Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Prizren, 10 qershor 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë ngjarje të rëndësisë historike, kryeministri në detyrë Kurti tha se Lidhja Shqiptare, i dha ekzistencë dhe jehonë dhe e trupëzoi institucionalisht qenien politike shqiptare duke e patur për adresë Prizrenin dhe saktësisht këtë kompleks godinash ku ishte vendosur administrata e Lidhjes dhe më pas Qeveria e përkohshme e dalë prej saj.

Me këtë rast, theksoi se çdo 10 qershor, sikurse edhe sot, duhet të bëhemi bashkë në Prizren që të gjithë, në nderim dhe kujtim të Lidhjes Shqiptare dhe të idealeve të Rilindjes Kombëtare, ku janë rrënjët më të shëndosha të ideve politike të shqiptarëve. “Duke e mirëmbajtur traditën e shënimit të përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare, me referenca ndaj historisë së saj, ne e mbajmë Lidhjen gjallë duke i përforcuar urat përmes të cilave idetë e Lidhjes përcjellën nga një brez në tjetrin”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Pas prezantimit, Kryeministri vizitoi edhe ekspozitën me titullin ‘’Monumentet historiko-kulturore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’’.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ardian Gola,
Të nderuar kryetarë të komunave tona, i Prizrenit, Shaqir Totaj, i Prishtinës, Përparim Rama, e Preshevës, Ardita Sinani, Tetovës, Bilall Kasami, Bujanovcit, Arbër Pajaziti,
I nderuari zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Enver Cikaqi,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj,
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, kryetare e partisë boshnjake NDS,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi,
I nderuari kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Lugina, Enkel Rexhepi dhe deputet, Shaip Kamberi,
Të nderuar ushtarakë, oficerë të ushtrisë sonë,
I nderuari z. Durim Adullahu, autor dhe kurator i ekspozitës së re të Muzeut të Lidhjes së Prizrenit,
I nderuari z. Parim Kosova, drejtor i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,
I nderuari z. Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
Të dashur qytetarë të Prizrenit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Mirë se po takohemi në Kompleksin e Lidhjes këtu në Prizren, në 148- vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky shesh i Lidhjes ku jemi mbledhur ne sot, jo thjesht si hapësirë por si log kuvendi, është edhe vendi më përbashkues për të gjitha trevat dhe shqiptarët: nga Mitrovica e Prishtina deri në Vlorë e Sarandë, nga Shkodra e Tirana deri në Preshevë e në Shkup. E me lejoni që me këtë rast të përshëndes edhe ata që kanë ardhur nga Ulqini, si veprimtari Mehmet Bardhi, apo ata të cilët kanë ardhur nga Sanxhaku. Kjo sepse e këtillë ishte gjeografia e shtrirjes dhe e veprimtarisë së Lidhjes dhe sepse e këtillë ka mbetur edhe shtrirja e shpirtit të kombit shqiptar.

Teksa unë po vija rrugës këtu në Prizren, po mendoja se sa vendimtare është trashëgimia politike që na e kanë lënë paraardhësit tanë dhe sa e rëndësishme është shtresa politike që brezi ynë e lë pas në atë trashëgimi për brezat e ardhshëm që vijnë pas nesh. Ja, ta zëmë, edhe unë sot erdha nga Vjena, nga kryeqyteti austriak dhe një nga kryeqytetet shekullore të politikbërjes në Europë. Atje, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, u mirëprita dhe zhvillova takim me homologun tim, kancelarin e Austrisë, një prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian dhe një nga shtetet që më së hershmi e ka mbështetur Kosovën.

Rrugës së kthimit, më erdhi ndër mend se si në kohën e Lidhjes, para gati një shekull e gjysmë, në pranverën e vitit 1879, dy liderët e asaj kohe, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, zhvilluan një tur diplomatik nëpër qendrat e kancelarive evropiane, gjatë të cilit ndaluan edhe në Vjenë, për të përçuar qëndrimet dhe idetë politike të shqiptarëve përmes memorandumesh dhe mesazhesh. Atë kohë, sigurisht që ata nuk mund ta kenë imagjinuar që një shekull e gjysmë më pas, ai që në kohën e Lidhjes ishte Vilajeti i Kosovës, tash do të ishte Republika e Kosovës dhe që Kryeministri i saj do të takohej me Kryeministrin e Austrisë, si përfaqësues qeverish të dy shteteve demokratike partnere, mike dhe aleate.

