Prishtinë, 9 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një grup prej rreth 25 studentësh nga mërgata, të cilët janë të angazhuar në rrjete të ndryshme akademike dhe profesionale në shoqërinë gjermane e zvicerane.
Në mesin e tyre, përfaqësues të AYO – Albanian Youth Organization e.V., DORA e.V., VaS (Vereinigung albanischer Studierender NRW e.V.) nga Gjermania si dhe Shoqatës Studenti nga Zvicra.
Në bashkëbisedimin e kryeministrit me studentët, u diskutua për zhvillimet politike në vend, rolin e të rinjve dhe të rejave mërgimtarë si dhe mundësitë për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe të rinjve tanë jashtë vendit.
“Idetë që janë zhvilluar nga përvojat e tyre në studime dhe në angazhimet shoqërore jashtë vendit janë një potencial i rëndësishëm për progresin e vendit tonë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se “detyra jonë është të krijojmë kushtet dhe mundësitë që ata të kontribuojnë e të bashkëpunojnë për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë”.



















