Kryeministri në detyrë Kurti përuroi investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa shumë banesore të banimit social në Prizren

Prizren, 13 maj 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përuruan investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa shumë banesore të banimit social në Prizren.

Teksa foli për orientimin e qartë të Qeverisë për të qëndruar sa më pranë atyre që kanë më së shumti nevojë, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se ky është një investim domethënës, me të cilin, krahas përmirësimit të hapësirave dhe kushteve të banimit, rriten cilësia e jetës dhe ndjenja e sigurisë, si dhe kujdesi e barazia.

“Investimi që po shohim sot, është pozitiv në shumë sfera. Është politikë sociale, sepse i ul faturat. Është politikë ekonomike, sepse kursen energji. Edhe është politikë mjedisore, sepse ul ndotjen. Dhe, është politikë e drejtësisë, sepse investon tek ata që shpesh kanë qenë të fundit në radhë”, tha ai.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se vlera e përgjithshme e investimit është afër 460 mijë euro, ndërkaq falënderoi Bashkimin Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Komunën e Prizrenit, për projektim, financim, zbatim dhe për bashkëpunim.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara ministre, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë,

E nderuara drejtore e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, znj. Njomza Hoxha,

Të nderuar përfaqësues të Komunës së Prizrenit,

Të dashur banorë,

Në këto pesë vite, Qeveria e Republikës e ka pasur një orientim të qartë: shteti duhet të jetë sa më pranë atyre të cilët kanë më së shumti nevoja. Afër fëmijëve, afër nënave lehona, pensionistëve, afër familjeve me më pak të ardhura, afër qytetarëve të cilët përditshmërinë e kanë më të vështirë se të tjerët.

Andaj kemi ndërtuar politika që i përkrahin ata. Shtesat për fëmijë, mbështetja për lehonat, rritja e pensioneve, përkrahja për familjet dhe investimet në shkolla, banesa sociale e ndërtesa publike, janë pjesë e së njëjtës bindje që zhvillimi duhet të shihet në jetën e përditshme të qytetarit.

Investimi që po inaugurojmë sot në Prizren është edhe një shembull i mirë i po kësaj qasjeje.

Po i inaugurojmë tri ndërtesa shumë-banesore sociale ku banojnë 51 familje, e në 42 prej tyre familjet janë të kryesuara nga gratë. Kjo e bën këtë investim edhe më domethënës, sepse kur përmirësohet banesa sociale, përmirësohet edhe jeta e familjes; përmirësohen kushtet e banimit, rritet edhe ndjenja e sigurisë, por gjithashtu kujdesi dhe barazia.

Vlera e përgjithshme e këtij investimi për këto tri ndërtesa është afër 460 mijë euro. Prej kësaj shume, rreth 90 për qind është mbuluar nga granti i siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërkaq 10 për qind nga Komuna e Prizrenit. Kjo është formulë e mirë e punës publike: qeveria e cila udhëheq, fondi që e zbaton, komuna që bashkëpunon dhe partnerët të cilët mbështesin, ndërkaq qytetarët fitojnë.

Në total, këto tri ndërtesa kanë 4,855 metra katrorë hapësirë banimi, brenda të cilave tash ka familje që jetojnë më mirë, fëmijë që rriten në kushte të mira, prindër që ndihen më të sigurt, dhe banorë që e shohin se institucioni publik nuk është larg tyre. Sepse për ne është e rëndësishme që investimet tona publike të jenë të dobishme në jetën e qytetarëve. Nuk mjafton të thuhet se shteti investon por duhet të shihet po ku investon, për kë investon dhe çfarë ndryshimi në jetesën, përvojat e njerëzve sjell ai investim.

Investimi që po shohim sot, është pozitiv në shumë sfera. Është politikë sociale, sepse i ul faturat. Është politikë ekonomike, sepse kursen energji. Edhe është politikë mjedisore, sepse ul ndotjen. Dhe, është politikë e drejtësisë, sepse investon tek ata që shpesh kanë qenë të fundit në radhë.

Unë e falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, Bashkimin Evropian, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Komunën e Prizrenit, që të gjitha këto, me radhë, për projektim, financim, zbatim dhe për bashkëpunim.

Urime e gëzuar të gjithë banorëve të ri të kësaj ndërtesa shumë-banesore sociale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors