Kryeministri në detyrë Kurti hapi festivalin e artit dhe kulturës së diasporës “As anej, as knej”

Prishtinë, 3 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e festivalit njëmujor të artit dhe kulturës së diasporës “As anej, as knej”, në hotel “Grand” në Prishtinë.

I gëzuar që ishte bashkë me mërgatën në hapjen e ekspozitës dhe festivalit kulturor, i cili do të sjellë artistët nga mërgata për të reflektuar mbi dekada migrimi, malli e kthimi, kryeministri Kurti tha se mërgata jonë është e integruar mirë atje ku jeton, por me zemër, me mendje dhe me përkrahje, përgjithmonë ka qenë edhe në Kosovë.

Teksa foli për kohërat e vështira, përkatësisht vitet e 90-ta, kur ata nuk kishin mundësi të vinin në Kosovë, ai tha se megjithatë ata i mbajti malli për familjen e dashuria për atdheun. “E kur këtu ishin dëbimi, vrasjet dhe mjerimi i përditshëm, ju ishit ata që ia treguat botës se çka po bënte regjimi serb mbi shqiptarët. Në Gjenevë, në Londër, në Bonn, në Uashington: ju dilnit nëpër sheshe, protesta e tubime panumër dhe e ngritët zërin. Ju ishit lajmëtari i luftës çlirimtare anembanë botës”, tha kryeministri.

Me këtë rast, ai theksoi përkushtimin e Qeverisë që kthimi i mërgimtarëve të jetë i mundshëm jo vetëm për pushime, por edhe të punojnë, të investojnë, të banojnë, të krijojnë e të jetojnë, të lulëzojnë në atdheun e tyre.

“Krahas nismave që veçse i kemi ndërmarrë deri më tani, po i shtojmë programet që e fuqizojnë pjesëmarrjen e mërgatës në vend. E më lejoni t’i përmend tri prej tyre, sepse të tria ju takojnë juve. E para. Shërbimet konsullore po i digjitalizojmë plotësisht. Për shumicën e shërbimeve administrative nuk do të ketë më nevojë të paraqiteni patjetër fizikisht në konsullatë a në ambasadë. Pa radhë të gjata pritjeje. Pa udhëtime tërë ditën për një vulë. E dyta. Përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të vazhdojmë t’i mbështesim ndërmarrësit nga mërgata, deri në njëqind milionë euro investime që realizohen në Kosovë. Dhe shteti do të jetë garant për investimet e mërgatës. Republika juaj zotohet si hipotekë për kreditë investive të mërgatës së Republikës gjithnjë tuajën.
E treta. Në Prizren, në Parkun e Inovacionit dhe të Teknologjisë, po e zhvillojmë qendrën e parë të Kosovës për hulumtim e zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerë gjermanë, me akademinë, dhe me profesionistë nga mërgata jonë”, u shpreh ai.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuar znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, z.Faruk Ajeti,
I nderuari i ngarkuar me punë i Ambasadës së Zvicrës, z. Christoph Fuchs,
E nderuara atashe për kulturë e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, znj. Catalina Heine,
Të nderuar artistë dhe artiste,
Të dashura Elona Beqiraj, Sindi Zeneli dhe Blinera Berisha Gërvalla,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Gëzohem që jemi sonte bashkë këtu për ta hapur këtë ekspozitë dhe këtë festival kulturor njëmujor, i cili do t’i sjellë artistët tanë nga mërgata për të reflektuar mbi këto dekada migrimi, malli e kthimi.

Mërgata jonë është e integruar mirë atje ku jeton. Por me zemër, me mendje dhe me përkrahje, përgjithmonë ka qenë edhe në Kosovë.

Këto ditë vere e pushimi, kur prapë takojmë me qindra e me mijëra bashkatdhetarë nëpër Kosovë, dëgjojmë histori të mbledhura tashmë për tri, për katër, dekada.

“Së paku një herë në vit vijmë këtu, thojnë. Fëmijët tanë pushimet i bënin në Kosovë. Boll kishin dëshirë me shku në det ndoshta, a diku ku shokët e klasës i kalonin pushimet. Por çdo vit erdhëm në Kosovë.”

Fëmijëve, që ndonjëherë edhe mërziteshin nëpër udhëtimet e largta duke pritur në kufi, u thonin: “Duhet me shku, se po martohet djali i hallës a vajza e axhës. Gjyshja u plak. Shpia rri thatë njëmbëdhjetë muaj në vit. Duhet me ia çu një kerr nipit.” E kështu me radhë.

Vinit të gjithë përherë me padurim. Dhe s’mbeti kush pa ju pyetur “Sa keni me nejtë?”; “A ma mirë këtu, a atje?”. Çdo herë një arsye pse me ardhë në Kosovë. Çdo herë një arsye pse me u kthy në Gjermani, në Zvicër, në Suedi, a në Amerikë.

As anej. As knej.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në vitet nëntëdhjetë nuk vinit thuajse fare. Nuk kishit mundësi.

Malli për familjen e dashuria për atdheun, dhe një shpresë, edhe pse e pasigurt, ju mbajti.

Frika dhe shpresa, mallëngjimi dhe gëzimi, për mërgatën tonë jetojnë në të njëjtën zemër. Jo si kundërthënie, po si dy krahë që i mbajnë lidhur dy botë, aq të ndryshme nga njëra-tjetra, e megjithatë pjesë e të njëjtit realitet.

E kur këtu ishin dëbimi, vrasjet dhe mjerimi i përditshëm, ju ishit ata që ia treguat botës se çka po bënte regjimi serb mbi shqiptarët. Në Gjenevë, në Londër, në Bonn, në Uashington: ju dilnit nëpër sheshe, protesta e tubime panumër dhe e ngritët zërin. Ju ishit lajmëtari i luftës çlirimtare anembanë botës.

Asokohe “as anej, as knej” nuk ishte zgjedhje. Ishte gjendje pa zgjidhje.

E fëmijët e bashkatdhetarëve, gjenerata që sot e ka nënshtetësinë e vendit ku prindërit e tyre ishin refugjatë, u rritën me lajme të trishta, me prindër të pikëlluar, dhe me një ndjenjë se nuk ishin si të tjerët.

Fëmijët e tjerë dukeshin ndryshe, me më pak brenga. Pyesnin për emrin tuaj, që u tingëllonte pak i çuditshëm, e nuk arrinin sepse nuk dinin si ta shqiptonin tamam.

E pikërisht ky dualitet iu bëri kaq të fortë.

Sepse qëndrueshmëria e kësaj gjenerate u trashëgua nga qëndrueshmëria e prindërve. E u shtua e u shndërrua në krijimtari: në art, në kulturë, në shkencë, në biznes, në suksese që sot i sheh krejt bota, e që vetëm ai që është rritur në mërgatë e di se sa shtrenjtë janë paguar.

Dhe bekimi ynë, bekimi i Kosovës, është se këto shkathtësi nuk i mbajtët për vete. Nuk u asimiluat. Nuk e harruat mëmëdheun. Dhe flisni për të me krenari. Flisni për këtë popull që qëndron dhe krenoheni me qëndresën tonë.

E më lejoni të flas edhe për ata që qëndruan.

Sepse ky festival nuk është vetëm për ata që shkuan. Në titull e keni edhe hapësirën për ata që mbetën këtu: që i pritën dhe i përcollën, që e mbajtën shtëpinë, fshatin, shkollën, spitalin, gjuhën. Edhe ata e kanë njohur jetën me valixhe te dera. Vetëm se valixhja ishte e dikujt tjetër.

Prandaj sonte, në këtë kat, nuk takohen dy palë. Takohet një popull.

Me jetu në dy botë do të thotë dyfishim. Dyfish gëzim, por edhe dyfish barrë.

“Best of both worlds” tingëllon bukur në një reklamë. Në jetë, ai “both” e ka çmimin e vet. Sepse dyfish do të thotë edhe kështu:

Kur vdes dikush i yti, e ti je një mijë e tetëqind kilometra larg, e nis me llogarinë: sa orë me veturë, a ka fluturim sonte, a arrij deri në drekë nesër. E ndonjëherë nuk arrin.

Kur martohet motra a vëllai, e ti pushimin e ke lypë qysh në janar, e shefi të thotë jo, se në gusht s’ka kush punon. E ti shkon prapë, me tri netë pa gjumë në autostradë. Ose nuk shkon fare, dhe atë ndjenjë ttë mungesës e të fajit e mbart me vete për shumë vite me radhë.

Kur në fund të muajit e kishe një shumë para vetes, e dije se mund t’ia dërgoje nanës për barna ose për dru, ose mund ta paguaje orën e kitarës për fëmijën tënd. Të dyja janë të drejta. Të dyja janë dashuri. E ti duhej ta zgjedhje vetëm njërën.

Kur e ndërton shtëpinë këtu, në fshat, me kursimet e një jete, dhe dikush gjithmonë të pyet: “Kujt po ia maroni? A doni me u kthy?”.

Kjo nuk është ankesë. Kjo është llogari dhe gjeometri e përditshme e mërgatës sonë.

Dyfish dashuri, dyfish detyrim. Dyfish shtëpi, dyfish qira. Dyfish gjuhë, dyfish mall.

Dhe unë sonte dua ta them një gjë qartë si Kryeministër i Republikës: ne e dimë; ne e dimë se çdo euro që është dërguar në Kosovë, ka qenë edhe një euro për orë kitare që nuk është mbajtur, që nuk është paguar diku tjetër. Dhe ne nuk e marrim atë si të mirëqenë.

Sepse “as anej, as knej” nuk është vetëm gjendje e mërgatës. Është edhe një pyetje që i drejtohet shtetit.

Është e lehtë ta falënderojmë mërgatën në korrik dhe gusht. Në aeroport, në fjalim, në targat e veturave, në dasmat e shumta, nëpër dreka e darka.

Punë tjetër është që ta bëjmë që kthimi të jetë i mundshëm. Që vajza e cila u lind në Shtutgart dhe djali i cili u lind në Cyrih të kenë arsye të vijnë jo vetëm për pushime, por të punojnë, të investojnë, të banojnë, të krijojnë e të jetojnë, të lulëzojnë në atdheun e tyre.

Detyra jonë nuk është t’ju kërkojmë edhe më shumë. Detyra jonë është që juve t’ju duhet me zgjedhë sa më rrallë. Që të ardhurit në Kosovë të mos jetë sakrificë, e të qëndruarit të mos jetë humbje.

Krahas nismave që veçse i kemi ndërmarrë deri më tani, po i shtojmë programet që e fuqizojnë pjesëmarrjen e mërgatës në vend. E më lejoni t’i përmend tri prej tyre, sepse të tria ju takojnë juve.

E para. Shërbimet konsullore po i digjitalizojmë plotësisht. Për shumicën e shërbimeve administrative nuk do të ketë më nevojë të paraqiteni patjetër fizikisht në konsullatë a në ambasadë. Pa radhë të gjata pritjeje. Pa udhëtime tërë ditën për një vulë.

E dyta. Përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të vazhdojmë t’i mbështesim ndërmarrësit nga mërgata, deri në njëqind milionë euro investime që realizohen në Kosovë. Dhe shteti do të jetë garant për investimet e mërgatës. Republika juaj zotohet si hipotekë për kreditë investive të mërgatës së Republikës gjithnjë tuajën.

E treta. Në Prizren, në Parkun e Inovacionit dhe të Teknologjisë, po e zhvillojmë qendrën e parë të Kosovës për hulumtim e zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerë gjermanë, me akademinë, dhe me profesionistë nga mërgata jonë.

Sepse mërgata nuk është vetëm remitencë. Mërgata është dituri: inxhinierë, mjekë, hulumtues, arkitektë, mësimdhënës, artistë. E ne po e hapim një derë ku ajo dituri ka pse e si të vijë.

Prandaj sonte jemi këtu.

Elona, e cila e nisi këtë festival, para disa vitesh botoi në Gjermani një libër me poezi. E quajti: “Dhe ne vinim çdo verë.” Biografia e një gjenerate të tërë është në atë libër.

Elona, Sindi dhe Blinera, nga Berlini, por edhe nga Rugova, Tirana, Prishtina, edhe nga Vlora, këtë muaj janë këndej pari. Këtu, në Grand.

Bashkë me ta janë katërmbëdhjetë artistë: nga Gjermania, Zvicra, Belgjika e Holanda, nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, dhe nga Kosova. Instalacione, piktura, fotografi, filma të shkurtër, poezi dhe letërsi. Katërmbëdhjetë mënyra për ta thënë të njëjtën gjë: largësia nuk e ka shuar lidhjen.

Dhe e gjithë kjo, për të gjithë, pa asnjë cent hyrje. Ashtu siç duhet të jetë kultura dhe arti: të lirë dhe të qasshme për të gjithë.

Ekspozita mbetet e hapur deri më 29 gusht. Ju ftoj t’ia tregoni farefisit e miqve se këtë vit, në Prishtinë, duhet vizituar Grandi, kati i gjashtë i tij.

Të nderuar të pranishëm,

Për vite me radhë ne e kemi trajtuar “as anej as knej”-in si plagë. Si diçka që duhet shëruar. Si diçka që duhet zgjidhur: ose këtu, ose atje.

Ky festival na thotë diçka tjetër. Na thotë se hapësira në mes nuk është zbrazëti. Ajo është vend, ajo është vendi ynë. Që ka gjuhën e vet, humorin e vet, muzikën e vet, dhimbjen dhe gëzimin e vet.

Ju e kuptoni më së miri. Lum si mërgata që e ka edhe atë kulturë, atë humor, e atë gjuhë, por edhe këtë kulturë, këtë humor dhe gjuhën shqipe.

Prandaj mërgata jonë nuk është gjysmë, gjysmë atje e gjysmë këtu, por është aq e plotë, saqë më shumë se e tërë. Ajo është siç po e shohim e lexojmë, siç po e përjetojmë bashkë: edhe knej, edhe anej, edhe anej, edhe knej. E sidomos gjenerata e re e cila është diçka e re, që ne ende na duhet të mendojmë a thua si ta emërtojmë.

Shqipja që flitet me theks nuk është shqipe më e pakët. Është shqipe që ka udhëtuar më shumë.

Prandaj, Elona, Sindi, Blinera: ju faleminderit për këtë organizim.

E tash fjalën po ia lë muzikës. Sonte këndojnë Agona Shporta dhe Tringa Sadiku.

Ju faleminderit shumë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors