Fjala e kryeministrit në detyrë Kurti në ceremoninë e diplomimit të rreth 200 studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë

I nderuar z. Hajrulla Çeku, ministër i Arsimit dhe Shkencës,
I nderuar Rektor, profesor Armand Krasniqi,
E nderuar ish-ministre Arbërie Nagavci dhe ish-zëvendësministër Taulant Kelmendi,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,
I nderuari staf akademik dhe staf administrativ,
Të dashur të diplomuar të Universitetit “Haxhi Zeka”,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Ndihem i nderuar që sot bashkë me ju të marrë pjesë në një moment kaq të veçantë për afër 200 studentë që po diplomohen nga pesë njësitë akademike në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë (Fakulteti i Biznesit, Fakulteti i Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Agrobiznesit dhe Fakulteti i Arteve).

Universiteti “Haxhi Zeka”, ka bërë hapa të mirë drejt përmirësimit të performancës akademike. Me programe studimi në nivelin Bachelor, Master, dhe madje edhe Doktoratë në fushën e Biznesit dhe Ekonomisë, si i vetmi Universitet tjetër publik pas Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ne jemi dëshmitarë pra të një fryme inovative dhe të angazhimit të përbashkët për arsim edhe më cilësor.

Qeveria po investon tani, që e ardhmja e studentëve të jetë sa më e ndritur, duke u nisur nga kurrikulat apo plan programet e modernizuara, shtimi i partneriteteve ndërkombëtare, dhe investimet në infrastrukturë. Ndërtesa e re e Fakultetit të Biznesit dhe atij të Menaxhimit të Turizmit me vlerë prej 5 milionë euro, si dhe ndarja e shumës prej 3.5 milionë euro për ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit, janë dëshmi e zotimit tonë për t’ju ofruar mjedise më të mira për kushtet e studimit dhe aftësitë krijuese. Ne sendërtojmë hapësira, e ju studentë të dashur, duhet t’i shfrytëzoni ato për zhvillim të ndërmarrjeve të qëndrueshme dhe si pjesëmarrje në progresin ekonomik.

E, sot nga Peja dua të ju njoftoj që mandati ynë i ri, i cili nis së shpejti do të jetë edhe mandat i ristrukturimit të arsimit të lartë. Universitetet duhet të kenë profile të qarta, buxhetimi duhet të bëhet në bazë të performancës, drejtimet e studimeve duhet të lidhen me prioritetet shtetërore dhe industrinë, ndërkaq diploma duhet të përkthehet doemos në vend pune.

Në këtë drejtim, një nga angazhimet tona do të jetë edhe sigurimi i të ardhurave shtesë mbi pagën bazë për profesorët. Përmes ristrukturimit të fondit të shkencës dhe fuqizimit të instituteve universitare, profesorëve do t’ju krijohen mundësi për të ardhura shtesë nëpërmjet punës shkencore, shërbimeve profesionale dhe projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar.

E ju të dashur prindër,

Sot po diplomohen fëmijët tuaj, dhe po kurorëzohen vitet e durimit dhe të mbështetjes tuaj. Pas çdo studenti dhe studenteje që merr diplomën sonte, qëndrojnë prindërit që kanë besuar, inkurajuar dhe kanë qenë pranë në çdo sfidë dhe për çdo të arritur. Suksesi i fëmijëve mban vulën edhe të kontributit tuaj si prindër.

Të nderuar profesorë,

Diplomimi i studentëve është krenari e punës suaj të dedikuar. Përtej ligjëratave të rregullta e orareve të provimeve, ju keni ndarë dije, keni nxitur mendimin kritik dhe keni formësuar breza që do të kontribuojnë në shoqëri. Përgjegjësia që mbani mbi supe është e lartë. Ne u jemi mirënjohës që vazhdoni të jeni udhërrëfyes, mentorë e frymëzim në rrugën e studentëve drejt sukseseve të tyre në të ardhmen.

Shumë të dashur studentë, ju tanimë jeni gati për të shërbyer me vendosmëri për zhvillimin ekonomik, juridik, kulturor, teknologjik, turistik dhe bujqësor në Pejë, dhe në tërë Kosovën.

Tani me njohuritë teorike e shkathtësitë praktike të cilat i keni marrë, u takon juve, të ndërtoni të ardhmen. Mos i harroni rrënjët tuaja këtu, në këtë universitet, në qytetin tuaj. Kudo t’ju çojë udha e jetës, vendlindja dhe universiteti i studimeve tuaja mbetet vendi ku dija, talenti dhe përkushtimi juaj lënë gjurmë të madhe.

Ju uroj shumë suksese të mëtutjeshme në rrugëtimin tuaj profesional e personal. Jeni veçse në hapat e parë të karrierës, andaj lëvizni pa u ndalur. Qeveria juaj do të jetë krahë jush e me ju.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors