Prishtinë, 3 korrik 2026
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë dhe z. Lulëzon Jagxhiu, Ministër për Digjitalizim dhe Administratë Publike,
E nderuara znj. Anu Prattipati, e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,
E nderuara znj. Nora Raci, Kryeshefe Ekzekutive e Postës së Kosovës,
Të nderuar zëvendësministra, Getoar Mjeku, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Fatban Bunjaku, zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
Të nderuar anëtarë të Bordit, drejtues dhe zyrtarë të Postës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Për një komunikim të mirë të administratës shtetërore me institucione, biznese e qytetarë, ende na duhet formë e sigurt dhe e shpejtë e dërgimit të materialeve drejt tyre. Kurse, pullat postare, më shumë se për funksionin e tyre thelbësor, vazhdojnë të shërbejnë edhe si shenja të kujtesës historike të shtetësisë të secilit vend.
Edhe pullat postare të Kosovës vazhdojnë ta luajnë rolin promotiv të vlerave të Republikës tonë, të Republikës së Kosovës.
Tërësisë së veprimtarive për emetim, promovim, ekspozim e koleksionim të pullave postare, ju referohemi si Filateli. Filatelia e Postës së Kosovës funksionon në kuadër të Këshillit Kosovar të Pullës Postare, që emërohet nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Krahasuar me filatelitë tjera, Filatelia e Postës së Kosovës është e re. Për shembull, Britania e Madhe pullën e parë postare e ka emetuar qysh në vitin 1840. Ndër shqiptarë, pullën e parë postare e gjejmë në histori në vitin 1913, nën udhëheqjen e rilindasit Lef Nosi, i cili nëntë vite pas kësaj, në vitin 1922 e anëtarësoi Shqipërinë në Unionin Postar Universal.
Kosova pullën e parë postare, në anën tjetër, e ka emetuar më 15 mars të vitit 2000, vetëm një vit pas çlirimit dhe rifillimit të punës së Postës së Kosovës. Megjithëse Kosova nuk është anëtare e Unionin Postar Universal, arritjet tona në fushën e filatelisë janë të konsiderueshme.
Deri më tani janë emetuar 307 emisione, me 744 pamje të pullave postare. Blloku filatelik “Mendo gjelbër” në vitin 2017 ka zënë vendin e pestë në konkursin WIPA GrandPrix, një konkurs ndërkombëtar prestigjioz për pullat postare më të bukura në botë, i organizuar nga Ekspozita Ndërkombëtare e Pullave Postare në Vjenë të Austrisë, kurse pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, është përzgjedhur si pullë më përmbajtjesorë në botë në konkursin “San Gabriel” në Verona të Italisë.
Ndërmarrja Publike Qendrore “Posta e Kosovës” me Filatelinë e Postës së Kosovës ka vazhduar edhe këto vitet që jemi në qeverisje të emitojë pulla postare e emisione filatelike, krahas me rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrje publike e shtrirjes së rrjetit të saj të zyrave postare e të shërbimeve në mbarë territorin e vendit. Sot kemi 166 zyra postare gjithandej vendit ku ofrohen e shpërndahen shërbimet e operatorit tonë publik postar. Në Postën e Kosovës shërbejnë gra e burra të vyer, të të gjitha komuniteteve që me punën e mundin e tyre i qëndrojnë pranë qytetarëve të Republikës për t’ju shërbyer atyre.
Pulla të cilën po e emetojmë sot është nder për një përvjetor të rëndësishëm. Por aleanca jonë e bazuar siç është në vlera universale si liria dhe barazia, paqja dhe demokracia është e përhershme. Me këtë rast, u urojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës 250-vjetorin e Pavarësisë dhe popullit amerikan një Ditë të Pavarësisë të gëzuar. Dhe, mbi të gjitha, urojmë që miqësia ndërmjet vendeve tona të vazhdojë përgjithmonë.
Përmes pullave postare kemi promovuar trashëgiminë kulturore e historike të vendit tonë, luftën tonë për çlirim, bukuritë e pasuritë natyrore të vendit tonë, të arriturat në kulturë, shkencë dhe sport, diversitetin, shoqërinë tonë civile, e tema të tjera.
Shumë personalitete botërore kanë qenë koleksionist të pasionuar të pullave postare, si Mbretëresha Elizabeta II, Simon Wiesenthal, John Lennon, e Presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt, të cilit i atribuohet thënia se: “niveli kulturor i një vendi vlerësohet edhe për nga numri i koleksionistëve filatelik”.
E pra, sot jemi këtu për ta promovuar këtë pullë të veçantë, pullën që Filatelia e Postës së Kosovës ia dedikon një date specifike: shënimit të 250 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, edhe përtej kësaj date të rëndësishme, kjo pullë shërben për një afirmim simbolik të partneritetit të fortë dhe raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset tona shtetndërtuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike. Dhe kjo përkrahje vazhdon të luajë një rol jetik në sigurinë dhe në zhvillimin e vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Kur pasardhësit tanë ta festojnë me 4 korrik 2076 përvjetorin e 300-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne mbase nuk do të jemi, e mbase edhe pullat postare s’do të jenë më fare në përdorim. Por një gjë është e sigurt: Aleanca jonë, partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të vijojë të jetojë, po aq i fortë dhe i qëndrueshëm sikurse që është edhe sot. Dhe kjo kujtesë e popujve tanë do të mbetet përgjithmonë e shënuar në pullën që po e dedikojmë sot.
Gëzuar dhe faleminderit!


