Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim ish-kongresistin Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi si dhe anëtarë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Prishtinë, 25 gusht 2026

Një ditë pas dekretit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, për dhënien e shtetësisë ish-kongresistit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i priti të dy në zyrën e tij dhe më pas zhvilloi një takim me anëtarë të bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Në takimin e përzemërt, kryeministri Kurti i falënderoi për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. “Të dy përherë dhe palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar”, tha kryeministri.

Ai falënderoi edhe anëtarët e Bordit të Ligës, me të cilët zhvilloi një diskutim të këndshëm për angazhimin e tyre të vyer dhe përkushtimin e paepur për atdheun, si dhe për aktualitetet dhe të ardhmen.

Ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, bashkë me plejadën e Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishin nga zërat e hershëm e të fuqishëm, mbështetës në kohët kur populli ynë kishte më së shumti nevojë të dëgjohej në botë.

“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë, edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull”, theksoi kryeministri.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors