Vushtrri, 14 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 100 zyrtarëve të rinj korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe që kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria.
“Nga sot ju përfaqësoni shtetin dhe institucionin. Në çdo situatë duhet të veproni me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet. Autoriteti juaj matet me drejtësinë dhe respektin që tregoni në punë. Shërbimi juaj korrigjon, pra është i drejtë; por shërbimi juaj edhe përmirëson, pra është i dobishëm”, tha ai.
Teksa në emër të Qeverisë uroi 100 kadetët, kryeministri theksoi se Kosova po zhvillon një shërbim korrektues, i cili gjithnjë e më shumë po fiton vlerësimin dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës është anëtar i organizatave ndërkombëtare, si Organizata Evropiane e Burgut dhe Shërbimeve Korrektuese- EuroPris dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve – ICPA, dhe gjithnjë e më shumë po fiton besimin e të gjithë partnerëve mbarë globit. Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese. Kjo na obligon neve bashkë të mbajmë standarde edhe më të larta”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuar zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
I nderuari drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani,
I nderuari ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shpend Shabani,
Të nderuar zëvendësministra, i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës.
I nderuari kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuar ambasador i OSBE-së, Gerard McGurk,
E nderuara zëvendës shefe e EULEX-it, Emily Rakhorst,
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur familjarë të kadetëve,
Zonja dhe zotërinj,
Dhe mbi të gjitha të dashur zyrtarë korrektues të gjeneratës së 46-të,
Sot 100 të rinj e të reja po përmbyllin me sukses përgatitjen e tyre profesionale dhe po e nisin detyrën e re në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria.
Republika e Kosovës ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush.
Në tri vitet e fundit, në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë të rinj korrektues. Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil.
Por, numrat nuk janë qëllim në vetvete. Pas çdo rekrutimi qëndron një përgjegjësi. Pas çdo uniforme qëndron një detyrë. Dhe pas çdo zyrtari qëndron besimi i qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve.
Kosova po zhvillon një shërbim korrektues, i cili gjithnjë e më shumë po fiton vlerësimin dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë.
Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës është anëtar i organizatave ndërkombëtare, si Organizata Evropiane e Burgut dhe Shërbimeve Korrektuese- EuroPris dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve – ICPA, dhe gjithnjë e më shumë po fiton besimin e të gjithë partnerëve mbarë globit. Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese. Kjo na obligon neve bashkë të mbajmë standarde edhe më të larta.
Të dashur zyrtarë,
Nga sot ju përfaqësoni shtetin dhe institucionin. Në çdo situatë duhet të veproni me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet. Autoriteti juaj matet me drejtësinë dhe respektin që tregoni në punë. Shërbimi juaj korrigjon, pra është i drejtë; por shërbimi juaj edhe përmirëson, pra është i dobishëm.
Sot familjet tuaja dhe Republika e Kosovës kanë arsye të jenë krenare për ju. Falënderoj Shërbimin Korrektues të Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri, instruktorët dhe të afërmit tuaj për mbështetjen që ua kanë dhënë.
Nga nesër fillon përgjegjësia e vërtetë. Mbajeni lart uniformën, zbatoni ligjin dhe shërbeni me ndershmëri, duke afirmuar profesionalizmin për çdo ditë në secilën situatë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju uroj suksese në detyrën tuaj. Urime Gjenerata e 46-të! Urime 100 zyrtarëve të rinj korrektues!
Shërbim të mbarë në mbrojtje të sigurisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit për ftesën e për vëmendjen!