Republika e Kosovës sot është përafërsisht për nga territori 1/3 e hapësirës që kishte Vilajeti i Kosovës atëbotë, por edhe Republika e Austrisë ishte veçse shumëfishë më e vogël sesa perandoria austro-hungareze që ishte në atë kohë.

E pikërisht këtu nga historia si një thesar i pashtershëm, por që shërben për të mësuar e për të ecur përpara, qëndron edhe një nga pasuritë tona më të mëdha që na e kanë lënë rilindësit tanë, rilindësit e asaj kohe, si Abdyl Frashëri me brezin e tij, meqenëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është organizata e parë politike dhe ushtarake, e cila u dha zë shqiptarëve në arenën politike ndërkombëtare. Deri atëherë, çdo qëndrim politik i shqiptarëve mund të dilte në sferën ndërkombëtare vetëm pasi të kishte kaluar nëpër Stamboll, te porta e lartë si qendër e Perandorisë Osmane. Lidhja Shqiptare, i dha ekzistencë dhe jehonë dhe e trupëzoi institucionalisht qenien politike shqiptare duke e patur për adresë Prizrenin dhe saktësisht këtë kompleks godinash ku ishte vendosur administrata e Lidhjes dhe më pas Qeveria e përkohshme e dalë prej saj.

Rrjedhimisht çdo 10 qershor, sikurse edhe sot, duhet të bëhemi bashkë në Prizren që të gjithë, në nderim dhe kujtim të Lidhjes Shqiptare dhe të idealeve të Rilindjes Kombëtare, ku janë rrënjët më të shëndosha të ideve politike të shqiptarëve. Duke e mirëmbajtur traditën e shënimit të përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare, me referenca ndaj historisë së saj, ne e mbajmë Lidhjen gjallë duke i përforcuar urat përmes të cilave idetë e Lidhjes përcjellën nga një brez në tjetrin.

Me qëllim të fuqizimit të kësaj tradite dhe kultivimit të saj, Qeveria e Kosovës po investon në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në infrastrukturën e këtij kompleksi dhe në rikonceptimin e ekspozitës së muzeut të Lidhjes. Andaj sot, do të kemi kënaqësinë ta shohim prezantimin e projektit ideor të konceptit të ekspozitës së re të muzeut të Lidhjes, për të cilin uroj dhe shpresoj që Ministria e Kulturës, do të kujdeset të realizohet më së largu gjatë dy viteve të ardhshme, ashtu që më 10 qershor 2028, në 150- vjetorin e Lidhjes, ky kompleks të jetë i përtërirë dhe funksional, me një muze më modern prej të cilit do të mund të njihemi më plotësisht me historinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në këtë mënyrë të japim një kontribut të veçantë për të gjithë studiuesit e studentët vendor, por edhe ata të huaj, si për Universitetin e Prishtinës po ashtu edhe për Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, me ç’rast përshëndes rektorin, i cili është i pranishëm sot këtu, Mentor Alishanin.

Brezi ynë dhe brezat e ardhshëm, të nderuar të pranishëm, e kanë hartën e rrugës dhe pishtarin ndriçues pikërisht duke u lidhur fuqishëm me seriozitet dhe sinqeritet me idetë e Lidhjes Shqiptare dhe me idealet e Rilindjes Kombëtare. Prandaj le ta mbajmë Lidhjen gjallë duke e rilexuar atë përmes rikthimit, duke përparuar për ne përmes angazhimit!

Gëzuar ky përvjetor i Lidhjes me urimet për t’i forcuar lidhjet tona kombëtare, politike, kulturore, shoqërore dhe ekonomike me frymën e Lidhjes!

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors