Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim liderët e partive opozitare

8 Nëntor, 2022

Prishtinë, 8 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas ftesës së dërguar liderëve të subjekteve opozitare parlamentare, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shoqëruar nga Bedri Hamza; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shoqëruar nga Ardian Gjini.

Në këtë takim të ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, u diskutua për situatën aktuale në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim.

Krerët opozitarë shprehen mbështetjen ndaj Qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Republikën e Kosovës.

 

Last modified: 8 Nëntor, 2022

Comments are closed.