I nderuari z. Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe Rinisë,
E nderuara znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë,
I nderuari z. Stephen O’Malley, koordinator për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
I nderuari z. Habit Hajredini, kryesues i Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve dhe drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, profesorë të Universitetit,
Të dashur të rinj e të reja,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, nuk shënojmë vetëm një datë në kalendar, por shënojmë potencialin, energjinë dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, si vendi me popullsinë më të re në Evropë. Dhe kjo nuk është vetëm një e dhënë demografike, është një mundësi e madhe për shtetin tonë.
Pasuria jonë më e madhe janë të rinjtë, mirëpo potenciali siç e dimë nuk zhvillohet vetvetiu. Kërkon mundësi e mbështetje. Kërkon arsim cilësor, punësim adekuat, siguri dhe, mbi të gjitha, mirëqenie.
Prandaj, kur flasim për të ardhmen e Kosovës, duhet të flasim edhe për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve tanë. Sepse nuk mund të ndërtojmë kapital të fortë njerëzor pa investuar në mirëqenien emocionale të fëmijëve. Nuk mund të kërkojmë nga të rinjtë të mësojnë, të krijojnë, të punojnë, të kontribuojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen, nëse si shoqëri nuk ua sigurojmë mjedisin dhe mbështetjen që u nevojitet atyre.
Raporti i cili po lansohet sot na e bën edhe më të qartë këtë përgjegjësi. Shëndeti mendor i të rinjve është një shqetësim në rritje në mbarë botën. Edhe Kosova nuk bën përjashtim. Prandaj, është e rëndësishme që këtë çështje ta vendosim në fokus të diskutimit dhe të veprimit tonë.
Shëndeti mendor nuk është përgjegjësi e një ministrie të vetme në kuadër të qeverisë, e as e vetëm një sektori të shëndetësisë, por lidhet me edukimin që marrin, me familjen ku rriten, me komunitetin ku banojnë e jetojnë, me shërbimet publike që u ofrojmë dhe me mundësitë që krijojmë për ta. Kjo është edhe arsyeja pse, si Qeveri, fëmijët dhe të rinjtë i kemi vendosur në qendër të politikave tona.
Nga shtesat për fëmijë dhe mbështetja për studentët, te programet e punësimit, sikurse Superpuna, dhe angazhimit të të rinjve, sikurse Kosovo Generation Unlimited dhe deri te Strategjia Shtetërore për Rininë, ne po investojmë në brezin i cili do ta udhëheqë Kosovën nesër. Prandaj, i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti dhe i shohim ato si udhërrëfyes që ndihmon në forcimin e shërbimeve në shkolla dhe në komunitete, si dhe për ta përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe mekanizmave të ndryshëm e të veçantë, duke garantuar që asnjë fëmijë dhe asnjë i ri të mos mbetet i vetëm përballë sfidave. Që të gjitha këto, nuk janë thjeshtë politika sociale, janë investime në të ardhmen e Republikës.
Të dashur të rinj e të reja,
Sot dua t’ju drejtohem juve drejtpërdrejt. Zëri juaj ka shumë rëndësi. Mirëqenia juaj ka shumë rëndësi. Ëndrrat tuaja kanë shumë rëndësi. E ardhmja e Republikës së Kosovës nuk do të ndërtohet vetëm nga ne për ju. Ajo do të ndërtohet edhe nga ju dhe së bashku me ju.
Detyra jonë si institucione është të krijojmë kushtet që secili prej jush të jetojë me dinjitet, të zhvillojë talentin dhe potencialin e vet, të ketë mundësi për arsimim e punësim dhe të ndërtojë jetën që dëshiron dhe e meriton.
E falënderojmë UNICEF-in, Universitetin e Prishtinës, Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, Zyrën për Qeverisje të Mirë, institucionet e tjera, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe, mbi të gjitha, të rinjtë të cilët kanë kontribuar në këtë proces. Sepse investimi më i mirë që mund ta bëjmë si shtet është investimi në njerëzit tanë.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë dhe ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen.