Prishtinë, 3 korrik 2026
I nderuar ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja,
I nderuari ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Rainer Rudolf,
I nderuar drejtor i GIZ-it, në Kosovë, z. Markus Delfs,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Të dashur përfitues,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë e rëndësishme për bujqësinë, për ekonominë rurale dhe Republikën e Kosovës në përgjithësi.
Ngjarja e sotme është shumë më tepër se sa shpallja e përfituesve të një skeme investimesh. Ajo dëshmon se kur institucionet funksionojnë me integritet, partneritetet ndërtohen mbi besim dhe ekziston një vizion i përbashkët rezultatet janë konkrete.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit e të rritjes ekonomike, të sigurisë ushqimore e të ekonomisë prodhuese.
Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë, është investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vende pune.
Për ne bujqësia është edhe çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese, më pak të varur nga importet dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike të së ardhmes.
Partneriteti ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, përmes GIZ-it, ka qenë për më shumë se dy dekada një nga partneritetet më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit tonë bujqësor.
Ky bashkëpunim ka mbështetur investimet, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e politikave moderne në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Një moment i rëndësishëm u shënua në vitin 2023, kur Qeveria e Republikës së Kosovës iu bashkua këtij programi si bashkëfinancuese. Për herë të parë shteti ynë nuk ishte vetëm përfitues i mbështetjes ndërkombëtare, por edhe një bashkë investues në një program të kësaj përmase. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt marrjes së përgjegjësisë më të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Interesimi për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i madh. Mbi 1200 fermerë dhe ndërmarrës rural aplikuan, ndërsa pas një procesi transparent dhe konkurrues janë përzgjedhur 643 përfitues. 556 në LOT-in e parë, 65 në LOT-in e dytë dhe 22 në LOT-in e tretë. Këto nuk janë vetëm shifra, janë 643 investime në ekonominë e Kosovës, qindra biznese të cilat do të modernizohen, vende të reja të punës që do të krijohen dhe familje të cilat do të kenë më shumë mirëqenie e siguri ekonomike.
Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës shpallet një numër kaq i madh përfituesish të një skeme investimesh në një proces të vetëm.
Jam veçanërisht krenar që këto investime shtrihen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Ky është modeli ynë i zhvillimit, mundësi të barabarta për çdo rajon dhe zhvillim që arrin në çdo komunë.
Rreth 35 për qind e përfituesve janë gra. Programi përfshin të gjitha komunitetet joshumicë të njohura zyrtarisht në Republikën e Kosovës, ndërsa një numër i konsiderueshëm përfituesish janë të rinj të cilët po e shohin bujqësinë dhe sipërmarrjen rurale si perspektivë për të ardhmen e tyre.
Përmes kësaj mase po mbështeten sektor me potencial të lartë zhvillimor si, agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, prodhimi i mjaltit, kultivimi bimëve mjekësore dhe aromatike, aquakultura dhe aktivitete të tjera të cilat krijojnë më shumë vlerë të shtuar.
Objektivi ynë është i qartë ta zhvillojmë industrinë agropërpunuese, ta rrisim konkurrueshmërinë dhe të krijojmë më shumë vlerë në vendin tonë.
Ky program është pjesë e reformës tonë më të gjerë për modernizimin e bujqësisë dhe përgatitjen e institucioneve për menaxhimin e fondeve të zhvillimit rural të Bashkimit Evropian.
Me mbështetjen e GIZ-it dhe të Bashkimit Evropian, po forcojmë kapacitetet tona institucionale në mënyrë që Kosova të menaxhojë fondet evropiane sipas standardeve më të larta, të transparencës, përgjegjësisë dhe efikasitetit.
Në këtë rast dëshiroj të shprehë mirënjohjen time të sinqertë, për Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, Ambasadën Gjermane dhe GIZ-in, të cilët prej shumë vitesh janë partnerë të besueshëm të Republikës së Kosovës.
Mbështetja juaj ka kontribuar jo vetëm në zhvillimin e bujqësisë tonë, por edhe në forcimin e institucioneve dhe në afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Të dashur përfitues,
Sot shteti po investon te ju sepse beson në potencialin dhe përkushtimin tuaj. Ne presim që ky besim të kthehet në investime cilësore, në biznese më të fuqishme, në vende të reja pune, dhe në histori suksesi të cilat do t’i frymëzojnë të tjerët.
Ne e kemi vendosur fermerin dhe bujkun meritor në qendër të politikave bujqësore. Mbështetja direkte financiare gjatë qeverisjes sonë përreth pesë vjet ishte mbi 350 milionë euro dhe numri i përfituesve është rreth 150 mijë.
Bujqësia përfshirë këtu, por në masë më të vogël edhe pylltarinë, gjuetinë dhe peshkimin, është sektor tejet i rëndësishëm për zhvillimin e Republikës sonë, sepse përbën 7.3 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të investojë në prodhim, inovacion dhe zhvillim rural, sepse besojmë se një shtet është më i fortë kur prodhon më shumë, krijon më shumë vlerë të shtuar dhe zhvillimi ekonomik arrin në çdo komunë e në çdo familje pa dallim.
Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak, analiza pacientesh në spitale është ë nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë, analiza ushqimesh që na servohen.
Prandaj, do t’ju mbështesim për standardizim e certifikim. Cilësia dhe ligjshmëria janë hovi i ardhshëm i shtimit të eksporteve, i zëvendësimit të importeve dhe i konkurrueshmërisë evropiane.
Suksesi i fermerëve, prodhuesve dhe sipërmarrësve tanë është edhe suksesi i Republikës së Kosovës.
Urime të gjithë pjesëmarrësve, ju uroj shumë suksese në realizimin e investimeve tuaja.
Ju faleminderit për ftesën dhe për vëmendjen!