Nënshkruhet memorandumi për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik të Prishtinës

Prishtinë, 29 maj 2026

Në prani të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, nënshkruan memorandumin për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik të Prishtinës.


Pasi përmendi ndërhyrjen emergjente, në proces, për renovimin kulmit dhe ulluqeve të brendshme, kryeministri në detyrë Kurti tha se me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik, si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.


“Memorandumi parasheh zhvillimin dhe zbatimin e projektit për restaurimin e plotë të tij. Përtej aspektit fizik të ndërtesës, ky restaurim do të trajtojë edhe funksionalizimin e qëndrueshëm edhe ekspozitën e përhershme etnografike dhe në veçanti muzealizimin e zyrës së akademik, profesor, tashmë të ndjerë, Rexhep Qosja”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar përfaqësues të mediave,
I nderuari ministër i Arsimit dhe Shkencës,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit,
I nderuari drejtor i Institutit Albanologjik,
Të nderuar studiues e punëtorë të Institutit,

Instituti Albanologjik i Prishtinës, është institucion i rëndësisë së veçantë për dijen, kulturën dhe kujtesën tonë kombëtare. Këtu tashmë janë duke u zhvilluar punimet emergjente për renovimin e kulmit dhe të ulluqeve të brendshme. Këto ndërhyrje kanë qenë të domosdoshme për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet dhe për të ndalur degradimin e kësaj ndërtese.


Investimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për këtë fazë është mbi 144 mijë euro, e nga ndërhyrja emergjente po kalojmë te restaurimi i plotë me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive tona, po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik, si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.


Memorandumi parasheh zhvillimin dhe zbatimin e projektit për restaurimin e plotë të tij. Përtej aspektit fizik të ndërtesës, ky restaurim do të trajtojë edhe funksionalizimin e qëndrueshëm edhe ekspozitën e përhershme etnografike, dhe në veçanti muzealizimin e zyrës së akademik, profesor, tashmë të ndjerë, Rexhep Qosja.


Synimi është i qartë, ta ndërrojmë dhe restaurojmë me standardet më te mira e ta bëjmë sa më funksional si një institucion bashkëkohor për studiuesit, studentët për gjeneratat që vijnë, meqenëse zhvillimi i gjuhës shqipe i ka shumë borxh pikërisht Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors