Fjala e kryeministrit në detyrë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin në detyrë Sveçla për Xhandarmërinë

Prishtinë, 28 maj 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media, dhanë informacione lidhur me procesin e themelimit të Xhandarmërisë dhe mandatin që ajo parashihet të ketë.

Në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar, është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra e me migrantë, menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, tha ai.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se modeli i xhandarmërisë ose strukturave të ngjashme është praktikë e dëshmuar evropiane, ndërsa shtoi se modeli i Xhandarmërisë së Kosovës do të ndërtohet në përputhje me sistemin kushtetues, specifikat dhe rrethanat e Republikës së Kosovës. Në Evropë, 18 shtete kanë xhandarmëri ose struktura të ngjashme.

Fjala e kryeministrit në detyrë Kurti në konferencën për media:

Të dashur qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Gjendja e sigurisë në nivelin global, rajonal, por edhe në Republikën e Kosovës, po evoluon me shpejtësi. Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë.

Sfidat kryesore me të cilat jemi përballur vitet e fundit përfshijnë:

– Grupe të armatosura me organizim paraushtarak dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore. Pastaj,
– Kontrabandë të vazhdueshme me armë dhe mallra, të cilat cenojnë sigurinë publike përgjatë vijës së gjelbër kufitare. Mandej,
– Infiltrim i strukturuar i grupeve të armatosura, të cilat kërcënojnë sovranitetin tonë.
– Përdorimi i teknologjive moderne – veçanërisht dronëve, si dhe,
– Mbikëqyrja e vazhdueshme e terrenit të papërshtatshëm tokësor, ujor dhe ajror, si dhe infrastrukturës kritike.

Policia e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të jashtëzakonshme. Megjithatë, ajo ka mandat sigurimin e rendit publik, parandalimin dhe hetimin e krimit.

Ne kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit në veçanti në veriun e vendit tonë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë, qytetarëve, institucioneve dhe misioneve ndërkombëtare, sikurse rrëmbimi i policëve dhe qytetarëve, sulmet mbi ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe sulmi në Ibër-Lepenc, e të tjera. Këto na treguan se grupe të armatosura me organizim paraushtarak, me armë të rënda dhe me kapacitete operacionale ushtarake, përfshirë dronë dhe antidronë, të cilët tejkalojnë mundësitë standarde policore, kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë seriozisht sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj.

Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, pra vështirësive të mëdha e rreziqeve jo të vogla, si dhe përballje me këto, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e specializuar, moderne dhe e disiplinuar, është domosdoshmëri e kohës, e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimi i vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra e me migrantë, menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike.

Modeli i Xhandarmërisë është praktikë e dëshmuar evropiane. Shtetet si, Franca, Italia, Turqia, Spanja e Portugalia dhe jo vetëm, kanë struktura të ngjashme me role dhe mandate të qarta, të cilat veprojnë me efikasitet dhe profesionalizëm për dekada. Ne jemi duke ndjekur praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet në përputhje me sistemin tonë kushtetues, specifikat dhe rrethanat e Republikës së Kosovës.

Tashmë grupi punues i themeluar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është duke punuar në analizimin e të gjithave aspekteve të formimit të Xhandarmërisë. Themelimi dhe funksionalizimi i Xhandarmërisë do të bëhet me miratimin e ligjit të veçantë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në legjislaturën e 11-të, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Për më shumë, fjalën ja kaloj Ministrit të Punëve të Brendshme.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors