Prishtinë, 3 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë në diplomimin e gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Kurti, tha se të diplomuarit nuk janë vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqës të së ardhmes të ushtrisë sonë.
“Sot është një ditë e veçantë për ju dhe ditë krenarie për Republikën e Kosovës. Pikërisht këtu, në kazermën “Adem Jashari”, pra vendin që mban emrin e Kryekomandantit të UÇK-së, ushtrisë sonë po i shtohen 12 oficerë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses rrugëtimin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit”, theksoi kryeministri në detyrë Kurti.
Kryeministri në detyrë Kurti, ua kujtoi oficerëve të rinj se janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga ajo trashëgimi e shenjtë burojnë forca, guximi dhe vendosmëria.
“Ajo (UÇK-ja) është themeli i identitetit tuaj ushtarak dhe burimi i shpirtit luftarak, i cili ju jep aftësinë të qëndroni të palëkundur përballë çdo sfide dhe çdo rreziku që mund ta keni dhe në fund do të dilni triumfues, ashtu siç ka ngadhënjyer përherë ushtria jonë”, tha ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuar ushtruese e detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
Të nderuar atashe ushtarakë dhe të mbrojtjes të shteteve mike dhe partnere,
Të nderuar përfaqësues të KFOR-it e të NALT-it,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar partnerë të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të dashur kadetë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Sot është një ditë e veçantë për ju dhe ditë krenarie për Republikën e Kosovës. Pikërisht këtu, në kazermën “Adem Jashari”, pra vendin që mban emrin e kryekomandantit të UÇK-së, ushtrisë sonë po i shtohen 12 oficerë të rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses rrugëtimin katërvjeçar të përgatitjes akademike, ushtarake dhe të lidershipit.
Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqës të së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni fituar dije, disiplinë dhe keni ndërtuar karakter ushtarak. Gjatë kësaj periudhe jeni mishëruar me vlerat ushtarake, vlera këto, të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta realizoni në shërbim të Republikës.
Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve, mbrojtjen e ka vendosur si njërin ndër prioritetet kryesore. Kemi investuar mbi 460 milionë euro në blerje të armatimit, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajnimet, por mbi të gjitha kemi investuar në shkollimin dhe edukimin e ushtrisë. Këto janë komponentë të rëndësishëm e do të thoshim të domosdoshëm për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar, të pajisur, për të pasur një ushtri të shkolluar, një ushtri të fuqishme, një ushtri si kjo e jona që kemi tani, e që do ta forcojmë edhe më shumë në të ardhmen.
Në mandatin e ardhshëm, do të investojmë 1 miliard euro në ushtri, do t’i kemi 1000 vajza e gra pjesë të ushtrisë sonë, pra një rritje prej dy herë e gjysmë numrit aktual, do të kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do të kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakët më të përgatitur e më të shkolluar që kemi pasur ndonjëherë, sepse pjesëtarët tanë janë pasuria jonë më e madhe që kemi.
Investimet në infrastrukturë, në sisteme të armatimit dhe edukimin e pjesëtarëve të ushtrisë sonë, të gjitha këto paraqesin dëshmi që po punojmë fort dhe së bashku, që të jemi ofrues të sigurisë, duke plotësuar në vazhdimësi kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtar i NATO-s, si një nga qëllimet kryesore të qeverisë sonë. Për më tepër, kjo dëshmon që jemi partner serioz ndaj aleatëve tanë dhe partnerëve tanë strategjik të shteteve të NATO-s.
Të dashur oficerë, nga sot mbi supet tuaja vendoset një përgjegjësi e madhe. Ju do të udhëhiqni ushtarë, do të merrni vendime të rëndësishme dhe do të jeni shembulli i integritetit, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj detyrës. Udhëhiqni gjithmonë me dijen që keni fituar, me guxim që keni, me drejtësi dhe me respekt, duke u përkujdesur për secilin ushtar që do të keni nën varësi tuajën.
Në momentet më të vështira që do t’ju dalin përballë, në situata të rënda, kujtojeni gjithmonë se jeni pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ajo trashëgimi e shenjtë burojnë forca, guximi dhe vendosmëria juaj. Ajo është themeli i identitetit tuaj ushtarak dhe burimi i shpirtit luftarak, i cili ju jep aftësinë të qëndroni të palëkundur përballë çdo sfide dhe çdo rreziku që mund ta keni dhe në fund do të dilni triumfues, ashtu siç ka ngadhënjyer përherë ushtria jonë.
Të nderuar familjarë të oficerëve, sot ju qëndroni këtu me një krenari që vetëm zemrat tuaja të mëdha e njohin, sepse përmes bijave dhe bijve tuaj po e forconi mbrojtjen e atdheut dhe po i jepni Republikës së Kosovës më të çmuarën që keni. Prandaj, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë juve, për mbështetjen që iu keni dhënë fëmijëve e familjarëve tuaj gjatë këtij rrugëtimi.
Gjithashtu, falënderoj instruktorët dhe stafin akademik e ushtarak, që kanë kontribuar në formimin e kësaj gjenerate të mrekullueshme.
Republika e Kosovës ka nevojë për udhëheqës të përgatitur, me integritet dhe me vizion. Jam i bindur se ju do ta përmbushni këtë mision me nder, duke bërë gjithmonë krenare Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shtetin tonë të pavarur, sovran dhe demokratik.
Urime edhe një herë për këtë arritje të jashtëzakonshme! Ju dëshiroj suksese në rrugën përpara në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë.

















