Prishtinë, 20 qershor 2026
E nderuar znj, Mimoza Kusari-Lila, ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Anu Prattipati, e ngarkuara me punë e misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,
I nderuari z. Cyprien Francois, ushtrues i detyrës së shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
Të nderuar kolegë të tjerë nga Qeveria, Kuvendi dhe institucionet shtetërore,
Të dashura gra ndërmarrëse,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sa herë që mblidhen gratë në një vend, aty mblidhen edhe ide, përvoja, ambicie dhe histori të cilat meritojnë të dëgjohen. Sot, në këtë sallë janë gra që kanë vendosur të krijojnë mundësi aty ku shpesh kanë ekzistuar pengesa, gra që kanë zgjedhur të ndërtojnë, të investojnë dhe të udhëheqin.
Prania juaj këtu është dëshmi e një ndryshimi të rëndësishëm që po ndodh në ekonominë e vendit tonë. Çdo biznes që ju drejtoni, çdo vend pune që ju krijoni dhe çdo sfidë që tejkaloni, kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të fortë.
Viteve të fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e përfaqësimin të grave në politikë. Sot, në institucionet tona kemi gra politikane të shquara që udhëheqin me dije, kompetencë, guxim dhe integritet të lartë. Ky progres në sferën politike është konfirmim se kur grave u krijohet hapësira, ato dëshmojnë se janë të zonjat të drejtojnë procese të rëndësishme.
Mirëpo, emancipimi politik e shoqëror mbetet i brishtë pa emancipimin dhe pavarësinë ekonomike. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk mund të ecë me gjysmën e hapit. Ai kërkon potencialin e plotë të të gjithë qytetarëve tanë. Prandaj, edhe konferencat, samitet e këtilla sikurse ky sot këtu janë kaq jetike.
Është e domosdoshme që këtë sukses që po e shohim në sferën politike, ta shohim me të njëjtën dinamikë edhe në ekonomi, në ndërmarrësi, e në pronësi të bizneseve. Një grua ekonomikisht e pavarur është shtyllë e një familjeje të fortë, e një shoqërie përparimtare dhe e një ekonomie të zhvilluar.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se barazia është parimi udhëheqës dhe rruga e vetme drejt progresit. Prandaj, jemi kujdesur që mbështetja jonë për gratë në biznese të mos mbetet vetëm deklarative, por të përkthehet në programe të dedikuara, si subvencionimi i drejtpërdrejtë dhe lehtësimi i qasjes në financa. E rezultatet flasin vetë.
Vitet e fundit përmes skemës për makineritë prodhuese dhe përpunuese janë mbështetur gjithsej 399 biznese, prej të cilave 55 me pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Përmes skemës së certifikimit të produkteve janë mbështetur 60 biznese, prej të cilave 11 biznese me pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Në kuadër të projektit “Iniciativa për Fuqizim Digjital”, janë mbështetur 124 ndërmarrje, prej të cilave 69 me pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Në sektorin e artizanatit janë mbështetur 7 biznese, prej të cilave 5 me pronësi ose bashkëpronësi të grave. E në fushën e inovacionit dhe start-up-eve janë mbështetur 49 biznese, prej të cilave 12 me pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Vetëm gjatë vitit 2025, janë mbështetur 16 biznese të grave në industrinë kreative dhe 8 biznese të grave në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Gjithsej, përmes skemave të ndryshme mbështetëse janë përkrahur 732 biznese, prej të cilave 176 biznese me pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Pas secilit grant, secili projekt, secili biznes, është aty sepse aty janë gratë, të cilat kanë marrë guximin të investojnë, të punësojnë, të prodhojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë.
Përveç skemave të granteve të mbështetjes së drejtpërdrejtë për bizneset, Qeveria, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me në krye ministren tuaj e tonë, Mimoza Kusari Lila, po investon rreth 30 milionë euro në vit në ndërtimin dhe zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike, duke krijuar mundësi të reja për ndërmarrësit, përfshirë gratë ndërmarrëse, si dhe duke rritur kapacitetet për prodhimin e produkteve “Made in Kosova”.
Njëkohësisht, po punojmë në promovimin e bizneseve të suksesshme vendore në tregjet ndërkombëtare. Një shembull i mirë është pjesëmarrja e 10 bizneseve të udhëhequra nga gra në panairin “She Leads”, i mbajtur javën e kaluar në Cyrih të Zvicrës, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Edhe gjatë këtij viti 2026, do të vazhdojmë të zgjerojmë mbështetjen për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave, përfshirë edhe themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse, te Agjencia, të cilën po e krijon Ministria.
Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, do të nisë Programi “Superpuna për Gratë”, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke krijuar përfitime si për punëmarrëset ashtu edhe për bizneset.
E të nderuara gra ndërmarrëse,
Në planin afatshkurtër deri në afatmesëm, një sfidë që do ta ketë ekonomia jonë, e cila po rritet me 4 për qind në vjet, është pikërisht fuqia punëtore. Së pari fuqia punëtore, dhe së dyti që ndoshta është së pari, fuqia punëtore e kualifikuar. Prandaj, kjo “Superpuna për Gratë”, ekziston si program në mandatin në vijim, në mënyrë që sa më shumë gra të punësohen dhe të fitojnë.
Ndërkaq, sistemi dual, i cili ia ka 16 profile, do t’i ketë edhe 10 të reja, në mënyrë që ky punësim të jetë punësim i kualifikuar. Pra, të jetë punësim sa më cilësor, ashtu që edhe përfitimi i bizneseve, por edhe pagat në sektorin privat të shkojnë duke u ngritur.
Gjithashtu, industritë kreative do të jenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, me 200 milionë euro investime të planifikuara për të forcuar sektorë sikurse marketingu, arkitektura, botimet, arti, dizajni, moda, filmi, artizanati, videolojërat dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit. E të gjitha këto ne i bëjmë për shkak se besojmë në juve.
Ka studime të shumta, të cilat tregojnë që gra nuk ngelen prapa burrave në performancë, në sukses, në rezultat. Por, a e dini çfarë ka më shumë karshi grave. Ka më shumë dyshim, ka më shumë skepticizëm paraprak në performancën e tyre. Rrjedhimisht problemi nuk janë gratë, problemi janë ata që dyshojnë në gra, problemi janë ata që janë skeptikë për gratë, e mandej kjo i mëveshët grave, përkatësisht perfomancës së tyre.
Me fjalë të tjera në Kosovë, por jo vetëm, se kjo është gjithandej botës, ku më shumë e ku më pakë dhe ndryshon përgjatë kohës së historisë, nuk është problemi mungesa e perfomancës së grave, sa tepria e skepticizmit karshi tyre. E ne si Qeveri e Republikës së Kosovës me programe konkrete dëshmojmë se ne besojmë në ju. Ne nuk dyshojmë në ju, ne nuk jemi skeptikë për ju, përkundrazi ne besojmë fortë tek ju.
Të dashura ndërmarrëse,
Suksesi juaj është sukses i Kosovës. Çdo biznes i udhëhequr nga një grua, çdo vend pune i krijuar dhe çdo produkt që depërton në tregjet ndërkombëtare e bën shtetin tonë më të fortë, më të mirënjohur dhe më të zhvilluar.
Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të jemi partnerë të fuqishëm në rrugëtimin tuaj drejt suksesit.
Uroj që edhe Konferenca e Parë e Grave në Biznes në këtë format kaq të madh “She Rises” të arrijë synimet e dëshiruara.
Urime dhe suksese të tjera të reja edhe më të mëdha në të ardhmen.
Faleminderit për ftesën!