Prishtinë, 24 korrik 2026
I nderuar zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Më 7 qershor, për herë të tretë në më pak se 16 muaj, patëm zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të parat, ato të 9 shkurtit 2025, ishin të rregullta, pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar. Ndërsa, dy proceset pasuese zgjedhore, të dyja të parakohshme, në dhjetor e veçmas në qershor, kanë qenë të evitueshme dhe të panevojshme.
Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga ushtruesja e detyrës së presidentes, znj. Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes.
Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit ose presidentes së Republikës. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri, siç e dimë nevojitet shumica e thjeshtë. Ndërkaq, për presidentin ose presidenten, së paku në dy rundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 vjetëve, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj e tejkalon një parti politike.
Në këtë frymë, saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik, zhvillova takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022, ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.
Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni! Por, nuk u kemi thënë e as nuk kemi drejtë t’u themi, kthehuni! Kishim të drejtë politike t’ju themi, mos shkoni! Por, nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’ju themi, kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Ndërkaq, sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje.
Të dashur qytetarë,
E dashur mërgatë,
Ditët e verës te ne janë edhe ditët e ardhjes suaj në vendlindje e pranë familjes. Ardhja juaj ka gjallëruar vendin dhe kjo vërehet në secilën komunë të Republikës. Mirë se keni ardhur e mirë se vini në atdheun tuaj. Ju dëshiroj pushime të këndshme!
Të dashur qytetarë,
Ditëve të fundit po shohim e dëgjojmë lajme të këqija nga aksidentet e shpeshta me fatalitet në rrugët tona. Ju lutem për kujdes e respektim të rregullave të komunikacionit! Sikurse, i bëj thirrje Policisë së Kosovës të shtojë veprimet në drejtim të parandalimit të tejkalimit të rregullave, që do të mund të çojnë në aksidente në komunikacion.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Pa humbur kohë, vazhdojmë me pikat e rendit të ditës për sot.

