Prishtinë, 29 maj 2026
E nderuara familje Gagica, e nderuara zonja Emine, të nderuara Zarife dhe Dardane, bashkëshorte dhe vajza të të ndjerit,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë të të gjitha kohërave të z. Gagigës,
Të nderuar kolegë, ministra e zëvendësministra e deputetë,
Të nderuar akademikë e profesorë,
Të nderuar të pranishëm, që jeni bashkuar sot nderimit dhe kujtimit të përbashkët për Hafiz Gagicën
Zonja dhe zotërinj,
Angazhim i pakursyer e përkushtim i pakusht për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kështu mbase mund të përkufizojmë jetën dhe veprën e Hafiz Gagicës, intelektualit dhe veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare.
Me vdekjen e Hafiz Gagicës, vendi ynë humbi një njeri të mirë dhe një atdhetar shembullor.
Ai ishte dhe do të mbetet në historinë e Republikës sonë, si bartës i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani, me theks të veçantë, por edhe në Zvicër e mbarë Evropën.
Roli i tij në bashkimin dhe mbajtjen aktive të mërgatës sonë, gjenerata shqiptarësh të përndjekur nga regjimi serb, të cilët u kthyen në një brez të tërë qëndrese, ishte kyç në jetësimin e mbajtjen gjallë, si dhe organizimin e forcimin e sistemit të Republikës së Kosovës, që ndodhej nën okupim gjatë viteve të ’90-ta.
Hafiz Gagica ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt e të besuar të presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe me të drejtë cilësohet edhe si krahu i djathtë i tij. Në kohëra të rënda dhe të rrezikshme, ai barti mbi supe përgjegjësi të madhe. Duke vënë në rend të parë e të pakontestueshëm qëllimin që kishte: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; ai arriti të tejkalonte dallimet politike dhe të bashkëpunonte me të gjithë, duke u bërë zëri i vendit tonë në diasporë.
Hafizi mundi ta bënte këtë, sepse i njihte dhe i dinte vuajtjet e popullit shqiptar, edhe ato aktuale, por edhe ato historike: rrahjet, burgosjet dhe vrasjet, dëbimin, si pasojë e shtypjes e përndjekjes nga regjimi Serbia. E po ashtu detyrimin në punë të rënda në mërgim për të ndihmuar familjet në vendlindje, të cilat mbijetonin, sistemin institucional të Republikës së Kosovës në okupim që të mbahej gjallë, si dhe organizimin e luftës çlirimtare.
Krahas rolit tejet të rëndësishëm në organizmin e jetës institucionale nën okupim, Hafiz Gagica nën udhëheqjen e Sali Çekajt, organizoi grupet e para ushtarake që u stërvitën në Shqipëri në fillim të viteve të ’90-ta, pjesë e të cilave, siç e dimë, ishte edhe Kryekomandanti, Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Mërgata jonë dhe personalitetet e shquara të saj, si Hafiz Gagica, përbëjnë një shembull unik në botë, të rezistencës, të ruajtjes së ekzistencës ekonomike dhe institucioneve, si dhe të ndihmesës për organizimin e luftës çlirimtare.
Ai ishte edhe lobues në takime të rëndësishme në kohë të vështira. Ndërkaq, nuk do të harrohet asnjëherë tubimi në Bonn më 1998, për të cilin ai punoi shumë, e ku morën pjesë më shumë se 100 mijë shqiptarë, që kërkuan liri për Kosovën.
Lidhja e Hafiz Gagicës me Kosovën, sikur edhe e mërgatës me atdheun e tyre, është e pashkëputshme. Pa mërgatën, pa kontributin e saj financiar e diplomatik, por edhe pa luftëtarët nga mërgata, nuk do të mund ta kishim fituar luftën.
Kujtimi për Hafiz Gagicën, edhe si mik, nxënës e bashkëpunëtor i Jusuf Gërvallës, nuk është nderim vetëm për një person me merita të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Republikën e Kosovës, por për një brez të tërë intelektualësh e veprimtarësh në mërgatë, që dhanë gjithçka nga qenia e tyre.
Gjatë viteve të ’90-ta, unë nuk pasur fatin e rastin që ta takoj Hafiz Gagicën, mirëpo pas çlirimit dhe daljes sime nga burgu, e kam takuar shumë herë dhe jemi ndarë me mbresat më të mira për bashkëbisedimin tonë.
Hafiz Gagica është shembull i një veprimtari, i cili punoi shumë, u angazhua pareshtur për Kosovën dhe shqiptarinë në shekullin e kaluar, e nuk mori asgjë për vete në këtë shekull.
Nderime për jetën dhe veprën e Hafiz Gagicës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve!