Kryeministri në detyrë Kurti përkujtoi masakrën e Dubravës

Dubravë, 22 maj 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës në Burgun e Dubravës, ndërmjet 19 dhe 24 majit të vitit 1999.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se të burgosur politikë, civilë shqiptarë, u vranë mizorisht, ndërsa theksoi se emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial, janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim.

“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptar, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar kolegë nga Qeveria, ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë, z. Shefik Sadiku,
Të nderuar ish-deputetë, përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
Të nderuar ish-të burgosur politikë nën okupimin e Serbisë,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të mbijetuar të masakrës së Dubravës,
Të nderuar familjarë të të vrarëve dhe të të mbijetuarve të masakrës së Dubravës
Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

Sot jemi mbledhur këtu me nderim, me dhimbje dhe me përgjegjësi historike e kombëtare, për të kujtuar një ndër plagët më të rënda gjatë luftës në Kosovë, Masakrën e Dubravës. Sot po qëndrojmë këtu, përballë një pjese të historisë së Republikës sonë, të kësaj historie të shkruar me qëndresë të paepur dhe me sakrificë për liri.

Në fund të muajit prill e në fillim të majit 1999, autoritetet serbe transferuan të burgosur politikë shqiptarë nga burgje të ndryshme drejt Dubravës. Ky përqendrim masiv i të burgosurve në një hapësirë të vetme, ndodhi pikërisht në kohën kur regjimi i Millosheviqit po zbatonte planin gjenocidal në Kosovë. Dubrava ishte pjesë e mekanizmave të represionit shtetëror të përdorur kundër shqiptarëve të Kosovës e që gjatë luftës u shndërrua në poligon pushkatimi.

Në studimet bashkëkohore mbi kujtesën dhe dhunën, burgjet e regjimit konsiderohen si hapësira të kontrollit politik dhe të prodhimit të frikës kolektive. Burgjet në ish-Jugosllavi, e sidomos ato në Serbi gjatë viteve ’80 dhe ’90, u përdorën sistematikisht kundër veprimtarëve politikë shqiptarë, studentëve dhe intelektualëve. Për këtë arsye, historia e Dubravës lidhet drejtpërdrejt me historinë më të gjerë të burgosjes politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Në ato ditë të majit të vitit 1999, brenda burgut të Dubravës, shteti kriminal i Serbisë kreu një ndër aktet më çnjerëzore. Nga rreth 980 të burgosur shqiptarë, 116 u vranë, 185 u plagosën, ndërsa profesori dhe mendimtari politik, Ukshin Hoti u zhduk me dhunë. Të burgosur politikë, civilë shqiptarë, u vranë mizorisht në kundërshtim me çdo ligj ndërkombëtar. Ky ishte krim kundër njerëzimit, shkelje flagrante e Konventave të Gjenevës dhe e çdo norme të civilizimit njerëzor. Emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial, janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim.

Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptar, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe.

Dëshmitë e atyre ditëve janë rrëqethëse, por edhe aktet heroike të të burgosurve që u vinin në ndihmë shokëve të tyre janë po ashtu rrëqethëse. Mbetet shenjë heroizmi ajo masë organizimi mes të burgosurve, për mbrojtje, mjekim apo ushqim. E mbi të gjitha, kur të gjallët qëndronin në të njëjtin shesh me shokët e tyre të vrarë.

Andaj, sot kur kujtojmë viktimat e kësaj masakre, ne nderojmë edhe dëshmitarët e saj. Ata që mbijetuan, ata që rrëfyen, ata që shkruan libra, dhanë dëshmi dhe ruajtën të vërtetën nga harresa. Dëshmia e tyre është pjesë e së vërtetës historike të Kosovës dhe e kujtesës sonë kolektive. Republika e Kosovës ka obligim moral dhe shtetëror që ta ruajë këtë kujtesë, ta dokumentojë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat. Sepse shteti që kujdeset për kujtesën, mundëson drejtësi dhe ndërton paqe.

Prandaj, krahas së qeni dhimbje, kujtesa jonë bëhet edhe drejtim. Ajo bëhet busull morale për brezat që vijnë, që liria të mos merret kurrë si përherë e mirëqenë dhe që krimet e së kaluarës të mos lejohen të përsëriten.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, kur përkujtojmë martirët e Dubravës, kur kujtojmë mënyrën se si u vranë, ne kujtojmë edhe arsyen pse jetuan: për liri, për të drejtën që populli ynë të jetojë i lirë, në vendin e vet të vendos për vetën.

Republika e Kosovës sot është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Kemi institucione të qëndrueshme, kemi ushtri që mbron territorin dhe kushtetutshmërinë tonë, kemi rini që studion, punon dhe ëndërron në liri. Kjo Kosovë e lirë është amanet i të rënëve, i dëshmorëve, i luftëtarëve çlirimtarë, i të burgosurve politikë, dhe i gjithë atyre që sakrifikuan jetën e kontribuuan fort që ne sot të jetojmë të lirë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët këtu në burgun e Dubravës.

Mirënjohje e thellë dhe jetë të gjatë të gjithë të mbijetuarve të asaj masakre.

Lavdi të rënëve në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri!

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors