Zubin Potok, 4 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Iber Lepenci”, Faruk Mujka, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, vizitoi digën në liqenin e Ujmanit.
Duke theksuar rëndësinë që ka ky liqen, kryeministri tha se nga Ujmani furnizohen me ujë amvisëria, industria dhe në veçanti termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat më pastaj prodhojnë energji elektrike për vendin tonë.
“Kjo është pasuri e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe industrinë tonë. Andaj, ne do të bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi që t’i mbështesim punëtorët, menaxherët që t’i shërbejnë interesit publik dhe në këto kohëra të vështira, të ndryshimeve klimatike kur thatësirat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta e të paparashikueshme, natyrisht që vlera e Ujmanit vetëm sa rritet”, tha kryeministri Kurti.
Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:
Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me zëvendësit e saj në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjekun dhe Triera Kasumin, si dhe me kryeshefin e Ndërmarrjes Publike “Iber Lepenci” Faruk Mujkën, si dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria, nga ndërmarrja dhe nga diga e Ujmanit, ndodhemi pikërisht këtu në kreshtë, e cila është 10 metra përafërsisht e gjerë, e cila ka një gjatësi prej gjysmë kilometri, ndërkaq lartësi 107 metra, sepse bën akumulimin e liqenit më të madh që e ka Kosova, pra liqeni i Ujmanit, me gjatësi prej rreth 22 kilometra.
Ndërkaq sasia e gjithmbarshme e ujit apo vëllimi është 350 milionë metra kub, e mund të shkojë edhe në 370 milionë metra kub. Thellësia këtu prapa neve me metodën e batimetrisë është përcaktuar që i kalon 100 metra, apo më saktësisht është rreth 101 metra dhe 2/3 e sasisë së ujit që ka vendi ynë janë pikërisht në këtë liqe.
Diga e Ujmanit ka punëtorë gjithsej rreth 35. Njësia punuese e Ujmanit janë të gjithë serbë, duke përfshirë edhe punëtorët e digës së Ujmanit, digës së Pridvoricës dhe hidrocentralit. Ndërkaq, këtu në digën e Ujmanit që janë edhe përgjegjës për operimin e pajisjeve dhe matjeve janë 8 punëtorë si dhe 19 punëtorë të rinj.
Shërbimi i mirëmbajtës së liqenit, digave dhe infrastrukturës është themeluar në vitin 2024, i ka 25 punëtorë prej tyre janë 22 shqiptarë dhe 3 serbë.
Pra, edhe shqiptarët, edhe serbët punojnë së bashku në mënyrë që t’i shërbejnë ruajtjes së Ujmanit po njëkohësisht edhe përdorimit të mirë të tij, meqenëse nga Ujmani furnizohet me ujë edhe amvisëria, edhe industria, e në veçanti termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat më pastaj prodhojnë energji elektrike për vendin tonë.
Duhet theksuar që projekti “Flows” i Bankës Botërore, parasheh që të vendosen edhe sistemet e alarmimit të hershëm në digë, dhe këtu natyrisht që janë edhe këto katër porta të shkarkimit emergjent me kapacitet prej 1200 metra kub për sekondë.
Ujmani është një liqe i cili është ndërtuar në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar, përkatësisht diga është ndërtuar nga viti 1973 deri në vitin 1979, ndërkaq në vitin e fundit pra 1979-të, të asokohe është bërë edhe mbushja e liqenit.
Kjo është pasuri e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe industrinë tonë. Andaj, ne do të bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi që t’i mbështesim punëtorët, menaxherët që t’i shërbejnë interesit publik dhe në këto kohëra të vështira, të ndryshimeve klimatike kur thatësirat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta e të paparashikueshme, natyrisht që vlera e Ujmanit vetëm sa rritet.











