Prishtinë, 15 maj 2026
Faleminderit i nderuari z. Andin Hoti, Ministër në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj.Donika Gërvalla,
E nderuara, znj. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë e më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadrin e gjerë të vendimmarrjes.
Për ta zbërthyer këtë, më lejoni të përmbledhë disa prej punëve, shumë prej të cilave në sektorë të ndryshëm, por që të gjitha në qendër e kanë familjen.
Për herë të parë në Republikën e Kosovës kemi nisur me aplikimin e shtesave nga të cilat kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë. Kur nisëm me 10 dhe 20 euro, pati edhe tallje e përqeshje për një politikë të këtillë, por vetëm edhe vetëm që më pastaj të njëjtit fillonin vetëm garën me zotime elektrorale për numra më të mëdhenj, e sot, çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq, zotimi ynë është që në mandatin e plotë, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro.
Paralelisht me këtë kemi filluar me shtesat për lehonat, nga të cilat kanë përfituar më shumë se 80 mijë nëna. Njësoj sikurse për fëmijët edhe këto i patëm gjetur zero. Nisëm me 170 euro në muaj, aktualisht janë 325.9 euro, por me synimin që ato t’i ngrisim në 500 euro në muaj ashtu siç jemi zotuar publikisht.
Pra, nga zero në këto shifra dhe me kaq shumë përfitues. Kësisoj, kaq shumë familje me më shumë të ardhura dhe me mirëqenie në ngritje.
Dhe përtej numrave, kjo është edhe politikë zhvillimore me elemente edhe emancipuese shoqërore, përveçse ekonomike, sepse në qeverisjen tonë më shumë se 100 mijë gra kanë hapur për herë të parë xhirollogari bankare, me qëllim të pranimit të shtesave për fëmijët.
Ndërsa, kemi prezantuar edhe skemën “Gjeneratë pas gjenerate”, me të cilën gjyshërit pensionistë të cilët kujdesën për mbesat dhe nipërit prej 13 deri në 36 muaj, do të mund të mbështeten financiarisht nga shteti. Kësisoj, fëmijët rriten me dashurinë dhe kujdesin e gjyshërve, në mjedise të sigurta dhe të përshtatshme, gjyshërit vlerësohen dhe prindërit punojnë pa shqetësim, e njëkohësisht nuk kanë kosto shtesë.
Familjeve ua kemi ulur shpenzimet duke subvencionuar drejtpërdrejtë librat shkollor dhe materialet mësimore, me më shumë se 400 mijë nxënës përfitues, në një proces, i cili i shmangë abuzimet dhe keqpërdorimet. E po ashtu, duke punësuar qindra asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, por edhe duke ndarë bursa për studentët.
Kemi përkrahur më shumë se 3000 familje për të izoluar shtëpitë e tyre, duke u ofruar kushte më të mira jete, siguri, por edhe duke kursyer energjinë, e rrjedhimisht edhe xhepin e tyre. Gjithashtu, në kuadër të masave të efiçiencës kemi përkrahur më shumë se 42 mijë familje për blerjen e pajisjeve efiçiente.
Më shumë se 200 mijë familje kanë përfituar nga subvencionimi i faturave të energjisë në dimrin e vështirë ndërmjet viteve 2022-2023, ndërkaq në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm, më vonë kanë përfituar edhe 90 mijë familje të tjera të kualifikuara.
Në bujqësi, më shumë se 120 mijë përfitues nga subvencionet dhe grantet, janë familje, të cilave shteti u ka dalë në krahë.
Pra, nga shtesat specifike për fëmijët e lehonat si politika sociale, tek arsimit, ekonomia, efiçienca, energjia e bujqësia, dhe jo vetëm, të gjitha për familjen.
Për të mos e zgjatur. Përplot veprime, masa e vendime të shpërndara në sektorë të ndryshëm, të cilat dëshmojnë atë që thashë në fillim: politika për familjen dhe mirëqenien e saj.
Në këtë mandat, për të shtuar kujdesin shtetëror, për herë të parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës kemi edhe ministri për familjen. Kësisoj, krahas politikave sektoriale për familjen, tashmë një mori çështjesh të ndërlidhura, të cilat kërkojnë trajtim më të thellë dhe specifik, do të trajtohen në këtë dikaster.
Por, për më shumë e në hollësi lidhur me Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, vetëm pas pak mund të na flasë vetë ministri Hoti.
Të nderuar të pranishëm,
Dita Ndërkombëtare e Familjes si simbolikë e promovimit të vlerave dhe rolit të saj në shoqëri, ka në thelb ndërgjegjësimin për çështjet sociale, ekonomike e demografike. Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në vitin 1993 e kishte shpallur 15 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, këtë vit atë e shënon me temën: Familjet, Pabarazitë dhe Mirëqenia e Fëmijëve.
Thirrja për investime në politika të orientuara drejt familjes, me qëllim të uljes së pabarazive dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, përkon me angazhimin tonë, me politika për familjen dhe për mirëqenien e saj.
Ju faleminderit të gjithëve për kontributin që jepni, për punën që bëni, për pjesëmarrjen sot dhe vëmendjen tuaj!