Prishtinë, 31 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot emëroi z. Agron Limani, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Agron Limani është aktivist i angazhuar prej më shumë se dy dekadash në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur me dhunë. Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç.
Gjatë luftës, Agron Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat. Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”.
Përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, ne jemi të përkushtuar dhe të palëkundur në përpjekjet tona në kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend.
Ndërsa gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30 vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.



