të cilëve janë edhe këtu sot bashkë me neve dhe që edhe pas 19 vitesh vazhdojnë ta jetësojnë betimin që kanë dhënë, duke shërbyer në çdo pjesë të vendit, duke u përballur çdo ditë me rrezikun dhe duke qëndruar në shërbim të qytetarëve.
Kjo është një prej mënyrave më të denja për ta nderuar Triumf Rizën, duke vazhduar punën që ai e bëri me përkushtim dhe duke mos lejuar që kriminaliteti të diktojë autoritetin dhe institucionet.
Por, sot, krahas kujtimit dhe dhimbjes për humbjen e tij, duhet të flasim edhe për nevojën që drejtësia për vrasjen e Triumfit të jetë e plotë. Përgjegjësia duhet të shkojë deri te çdo person që ka pasur rol në këtë vrasje, nga ekzekutori te kushdo që mund të ketë urdhëruar, organizuar, ndihmuar apo mundësuar atë.
Kujtimi i Triumfit le të shërbejë si thirrje për institucione të forta, për drejtësi të paanshme dhe për përgjegjësi të plotë.
Sot, në 19 vjetorin e vrasjes së Zyrtarit Policor Triumf Riza, përulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së tij. Emri i tij mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ndërsa kujtimi për të vazhdon të jetojë te kolegët, miqtë dhe familja e tij, por edhe te secili zyrtar i shtetit tonë. Përkushtimi dhe guximi me të cilin ai shërbeu, le të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës dhe kujtesë e përhershme e sakrificës së atyre që dhanë më të shtrenjtën në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Triumf Rizën!
Lavdi të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në krye të detyrës së tyre!



















